Mars 09, 2018 09:42 CET

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Ejani me ne në Iran".

Në vazhdim të udhëtimit tonë në provincën Azerbajxhani Perëndimor që ndodhet në veriperëndim të Iranit, në këtë edicion do të shkojmë në qytetin Maku.

Qyteti Maku është një prej qyteteve kufitare të provincës Azerbajxhani Perëndimor. Ky qytet është rajon malor me bjeshkë të shumta. Banorët e pjesës qendrore të këtij rrethi, janë turqishtfolës, mirëpo banorët e zonave për rreth shumica janë kurdë. Shumica e popullatës së rrethit Maku, është myslimane dhe një pakicë armenase jeton në këtë rajon.

Qyteti Maku është qendër e rrethit Maku dhe me një lartësi 1634 metër mbi nivelin e detit, ka një pozitë të rëndësishme gjeografike dhe strategjike, kjo është edhe për arsye se ky qytet ndodhet në trekëndëshin kufitar mes Iranit, Turqisë dhe Republikës së Azerbajxhanit.

Qyteti Maku për shkak se ndodhet në kufirin e doganës së Bazarganit, është vendkalim i udhëtarëve të cilët synojnë të shkojnë në Turqi ose anasjelltas nëpërmjet kufirit tokësor. Prandaj, në këtë qytet për çdo ditë qarkullon një numër i madh njerëzish.

Qyteti Maku shtrihet në një luginë që nëpër atë kalon një lum me emrin Zangmar dhe e ndanë atë në dy pjesë. Shkëmbinjtë e mëdhenj që ndodhen mbi qytetin Maku, i kanë dhënë një pamje të veçantë këtij qyteti, në mënyrë që çdo vizitorë në shikimin e parë mbi këtë qytet, në mendjen e tij menjëherë kujton kalatë e forta të periudhës antike. Në shekullin e tetë hixhri kameri (shek. 14), gjeografi i njohur iranian Hamdullah Musteofi në librin e tij "Naz'hatul-Kulub", në lidhje me qytetin Maku ka shkruar: "Maku është një kala e ndërtuar në vendin e ndarjes së shkëmbinjve dhe nën atë kala ndodhet një fshatë dhe ajo bjeshkë deri në mesditë mbanë hijen e vet mbi atë fshat".  

Në qytetin Maku ekzistojnë monumente dhe objekte antike dhe historike të cilat tregojnë historinë dhe lashtësinë e këtij qyteti. Një prej këtyre monumenteve mund të përmendet "Dhoma nëndhese shkëmbore e Farhadit" e cila ndodhet 7 km në jug të qytetit Maku. Ky objekt shkëmbor i përket periudhës së mbretërisë Urartu, do të thotë rreth shekullit 9 para erës së re. Ky objekti antik në vitin 1968 është regjistruar në listën e trashëgimisë kombëtare të Iranit.   

Dhoma nëndhese shkëmbore e Farhadit në realitet përbëhet nga dy dhoma të ndërthurura të cilat janë gdhendur dhe ndërtuar në brendësi të bjeshkës dhe brenda një shkëmbi të madh dhe ngjitet me bjeshkën shkëmbore nëpërmjet shkallëve prej guri dhe në gjuhën lokale ky objekt quhet "Farhad Damu" që do të thotë "Shtëpia e Farhadit". Porta hyrëse e këtij objekti përafërsisht është 150x200 cm dhe dhomat kanë një sipërfaqe njëra rreth 12 m2 dhe tjetra 4m2 të cilat lidhen mes vete nëpërmjet një porte. Mbi muret e këtyre dhomave janë gdhendur harqe ndërsa mund të thuhet se ato përdoreshin edhe për vendosjen e pishtarëve për ndriçim. Nivelet e brendshme të këtij objekti janë gdhendur me një precizitet shumë të madh dhe janë shumë të rrafshët dhe të lëmuar.

Në një zonë 6 km larg qytetit Maku dhe në afërsi të fshatit Baghçe Xhuk, ndodhet një objekt madhështor dhe historik me emrin "Pallati Baghçe Xhuk". Ky objekt i përket pjesës së fundit të periudhës së dinastisë Ghaxhari (në fillim të shek. 20). Objekti ka një sipërfaqe 2500 m2 dhe ndodhet në mes të një kopshti shumë të bukur dhe me një sipërfaqe 11 hektarë që në përgjithësi konsiderohet një prej kryeveprave të mbetura nga fundi i periudhës së dinastisë Ghaxhari. Për shkak të karakteristikave të dalluara artistike dhe arkitekturiste, qeveria iraniane këtë kompleks rreth 40 vite më parë e ka blerë nga pronarët dhe pasi janë bërë disa meremetime të nevojshme, në vitin 1986, është hapur si muze për vizitorët dhe publikun në përgjithësi. Zbukurimet e kryera me gjips dhe figurat dhe skulpturat brenda dhe jashtë objektit të Pallatit të Baghçe Xhuk, janë shumë të bukura dhe interesante. Brenda në pallat ekzistojnë shtatë sallone dhe secili prej salloneve është zbukuruar dhe pajisur me ngjyrë të veçantë. Dhoma e pishinës së pallatit është zbukuruar me pasqyrë dhe dyshemeja e saj është shtruar me parcelon. Në këtë pallat është komponuar arkitektura dhe artet iraniane, ruse dhe evropiane.

Në një zonë 22 km në jug të qytetit Maku, në shpatin e bjeshkëve të larta dhe mbi një kodrinë skaj të cilës rrjedh një lum i vogël, ndodhet një kishë e vjetër me emrin "Tatavusi i Shenjtë" ose sipas gjuhës lokale "Kara Kelisa". Kjo kishë gëzon një respekt dhe shenjtëri të veçantë për komunitetin armenas. Rreth vitit 40 të erës së re, Tadeosi i shenjtë, një prej dishepujve të Hazretit Isa a.s., ka shkuar në këtë rajon për të predikuar fenë e krishtere dhe një grup i banorëve të këtij rajoni pranuar mësimet e tij. Mirëpo ai me veprimet e tij shkaktoi zemërimin e mbretit të Armenisë dhe për këtë arsye u vra Tadeosi dhe një grup i ndjekësve të tij. Për çdo vit në pjesën e dytë të muajit korrik, periudhë kjo që konsiderohet përvjetori i vrasjes së Tadeosit të shenjtë (Tatavus) dhe ndjekësve të fesë krishtere në këtë rajon, armenasit vijnë nga vende të ndryshme të botës për të vizituar varrin e tij në kishën "Kara Kelisa" dhe kryejnë rituale të veçante.

Data e ndërtimit të kësaj kishe, nuk dihet me saktësi. Mirëpo sipas disa studiuesve të historisë së kishës Tatavusi i shenjtë, thuhet se kjo kishë është ndërtuar në shekujt e parë të erës së re. Objekti i kishës Tatavusi i shenjtë përbëhet nga dy pjesë. Pjesa më e vjetër e cila është edhe më e vogël, ndodhet në pjesën lindore dhe është ndërtuar me gur të zi. Kisha më e madhe që është ndërtuar më vonë, ndodhet në pjesën perëndimore të objektit të vjetër dhe është zbukuruar me gur të bardhë. Kjo kishë ka kupolë në formë piramide dhe 12 kënde. Muret e brendshme të kishës janë shumë të thjeshta, mirëpo muret e jashtme të saj kanë shumë zbukurime dhe dekorime të ndryshme. Kjo kishë e vjetër për çdo vit vizitohet nga një numër i madh i turistëve iranianë dhe të huaj. Vlen të theksohet se kisha Tatavusi i shenjtë, konsiderohet trashëgimi i nëntë kulturore e Iranit e cila është regjistruar edhe në listën e UNESCO.

Ura e Pesë Burimeve të Maku gjithashtu është një vepër e çmuar historike në këtë rajon. Kjo urë ndodhet 3 km në lindje të qytetit Maku, e ndërtuar mbi lumin Zangmar. Ura e Pesë Burimeve është ndërtuar me gurë të gdhendur me ngjyrë të bardhë dhe të zezë, të cilët i kanë dhënë një bukuri të veçantë arkitekturës së kësaj ure. Kjo urë është ndërtuar për të lidhur pjesën e veriut me atë të jugut dhe për të shkurtuar rrugën e vizitorëve të kishës Tatavusi i shenjtë. Gjatësia e kësaj ure është 43 metër dhe gjerësia e saj është 3 m dhe lartësia e saj është 5.5 m. Kjo urë ka 4 harqe dhe me siguri në kohën e ndërtimit, ajo kishte pesë harqe.

Tags