Ejani me ne në Iran
Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Ejani me ne në Iran". Në vazhdim të prezantimit të qytetit të bukur dhe historik Kashan, do të prezantojmë vendet historike të këtij qyteti.
Në edicionet e kaluara thamë se në këtë qytet ndodhen edhe disa shtëpi historike në lagjet e vjetra të Kashanit të cilat kanë shtuar bukurinë dhe atraktivitetin e këtij qyteti. Prandaj në pjesën e parë të edicionit të sotëm do të prezantojmë disa prej këtyre shtëpive historike. Në fillim do ta prezantojmë shtëpinë e "Abasianëve". Kompleksi historik "Abasian" ndodhet në një prej lagjeve të vjetra të qytetit Kashan e cila quhet Sulltan Amir Ahmed. Ky kompleks është ndërtuar gjatë viteve 1830-1835 nga një tregtar i këtij qyteti me emrin Sejed Ibrahim. Ky kompleks ka rëndësi të madhe nga aspekti i arkitekturës dhe i zbukurimeve. Sipërfaqja e këtij kompleksi është rreth 5000 m2 me një infrastrukturë rreth 7000 m2. Vlen të theksohet se objekti i këtij kompleksi është ndërtuar në pesë kate. Kompleksi historik Abasian ka pesë oborre që secili prej tyre përveç të faktorëve të përbashkët, kanë një arkitekturë të pashoq. Pas vdekjes së pronarit të parë, ky kompleks u nda në pesë objekte shtëpi të pavarura. Në vitin 1995, ky kompleks historik është blerë nga sektori për mbrojtjen e objekteve historike të qytetit Kashan. Ky kompleks në vitin 1998 u regjistrua në listën e trashëgimisë kombëtare të Iranit. Kompleksi Abasian nga aspekti i arkitekturës, ka një plan shumë të fortë dhe të pasur dhe nga aspekti i zbukurimeve me gjips dhe pikturave dhe përdorimit të zbukurimeve të arkitekturës islame, ndodhet në kulmin e bukurisë dhe estetikës deri në atë masë saqë ishte një prej nominimeve për të fituar çmimin e objekteve më të bukura banimi në Iranin-Islamik.
Stili kryesor i objektit është i njohur me emrin "Gudale Baghçe" (Moçali i kopshtit). Në këtë stil të arkitekturës, objekti është ndërtuar në një nivel më të ulët se rrugica dhe në terminologji quhet "Gud". Arsyet e ndërtimit të objektit në këtë formë lidhen me klimën e rajonit. Në të kaluarën, për shkak se njerëzit shfrytëzonin ujin e kanaleve nëntokësore dhe për shkak të sigurimit të shtypjes së ujit për të qarkulluar në pjesë të ndryshme të objektit, shtëpinë e ndërtonin në një nivel më të ulët se rrugica. Karakteristikë e dytë e arkitekturës "Gudale Baghçe" i përket shfrytëzimit të dheut si izolim përballë temperaturave të larta dhe të ulëta. Në këtë dallim të nivelit, atmosfera e shtëpisë gjatë verës qëndronte e freskët dhe gjatë dimrit qëndronte e ngrohtë. Dheu që nxirrej nga hapja e podrumit, gjithashtu shfrytëzohej për prodhimin e mjeteve për ndërtimin e objektit si qerpiçët dhe tullat. Karakteristikë tjetër e arkitekturës në ndërtimin e këtyre objekteve, mund të përmendet edhe respektimi i ngjashmërisë në vende të ndryshme të ndërtesës që i ka dhënë një bukuri të veçantë objektit. Ndërtimi i kompleksit duke marrë parasysh stinët e ndryshme, gjithashtu konsiderohet karakteristikë tjetër e këtij objekti. Objekti ka pjesën për banim gjatë verës dhe gjatë dimrit dhe në çdo stinë të vitit shfrytëzohen pjesë të ndryshme të objektit në përputhje me klimën e stinës përkatëse. Për shkak të arkitekturës, pamja e objektit është shumë e thjeshtë dhe përmbanë zbukurime më pak, ndërsa në të kundërtën brendësia e objektit ka zbukurime shumë të bukura.
Shtëpia historike "Boruxherdi" gjithashtu ndodhet në lagjen e vjetër Sulltan Amir Ahmed të qytetit Kashan dhe aktualisht është shndërruar në zyra të drejtorisë së trashëgimisë kulturore, artizanaleve dhe turizmit të Kashanit. Ky kompleks konsiderohet një model i shtëpive të banimit në periudhën e dinastisë Ghaxhare në Iran. Kompleksi është ndërtuar në vitin 1864 nga një tregtar i njohur i Kashanit me emrin Haxhi Sejed Hasan Nazari. Duke marrë parasysh faktin se ai kishte marrëdhënie tregtare me tregtarët nga Boruxherdi, sipas zakoneve të përhapura në atë kohë, u njoh me emrin Boruxherdi. Për këtë arsye edhe vendi ku banonte ai u njoh me emrin "Shtëpia e Boruxherdit". Shtëpia e Boruxherdit gjithashtu është ndërtuar në përputhshmëri me kushtet klimatike të rajonit shkretinor të Kashanit. Për këtë arsye në vapën e madhe të verës, nëpërmjet oxhakëve të erës që ndodhen mbi kulmin e shtëpisë, ajri i freskët qarkullon në mënyrë natyrore dhe të përhershme në katin nëntokësor ose në hapësirën e bodrumit. Kjo shtëpi gjithashtu ka dy pjesë, pjesën e jashtme dhe pjesën e brendshme.
Shtëpia e Boruxherdit konsiderohet pjesë e trashëgimisë së madhe artistike dhe kulturore të mbetur nga shekulli i 13-të hixhri dhe në vete përmbanë një koleksion shumë të rrallë të llojeve të arteve të bukura dhe zbukurimeve të periudhës së dinastisë Ghaxhare. Lidhja e oxhaqeve të erës me objektin, ngjashmëria e punimeve me gjips, vrimat në formë të draprit për depërtimin e dritës dhe sidomos pikturat e bukura të këtij objekti që kryesisht janë vepra të artistit të njohur iranian Kemalul-Molk dhe të artistëve të tjerë të njohur iranianë, e kanë bërë këtë shtëpi të duket si një kryevepër e artit të arkitekturës. Komplekse të tilla të shtëpive historike në Kashan mund të përmendën edhe Shtëpia e Ameri, Shtëpia e Tabatabai, Shtëpia e Ale Jasin dhe Shtëpia e Taxhit që secila prej tyre kanë karakteristika të veçanta sa i përket arkitekturës dhe zbukurimeve të brendshme.
Pjesën e dytë të edicionit do t'ia kushtojmë ceremonisë së prodhimit të sherbetit ose ujit të destiluar të luleve në rajonin Ghamsar që është një qytet në rrethinën e Kashanit. Ghamsari është një gur i çmuar në shkretëtirën e provincës së Esfahanit. Në muajin maj të çdo viti bëhet prodhimi i sherbetit dhe i ujit me aromë të luleve të ndryshme. Kopshtet me lule "Muhamedi" i japin një pamje shumë të bukur fushave dhe luginave buzë bjeshkëve rreth qytetit Ghamsar. Në stinën e prodhimit të sherbetit dhe ujit me aromë të luleve nëse do të bëjmë një vizitë në këtë rajon të Iranit, burrat dhe grat që mbledhin lule me shporta lulesh në dorë, dalin në pritje dhe hedhin lule për vizitorët duke shprehur dashurinë ndaj tyre. Në Ghamsar, nga cilado anë që të shikosh, do të shikosh pemë, gjelbërim dhe lule. Në këtë rajon për çdo vit prodhohen mbi 500 mijë ton lule të cilat për një periudhë të shkurtë vlohen në enë të posaçme nga mjeshtrit tradicional dhe shndërrohen në sherbet dhe ujë të destiluar me aromë të luleve dhe pastaj dërgohen në treg. Për çdo vit në stinën e pranverës, përgjatë 10 deri në 15 ditë bëhet mbledhja e luleve nga grat dhe burrat. Mbledhësit e luleve që nga agimi shkojnë në kopshte për të mbledhur lulet para lindjes së diellit, për arsye se vapa dhe drita e diellit zhdukin aromën e luleve. Mbledhësit e luleve shkëpusin lulet me kërcell, sepse kërcelli përmbanë një yndyrë dhe një aromë të veçantë e cila nuk gjendet as në fletat e luleve, prandaj mjeshtrit e këtij profesioni besojnë se ëmbëlsira e aromës së luleve ndodhet në këtë pjesë të tyre.
Në muajin maj gati në të gjitha shtëpitë e Ghamsarit zhvillohet ceremonia e prodhimit të sherbetit dhe të ujit me aromë të luleve sipas metodës tradicionale. Gjatë kësaj kohe portat e të gjitha shtëpive janë të hapura për vizitorët dhe punonjësit e këtij profesioni edhe gjatë punës iu përgjigjen pyetjeve të vizitorëve. Veglat e punës zgjedhën në mënyrë shumë të thjeshtë. Në një enë të madhe hedhin lulet dhe në sasi të peshës së luleve hedhin ujë në atë enë (kazan) të cilën pastaj e vendosin mbi zjarr. Pastaj avulli nëpërmjet gypave qarkullon në një fuçi tjetër të mbushur me ujë të ftohtë dhe avulli shndërrohet në ujë të destiluar me aromë të luleve i cili në gjuhën persiane quhet "Golab". Natyrisht se në disa vende prodhimi i kësaj lënde bëhet edhe në formën industriale. Prandaj operacioni i prodhimit të kësaj lënde kryhet më shpejtë dhe prodhohet sasi më e madhe e sherbetit ose ujit me aromë të luleve. Sidoqoftë kjo lëndë e prodhuar hidhet në enë të veçanta prej qelqi ose plastike dhe pastaj bëhet paketimi i saj dhe dërgohet në treg. Një sasi e këtij prodhimi eksportohet jashtë Iranit sidomos në vendet e rajonit të Gjirit Persik. Industritë e zhvilluara për prodhimin e parfumerisë në botë dhe sidomos në vendet evropiane të cilat posedojnë teknologji të zhvilluar për shndërrimin e ujit me aromë të luleve të cilësisë së klasës së parë në parfum, janë të interesuarit kryesor për përdorimin e esencës së lules Muhamedi në prodhimet e tyre të parfumerisë. Në mesin e llojeve të ndryshme të parfumerisë në botë, cilësia dhe rëndësia e parfumit dhe ujit të destiluar me armë të luleve është aq e lartë saqë për çdo vit shfrytëzohet uji i destiluar me aromën e luleve që prodhohet në Ghamsar për të pastruar dhe parfumuar Qaben, vendin më të shenjtë në botë. Bukuria dhe atraktiviteti i qytetit Ghamsar në stinën e çeljes së luleve dhe ceremonia tradicionale për prodhimin e ujit të destiluar me aromën e luleve, është aq e madhe saqë një numër i madh i turistëve nga brenda dhe jashtë Iranit shkojnë për të vizituar këtë rajon ku marrin pjesë edhe në festivalin ndërkombëtar të luleve dhe të parfumit tradicional dhe kënaqen me bukurit natyrore të këtij qyteti.