Ejani me ne në Iran
Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Ejani me ne në Iran". Në vazhdim të prezantimit të provincës së bukur dhe historik të Esfahanit, në edicionin e sotëm do të prezantojmë Kashanin një prej qyteteve historike të provincës Esfahan.
Kashani është qyteti i oxhakëve të erës që në persishte quhen "Badgir" dhe i arkitekturës tradicionale dhe të bukur. Kashani është një qytet që në çdo qoshe të tij ekzistojnë pallate shumë të bukura të cilat kanë shtuar edhe më tepër bukurinë e tij, ndërsa monumentet historike në zonat rreth tij, e kanë shndërruar këtë qytet në një prej qendrave turistike të Iranit. Në pjesën e parë të edicionit të sotëm do të prezantojmë një prej monumenteve historike dhe fetare të Kashanit të quajtur "Xhamia dhe Shkolla e Agha Bozorg". Xhamia dhe Shkolla e Agha Bozorg është një prej xhamive më të bukura dhe një prej monumenteve më të mira të arkitekturës së Iranit Islamik që është ndërtuar me një plan dhe stil plotësisht të përputhur me klimën e rajoneve shkretinore të Iranit. Ky monument ashtu si objektet e tjera që ndodhen në rajonet e nxehta dhe të thata të Iranit, ka një dekorim natyral brenda oborrit. Në këtë mënyrë mungesa e pamjeve dhe hapësirave të gjelbëruara në natyrën e rajonit është kompensuar me krijimin e një hapësira të gjelbëruar dhe të kufizuar në oborrin qendror të xhamisë dhe shkollës duke krijuar kështu një pamje të këndshme dhe kushte të dëshiruara. Xhamia dhe Shkolla e Agha Bozorg i përket Mola Mahdi Naraghi i njohur me epitetin "Agha Bozorg". Ai ka qenë një dijetar i dalluar i shekullit 12 hixhri. Ky monument është ndërtuar me financimin e një bamirësi të quajtur Haxhi Muhamed Taghi Khanban gjatë viteve 1250-1260 hixhri kameri (shek.. 19) për tu shfrytëzuar për faljen e namazit dhe për zhvillimin e klasave mësimore. Plani shumë interesant i objektit, i ka dhënë karakteristika të dalluara kësaj xhamia të cilat janë të rralla në xhamitë e tjera. Xhamia është ndërtuar në dy kate të ndara, kati i poshtëm dhe kati i sipër dhe nga të dy katet mund të shihet një pamje shumë e bukur e oborrit të gjerë. Qysh në hyrje të xhamisë vërehet kupola e bukur dhe dy minaret e saj. Në katin e poshtëm ndodhen disa dhoma në katër anët e oborrit të cilat janë ndërtuar për nxënësit që mësojnë shkencat fetare. Lidhja nga kati i sipërm në katin e poshtëm është bërë nëpërmjet dy korridoreve me shkallë që nuk vërehen në shikim të parë pas hyrjes në oborr.
Kupola e madhe e Xhamisë Agha Bozorg e cila konsiderohet një prej kupolave e ndërtuar me tulla, është e bazuar mbi tetë shtylla dhe ka dy tavane që quhen "Du Pushe" (dy mbulesa). Kupola e artë e bartë peshën e tavanit dhe presionin e saj e transferon mbi mure. Një kupolë tjetër që ndodhet mbi atë, është ndërtuar për ta paraqitur të madhe pamjen sipërfaqësore të kupolës dhe për ta mbrojtur mbulesën e artë. Vrimat për depërtimin e dritës që janë ndërtuar me tulla mbi kupolën, ajetet e shkruara rreth e rrotull sipërfaqes së mureve, zbukurimet e bukura edhe të thjeshta me gjips në dhomat e xhamisë që përdoren për ceremonitë e mbrëmjes, si dhe bukuria mahnitëse e oborrit dhe të dhomave, tërheqin vëmendjen e shumë vizitorëve. Në pamjen e xhamisë dhe në arkitekturën e saj, simetria ka rol shumë të rëndësishëm. Asnjë hapësirë nuk është krijuar pa arsye dhe pa funksion. Dallimi relativisht i madh i temperaturës gjatë mbrëmjes dhe ditës në Kashan, ka detyruar arkitektin dhe artistin e zgjuar iranian që duke shfrytëzuar mjetet vendore të prodhimit, të gjejë rrugët dhe alternativat për t'iu përgjigjur problemeve të krijuara nga dallimi i temperaturës dhe lëvizjes së erërave. Pavarësisht se puna e tij në këto kushte është bërë shumë më e vështirë, mirëpo arti dhe kreativiteti i tij mahnit çdo dashamirës të artit. Xhamia e Agha Bozorg nga aspekti i planit është një prej xhamive që ka tre hapësira për ceremonitë e mbrëmjes dhe karakteristikë e rëndësishme në këtë hapësirë është imitimi i xhamisë dhe shkollës. E gjithë hapësira e mbrëmjes është ndërtuar me tulla, ndërsa zbukurimet e bëra, i kanë dhënë një atraktivitet shumë të veçantë këtij objekti.
Në pjesën e dytë të këtij edicioni do të prezantojmë kopshtin e bukur "Fin". Kompleksi kopshti Fin i Kashanit është i vjetër 1000 vjet dhe ndodhet 6 km në jugperëndim të qytetit Kashan. Ky kompleks ka një sipërfaqe 23700 m2 dhe është një prej kopshteve më të vjetra tradicionale dhe historike të Iranit. Ky kopsht i cili për shkak të burimit të tij gjallërues për shumë shekuj po vazhdon jetën e tij, në të kaluarën ka qenë pallat ose ndonjë shtëpi pushimi për mbretërit që me kalimin e kohës ka bërë shumë ndryshime dhe ka përjetuar shumë ngjarje të bukura dhe të hidhura. Burimi Fin i cili buron nga shkëmbinjtë e bjeshkës Dandane, është faktori kryesor për formimin dhe vazhdimin e jetës së këtij kopshti historik, si dhe ka luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e qytetit Kashan.
Aktualisht uji i burimit Fin derdhet në pishinën e quajtur "Burimi Sulejmanie" dhe duke kaluara nëpër pjesë të ndryshme të rrugëve të gjelbëruara të kopshti, ujit edhe kopshtet me fiq dhe shegë. Pastaj, pjesa e mbetur e ujit të burimit Fin shkon në fushat bujqësore rreth qytetit dhe përdoret për ujitjen e produkteve bujqësore. Sipas dëshmive, në çdo periudhë dhe në çdo kohë janë krijuar kopshte të bukura rreth burimit Fin dhe gjatë historisë për shkak të faktorëve natyrorë dhe ndryshimeve shoqërore, pallatet dhe objektet e kopshtit Fin janë shkatërruar dhe përsëri janë rindërtuar. Në disa raste këtij kompleksi i janë shtuar edhe objekte të tjera. Në përgjithësi në kohën e sundimit të mbretit Fet'hali të dinastisë Ghaxhare (1797-1834) u urdhërua meremetimi dhe rindërtimi i kompleksit të pallateve në kopshtin Fin dhe pikërisht në këtë periudhë është ndërtuar një hamam i madh me pllaka guri prej mermeri të pastër dhe është zbukuruar me pllaka qeramike me shtatë ngjyra dhe me ngjyrë të kaltër. Gjatë kësaj periudhe, kopshti Fin përsëri gjeti freskinë dhe bukurinë e humbur në të kaluarën dhe u njohë si vend turistikë në të gjithë Iranin. Pikturat e bukura, zbukurimet me pllaka gjipsi, mbishkrimet mbi pllaka gjipsi me shkrim nasta'lik dhe gurët prej mermeri, i kanë dhënë një bukur të veçantë ndërtesave dhe objekteve të kopshtit Fin. Përveç këtyre ndërtesave, muzeu në anën perëndimore të kopshtit dhe pishinat e mëdha dhe kanalet e shumta të ujit, janë objekte të tjera që i shtojnë bukurinë këtij kopshti. Pemët e vjetra dhe të larta që disa prej tyre janë 400 vjet të vjetra, gjithashtu i kanë dhënë një bukuri tjetër këtij kopshti duke e radhitur atë në mesin e kopshteve më të bukura historike të Iranit.
Vlen të theksohet se kopshti Fin na kujton edhe një prej ngjarjeve të hidhura të historisë së Iranit, do të thotë vrasjen e Amir Kabir. Mirza Taghi Khan Amir Kabir ka qenë një prej personaliteteve më të mëdha politike të Iranit në periudhën e sundimit të dinastisë Ghaxhare i cili kishte funksionin e kancelarit të mbretit Nasirudinshah të dinastisë Ghaxhare. Amir Kabir ishte një njeri me mendim të lirë, besimtar dhe dashamirës i shkencës dhe kulturës. Ai ishte iniciator i reformave dhe ideve progresiste në fushën e ekonomisë, arsimit, edukimit dhe kulturës në Iran. Ai theksonte ruajtjen e pavarësisë politike të Iranit dhe vendosjen e marrëdhënieve politike me vendet e tjera në bazë të miqësisë reciproke. Amir Kabir në luftën për të shpëtuar popullin, nuk kishte frikë nga asnjë pengesë. Në fillim të detyrës së Amir Kabir si kancelar, situata e brendshme e Iranit nga aspekti politik, ekonomik dhe administrativ ishte plotësisht kaotike. Ai për një kohë të shkurt arriti të përmirësojë shumë situatën brenda në Iran duke zgjidhur shumë probleme. Reformat më të rëndësishme të Amir Kabir ishin krijimi i një ushtrie të rregullt dhe të sistemuar dhe iniciativa për themelimin e shkollës "Darul-Funun për edukimin e ushtarakëve, inxhinierëve, mjekëve dhe për përkthimin e librave të dobishme dhe për publikimin e gazetës. Ai ka luftuar gjithashtu edhe kundër korrupsionit dhe për ndërprerjen e pagave të panevojshme të funksionarëve të pallatit mbretëror, ka sistemuar mbledhjen e tatimeve dhe ka zhvilluar tregtinë e brendshme dhe të jashtme të Iranit duke inkurajuar industritë vendore. Një prej veprimeve të rëndësishme të Amir Kabir gjatë kësaj periudhe ishte reduktimi i ndikimit të Rusisë dhe Anglisë në Iran dhe pengimi i ndërhyrjes së të huajve në çështjet e vendit. Qëndrimi pro pavarësisë i Amir Kabir dhe përpjekjet e tij për zhvillimin e Iranit, ngjalli zemërimin dhe armiqësinë e fuqive të huaja dhe të faktorëve të tyre brenda në Iran. Më në fund presionet e jashtme dhe të brendshme e detyruan mbretin e dinastisë Ghaxhare ta shkarkojë dhe internojë atë në Kashan dhe në fund ta mbysë. Amir Kabir më 18 rabiul-aval 1268 hixhri kameri që përkon me 1851, u vra në hamamin e kopshtit Fin dhe në këtë mënyrë përfundoi jeta e një prej figurave më të merituara të periudhës së sundimit të dinastisë Ghaxhare në Iran.