Ejani me ne në Iran
Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Ejani me ne në Iran". Në vazhdim të prezantimit të qytetit të bukur dhe historik të Esfahanit, në edicionin e sotëm do të prezantojmë Kashanin një prej qyteteve historike të provincës Esfahan.
Qyteti Kashan ndodhet në pjesën qendrore të Iranit dhe nga veriu kufizohet me shkretëtirën qendrore të Iranit, nga jugu kufizohet me Esfahanin dhe nga lindje dhe verilindja kufizohet me Ardestanin, ndërsa nga perëndimi kufizohet me qytetet Mahalat dhe Golpajgan. Kashani është një prej qyteteve më të vjetra të rrafshnaltës së Iranit. Një pjesë e qytetit të Kashanit ndodhet në fushë dhe pjesa tjetër shtrihet në pjesën malore me një lartësi detare rreth 1000 m. Kashani për shkak se ndodhet shumë afër shkretëtirës, gjatë stinës së verës në këtë rajon mbretërojnë temperatura të larta, mirëpo në pjesën malore të tij mbretërojnë temperatura të ftohta dhe mesatare. Në këtë rajon për zhvillimin e bujqësisë dhe për konsumim të ndryshëm, shfrytëzohen burimet nëntokësore të ujit. Prandaj në këtë rajon hapja e puseve dhe e kanaleve të ujit është një veprim i zakonshëm.
Kashanin të gjithë e njohin me një histori të lashtë deri në 7000 vjet. Para se të zhvillohet civilizimi arian në territorin që më vonë u quajt Iran, në këtë territor ishte zhvilluar një civilizim me emrin Sialk duke filluar nga mijëvjeçari i shtatë para erës së re dhe ka vazhduar deri në shekullin e katërt para erës së re. Sialk ishte civilizimi i parë me zhvillim urban në Iranin qendror dhe është zhvilluar në qytetin Kashan. Ky civilizim gjithashtu kujtohet se civilizimi më i vjetër njerëzor. Do të thotë se Rajoni i Kashanit është vendi i parë në të cilin është zhvilluar jeta urbane ose qytetare. Monumentet e vetme që ka mbetur nga ky civilizim janë disa kodra të cilat ende njihen me këtë emër dhe ndodhen 3 km në perëndim të Kashanit. Këto kodra në vitin 1931 janë regjistruar në listën e monumenteve historike kombëtare të Iranit. Tapeti i bukur i Kashanit dhe i qyteteve rreth tij, ndërtesat e madhërishme dhe të bukura, artizanalet e rëndësishme dhe të njohura të këtij qyteti, si dhe historiku 7000 mijë vjeçar i tij, janë bërë shkak që shumë historianë dhe turistë që nga kohërat e kaluara këtë qytet ta quajnë "Porta e civilizimit të botës".
Kashani gjithashtu sikur shumë qytete të tjera të Iranit ka kaluara periudha të ndryshme historike dhe ka përjetuar shumë batica dhe zbatica. Në shekullin e pestë hixhri kameri (shek.. 11), me themelimin e dinastisë së Selxhukëve, Kashani fitoi një rëndësi të madhe dhe qyteti gjatë kësaj periudhe arriti një zhvillim të madh në të gjitha fushat ekonomike, kulturore, shoqërore, politike dhe artistike. Gjatë kësaj periudhe, Kashani u zhvillua dhe në këtë qytet u ndërtuan shumë ndërtesa dhe objekte të ndryshme si xhamia, shkolla, biblioteka etj.. Një prej monumenteve më të rëndësishme të mbetur nga ajo periudhë është xhamia "Xhum'e" e Kashanit e cila është rindërtuar në periudhën e dinastisë së Selxhukëve dhe ka një kupolë me tulla dhe një minare të zbukuruar me mbishkrime sipas stilit kufi në të cilën është shkruar viti 466 hixhri kameri.
Dëshmitë historike tregojnë se Kashani në periudhën e dinastisë së Ilkhanëve mongolë në shekullin e shtatë hixheri kameri (shek.. 13), ka përjetuar një periudhë të rënies dhe stagnimit në zhvillim. Në këtë periudhë e cila ka përkuar me sulmet shkatërruese të Çangizkhanit të Mongolisë kundër Iranit, qyteti Kashan ashtu si shumë qytete të Iranit, ka pësuar dëme shumë të mëdha. Mirëpo në periudhën e dinastisë Safavite (shek. 15-18), Kashani arriti përsëri një zhvillim të madh në të gjitha fushat. Turistët të cilët në atë kohë kanë vizituar Iranin, pa përjashtim kanë lavdëruar dhe vlerësuar lartë qytetin e Kashanit, ndërsa për shkak të bukurisë, pasurisë dhe tërheqjes, e kanë konsideruar atë si qytetin e dytë të Iranit pas Esfahanit. Këta turistë gjithashtu kanë vlerësuar lartë edhe produktet e tekstilit që kishin një larmi të madhe në Kashan. Kjo tregon zhvillimin dhe progresin e artizanaleve dhe industrisë së tekstilit në Kashan gjatë periudhës së dinastisë Safavite. Në lidhje me këtë turisti francez Tavirnie në udhëpërshkrimin e tij shkruan: "Në Kashan shumë njerëz punojnë në industrinë e tekstilit me mëndafsh dhe puna e tyre është shumë e bukur. Basmat e punuar me fije floriri dhe argjendi janë basmat më të bukurat që prodhohen në Iran". Sharden, turist dhe iranolog francez, gjithashtu në udhëpërshkrimin e tij shkruan: "Baza e kapitalit dhe jetës së banorëve të Kashanit përbëhet nga industria e tekstilit dhe mëndafshit, si dhe nga përgatitja e copave prej basme të punuara me flori dhe argjend. Në asnjë rajon të Iranit, produktet e tekstilit me lloje të ndryshme të basmës dhe mëndafshit të punuara me fije floriri dhe lule të bukura, nuk prodhohen më shumë se sa në qytetin e Kashanit".
Në periudhën e sundimit të dinastisë Safavite, artizanalet si prodhimi i basmës, tapetit të punuar me dorë, prodhimi i enëve prej balte, kanë qenë shumë të zhvilluara në qytetin e Kashanit deri në atë masë saqë shumë modele të këtyre produkteve ruhen akoma në muzetë më të njohur të botës. Mirëpo në mesin e arteve të ndryshme në këtë rajon, arti i prodhimit të tapetit të punuar me dorë, ka një kredibilitet dhe famë të veçantë. Prandaj e pamë të arsyeshme që një pjesë të këtij edicioni t'ia kushtojmë prezantimit të këtij artizanali me vlerë shumë të madhe. Nuk ka dyshim se arti i prodhimit të tapetit të punuar me dorë është një prej veprave më të shkëlqyeshme të artistëve iranianë dhe që nga e kaluara e deri më tani, kanë mbetur modele shumë të rralla dhe të pashembullta të talentit dhe shijes së artistëve iranianë në prodhimin e tapetit të punuar me dorë. Tapeti iranian është simbol i modestisë dhe aftësisë së artistëve të zgjuar iranianë të cilët kurrë nuk e ndajnë artin nga jeta e tyre dhe pa kurrfarë krenarie këto vepra artistike i vendosin në dispozicion të dashamirësve ose i dërgojnë ato në muzetë e njohur të botës. Në Kashan, prodhimi i tapetit të punuar me dorë ashtu si në qytetet e tjera të Iranit, gjithashtu ka një histori të vjetër. Tapeti i Kashanit për shkak të planit dhe ngjyrës, dallon nga të gjitha tapetet iraniane të punuara në rajonet e tjera.
Në periudhën e sundimit të dinastisë Safavite në shekujt 16 dhe 17, artistët e punimit të tapetit arritën të krijojnë plane dhe forma shumë interesante për punimin e tapetit të cilat kanë një origjinalitet të veçantë. Që nga ajo periudhë, punimi i tapetit ishte i përhapur në masë të madhe në Kashan dhe në rajonet rreth këtij qyteti dhe kishte arritur kulmin e vet. Marko Polo, udhëpërshkruesi italian, në udhëpërshkrimin e tij përkrah artizanaleve të tjera, flet edhe për tapetet e bukura të punuara me dorë në këtë qytet. Apham Jup, iranolog i njohur, gjithashtu në librin e tij "Kryeveprat e artit iranian", beson se tapeti që prodhohet në Kashan, është krijuar nga shkalla më e lartë e përkryerjes së artizanaleve të tekstilit dhe mëndafshit, ndërsa në lidhje me tapetin e Kashanit shkruan: "Në shekullin e 16-të, nga vendpunimet e Kashanit dolën disa tapete të vogla dhe disa tapete të mëdha të punuar me mëndafsh. Për shkak të artit dhe përkushtimit të artistëve të mëdhenj, këto tapete për nga shkëlqimi dhe ngjyra e bukur, ishin të njëjta me kadifen". Ekspertët e mëdhenj të tapetit në botë nga mesi i 200 tapeteve të vjetra dhe të njohura në botë, kanë zgjedhur shtatë tapete iraniane si tapetet më të bukura në botë që katër prej tyre janë punuar në Kashan. Një prej tapeteve më të njohura prej tyre është tapeti i njohur me emrin "Ardebil" i cili ruhet në muzeun "Viktoria & Albert" të Londrës. Tapeti "Ardebil" nga aspekti i planit dhe punimit, është një prej tapeteve më të bukura dhe më të njohura të botës, ndërsa nga aspekti historik gjithashtu konsiderohet një dokument i rëndësishëm. Kjo është për arsye se ky tapet ka të shkruar datën dhe nënshkrimin e artistit që tregon se artisti që ka punuar këtë tapet është nga qyteti Kashan. Aktualisht, tapetet e punuara me dorë në Kashan gjithashtu kanë simpatizues të shumtë brenda dhe jashtë Iranit, prandaj konsiderohen pjesë e rëndësishme e eksportit të Iranit.