Prill 13, 2018 10:10 CET

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Ejani me ne në Iran".

Nëse u kujtohet, në edicionin e kaluar filluam udhëtimin tonë në qytetin Ardebil, qendër e provincës Ardebil, gjatë të cilit prezantuam disa nga veprat dhe objektet e çmuara historike të këtij qyteti. Ardebili për shkak sa ka një të kaluar të lashtë historike, ka edhe shumë objekte dhe monumente historike. Shtëpitë historike, xhamitë dhe vendet vizituese, hamamet historike, karvansarajet dhe urat e vjetra, janë monumente historike të cilat bien më së shumti në sy të turistëve. Në këtë edicion do të prezantojmë disa vende të tjera historike të qytetit Ardebil.

Xhamia e Xhumasë në qytetin Ardebil e cila ndodhet në verilindje të këtij qyteti, është ndërtuar mbi një kodrinë antike dhe objekti i saj është mbetje nga një xhami e madhe, e gjerë dhe e pashembullt e cila është ndërtuar në periudha të ndryshme islame sidomos në periudhën e sundimit të dinastisë Salxhuke (shek. 7-13) dhe deri në fillim të periudhës së dinastisë Safavite ishte funksionale. Në bazë të rezultateve më të fundit të gërmimeve arkeologjike në këtë zonë, Xhamia e Xhumasë në qytetin Ardebil, supozohet të jetë ndërtuar mbi një objekt të periudhës së dinastisë Sasanite në Iran.

Objekti kryesor i kësaj xhamie, është një objekt në formë katrori i përbërë nga katër harqe dhe një kupolë. I gjithë objekti ishte ndërtuar me tulla dhe në masë shumë të vogël në këtë objekt janë përdorur zbukurimet me pllaka gjipsi. Xhamia e Xhumas kishte edhe një hapësirë të madhe për zhvillimin e ceremonive të mbrëmjes ndërsa tu në këtë pjesë ndodhej edhe mihrabi i xhamisë. Nën sallonin kryesor të xhamisë, janë krijuar shumë korridore në formë rrjeti për qarkullimin e njerëzve në mënyrë të rregullt. Hajati me harqe në fqinjësi të këtij objekti, aktualisht funksionon si xhami dhe në mesin e banorëve të këtij rajoni gëzon një shenjtëri të veçantë. Ky hajat me harqe gjithashtu është i lidhur me rrjetin e korridoreve nëntokësore nga pjesa jugore në hapësirën e mihrabit dhe nga pjesa perëndimore dhe lindore lidhet me rrugët nëntokësore.

Xhamia e Xhumasë në qytetin Ardebil jashtë hapësirës kryesore për ceremoni të mbrëmjes, në pjesën perëndimore ka një minare në formë cilindri e ndërtuar sipas stilit të minareve të periudhës së dinastisë Salxhuke dhe është e zbukuruar me tulla. Në distancën mes kësaj minare dhe pjesës perëndimore për ceremonitë e mbrëmjes në xhami, duket mbetjet e shtyllave të ndërtuara në formë shumëkëndëshe në thellësi gati 2 m të cilat tregojnë se në këtë vend ka ekzistuar një xhami më e vjetër. Ekzistimi i shenjave të tilla në Xhaminë e Xhumasë së Ardebilit, është bërë shkak që kjo xhami t'u tërheq vëmendjen shumë grupeve arkeologjisë. Xhamia e Xhumasë së Ardebilit është prej monumenteve të pashoqë të periudhave të ndryshme islame të cilat janë rindërtuar ose meremetuar gjatë periudhave të sundimit të dinastive të ndryshme si Salxhuke, Ilkhani, Safavi dhe Ghaxhari në Iran dhe në vitin 1936 është regjistruar në listën e trashëgimisë kombëtare të Iranit.   

Monument tjetër historik në qytetin Ardebil, është edhe kompleksi i tregut tradicional të këtij qyteti. Ardebili për shkak se ndodhet në Rrugën e Mëndafshit dhe mëndafshi i prodhuar në provincën Gilan të Iranit nëpërmjet këtij rajoni transportohej në Evropë, që nga kohët e kaluara ishte një qendër tregtare me tregje të zhvilluara. Turisti francez "Tavernie" në shkrimet e tij ka vë në dukje edhe rëndësinë e tregtisë së mëndafshit në Ardebil dhe në një rast shkruan: "Karvanët e tregtisë së mëndafshit që nganjëherë arrin deri në 800 ose 900 deve, kanë luajtur rol në famën e këtij qyteti. Për shkak të fqinjësisë me Gilanin nga i cili mëndafshi vjen me sasi të mëdha dhe për shkak të fqinjësisë me rajonin Xhamakhi në Kaukaz i cili gjithashtu prodhon sasi të madhe të mëndafshit dhe duke marrë parasysh faktin se rruga që çon prodhimet e këtyre dy rajoneve në Stamboll dhe Izmir, kalon nëpër qytetin Ardebil, kalimi i karvanëve tregtare i kanë dhënë rëndësi këtij qyteti dhe në këtë qytet ashtu si në Tabriz, gjenden të gjitha llojet e mallrave tregtare në masë shumë të madhe".

Tregu i Ardebilit i cili konsiderohet si kujtesë e stilit të arkitekturës së periudhës së dinastisë Safavite në Iran, ndodhet në qendër të qytetit Ardebil. Ky treg është një kompleks i përbërë nga korridoret e mbuluara (Timçe), shtëpitë për banim të mysafirëve, hamami dhe xhamia, si dhe ka një historik të lashtë. Ky treg në shekujt 7 dhe 8 hixhri kameri, kishte një zhvillim të madh. Në shekujt e mëvonshëm, një pjesë e këtij tregu të madh dhe objekteve të tij konsiderohej vakëf i tyrbes ose mauzoleut të Shejkh Safiudin Ardebili, prandaj të ardhurat e tij shpenzoheshin për administrimin e këtij mauzoleu. Objektet aktuale të këtij tregu janë vepra të periudhës së dinastisë Safavite dhe dinastisë Zandie të cilat janë ndërtuar mbi themelet e para të tregut. Një pjesë e madhe e tregut të Ardebilit është shkatërruar gjatë gjysmë shekullit të kaluar si pasojë e ndryshimeve dhe ndërtimeve urbane, prandaj edhe ka humbur lidhja e disa pjesëve të këtij tregu me pjesën qendrore. Nga ndarja e gjithë tregut të Ardebilit mund të përmendën pjesët Kajsarije, tregu i dyqaneve ushqimore, tregu i zdruktharëve, tregu i shalëbërësve, tregu i punuesve të brisqeve, tregu i kapelave, rrobaqepësve etj.. Arkitektura e tregut të Ardebilit, gjithashtu është e njohur si arkitektura e periudhës së dinastisë Safavite dhe Ghaxhari. Tregu i vjetër i Ardebilit është i mbuluar me harqe të zbukuruara me tulla dhe me kupola të thjeshta . Gjerësia e dyqaneve në formë harqesh mesatarisht është 3 m dhe trashësia e harqeve është rreth 80 cm. Ndriçimi brenda në treg bëhet nëpërmjet vrimave të vendosura në mbulesat e kupolave.

Një prej pjesëve të rëndësishme të tregut të Ardebilit, është pjesa "Çahar Suk" ose tregu i madh Kajsarije. Kjo pjesë është një objekt në formë rrethi dhe ka një kupolë të madhe, por të thjeshtë. Sipërfaqja e objektit në pjesën përdhese është 12 m dhe lartësia e tij është 13 m.

Pjesa nëndhese e objektit duke mos marrë parasysh themelet e dyqaneve dhe gjatësinë e tregjeve të vogla, përbëhet nga 12 baza të cilat me 12 harqe në formë kulmi, kanë krijuar hapësirën për ndërtimin e kupolës. Në tetë harqe në formë kulmi me një kënd, janë vendosur dyqane dhe në katër harqet e tjera janë vendosur korridoret e tregjeve.  

Kompleksi i tregut historik të Ardebilit nga aspekti i kushteve historike dhe nevojës për ruajtjen dhe mbrojtjen e tij, që nga viti 1364 të kalendarit iranian (1985), është regjistruar në listën e trashëgimisë historike të Iranit dhe që nga ajo kohë Organizata për Trashëgimi Kulturore e Iranit ka marrë masa serioze për meremetimin dhe ripërtëritjen e këtij tregu.

Tyrbja e Shejkh Aminudin Xhebrail gjithashtu është një tjetër monument historik i periudhës Safavite. Ky objekt është një prej shembujve të tyrbeve të gjera të arkitekturës islamike të Iranit që thjeshtësia dhe harmonia e pjesëve përbërëse të saj dhe në fund zbukurimet e jashtëzakonshme në nivele të brendshme të këtij objekti, e kanë futur atë në kategorinë e kryeveprave të arkitekturës së periudhës Safavite. Objekti i kësaj tyrbe në mënyrë të pabarabartë është përbërë nga dy pjesë, një pallat katërkëndësh qendror dhe një hajat të vogël me pesëkëndësh përpara. Këndet e këtij objekti të cilat janë vendosur mbi një platformë prej guri, kanë harqe në formë kulmi me maje. Ndërtesa është e ngjashme me ndërtesën e tyrbes së Shejkh Safiudin Ardebili dhe thuhet se i përket shekullit 8 h.k (shek. 14). Këtë objekt e ka ndërtuar Shejkh Sadrudin Musa, djali i dytë i Shejkh Safiudin Ardebilit. Mirëpo ndërtesa që është ndërtuar mbi platformën bazë rreth objektit kryesor, është ndërtuar në periudhat e mëvonshme, do të thotë njëkohësisht me tyrben e Shejkh Safiudin Ardebilit në fillim të shekullit 10 h.k (shek. 16). Kjo tyrbe ndodhet në mes të një hapësire të rrethuar dhe të gjerë që përfshinë murin rrethues, hajatin e tyrbes, hajatin me harqe para objektit, hajatin e objektit kryesor të tyrbes, dhoma dhe shumë hapësira të tjera.

Përkrah monumenteve historike të Ardebilit, natyra e bukur e këtij rajoni gjithashtu tërheq vëmendjen e shumë dashamirësve të natyrës dhe të ekoturizmit sidomos alpinistëve. Bjeshka Sabalan është maja e tretë më e lartë në Iran e cila ka lartësi 4800 m dhe në stinën e pranverës dhe verës për çdo vit mirëpret një numër të madh të alpinistëve.

Sabalan është një krater i vullkanit të shuar  që me shkrirjen e dëborës në maje dhe rreth saj, është krijuar një liqen. Liqeni Sabalan që nga muaji shtator e deri në muajin maj të vitit tjetër, vazhdimisht është i ngrirë.

Me ngrohjen e klimës, gradualisht nga shkrirja e akullnajave në maje të bjeshkës dhe nga burimet që ndodhen më poshtë se 4000 m, krijohen përrenj të cilët në shpate pasi të shndërrohen në lumenj të mëdhenj, krijojnë lugina dhe fusha të gjelbëruara me gjerësi dhe gjatësi të madhe. Në lartësinë 3600 m të bjeshkës Sabalan, rreth e rrotull trupit të saj, mbi trupin e gurëve poroz të krijuar nga vullkani, natyra krijon skulptura të mëdha si skulpturat e kafshëve etj..

Në një distancë jo shumë larg nga bjshka Sabalan, sasia e mëdha e hirit të vullkanit dhe toka e pëlleshme së bashku me burimet e shumta të ujit dhe klimën e butë, kanë krijuar kushtet për kultivimin dhe prodhimin e rrushit pa kokërr me ngjyrë më të mirë dhe më të shijshëm në Iran. Zonat rreth bjeshkës Sabalan janë të njohura gjithashtu edhe për prodhimin e mjaltës me cilësi shumë të lartë ku bletët vazhdimisht kullosin mbi lulet e egra në shpatet e bjeshkës Sabalan.

Alpinistët gjatë ngritjes në bjeshkën Sabalan, në stinën e pranverës dhe verës përballen edhe me befasi të tjera. Kodrinat me pamje të bukura të luleve ngjyra-ngjyra, është një prej këtyre befasive mahnitëse. Alpinistët përveç mahnitjes duke shikuar gjelbërimin dhe lulet ngjyra-ngjyra në kodrina dhe shpate si dhe burimet e shumta dhe liqenin në maje të bjeshkës, befasohen edhe me mikpritjen e fiseve endacake që jetojnë nëpër tenda në formë kupole. Të gjitha këta faktorë bëhen shkak që alpinistët të cilët shkojnë në këtë bjeshkë, të përjetojnë çaste ndër më të bukurat.

Tags