Shtator 30, 2016 10:18 CET

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Ejani me ne në Iran". Në vazhdim të prezantimit të provincës së bukur dhe historik të Esfahanit, në edicionin e sotëm do të vazhdojmë me prezantimin e vendeve historike dhe turistike të Kashanit një prej qyteteve historike të provincës Esfahan.

Në pjesën e parë të këtij edicioni do të prezantojmë kompleksin historik Sialk të Kashanit për tu njohur me këtë pjesë të historisë së Iranit. Sialk është emri i civilizimit të parë të jetës urbane në Iranin qendror në Kashan. Kompleksi historik me monumentet e këtij civilizimi ndodhet 3 km në jugperëndim të qytetit Kashan. Kjo zonë antike e civilizimit Sialk është e vjetër rreth 7000 vjet dhe përbëhet nga dy kodra veriore dhe jugore të cilat ndodhen në një distancë 600 metra nga njëra-tjetra. Kjo zonë historike është regjistruar në listën e monumenteve historike dhe kombëtare të Iranit. Zona antike e civilizimit Sialk llogaritet një prej zonave më të pasura dhe më të njohura antike në botë. Kjo zonë antike nuk ishte njohur deri në vitin 1931. Një grup i arkeologëve francezë i kryesuar nga profesor Rumen Girshmen gjatë viteve 1932-1934 ka kryer hulumtime në zonën antike Sialk të Kashanit dhe ka gjetur objekteve të enëve prej dheu dhe sendeve prej metali duke arritur kështu në rezultate mahnitëse. Sipas hulumtimeve të këtij grupi të arkeologëve francezë, zona Sialk në Kashan është vendi i parë në të cilin janë vendosur themelet e një civilizimi njerëzor dhe vendbanimi i parë urban i njeriut dhe vendi i parë ku njeriu duke shfrytëzuar mjetet ndërtimore (qerpiçin dhe baltën) ka filluar të ndërtojë shtëpi për banim. Një pjesë e objekteve historike që janë gjetur në rajonin Sialk ndodhen në muzeun Lover të Francës, në muzeun kombëtar të Iranit dhe në muzeun "Baghe Fin të Kashanit, si dhe në një muze që ndodhet në afërsi të këtij kompleksi antik.

Gjatë projektit për rishikim në zonën antike Sialk, arkeologët në këtë kompleks antik arritën të zbulojnë Ziguratin më të vjetër në botë që i përket një periudhe 2800 vjet para erës së re me mbi një milion tulla. Arkeologët përveç zbulimit të Ziguratit, gjatë këtyre gërmimeve kanë zbuluar edhe një sektor industrial me disa furra për shkrirjen e metaleve që i përkasin mijëvjeçarit të tretë para erës së re. Këto furra për shkrirjen e metaleve të sektorit industrial dhe objektet e tjera të arkitekturës së epokës së hekurit janë vendosur në planprogram për meremetim. Siç duket ky vendbanim ndodhej në brigjet e detit Tatis (një det i madh që përfshinte të gjithë rrafshnaltat qendrore të Iranit dhe Afganistanin) dhe ndoshta me rënien graduale të nivelit të ujit dhe me shfaqjen e tokës pjellore, njerëzit të cilët me siguri banonin në rajonet larta, janë dyndur drejt rajonit Sialk. Në vështrim të parë, vërehet vetëm një kodrinë e dheut dhe një mur me qerpiç nën këtë kodër. Mirëpo nëse bëhet një vështrim më i thellë dhe duke marrë parasysh historinë e lashtë të rajonit Sialk, atëherë kjo zonë do të jetë një portë për të hyrë në një botë tjetër dhe një parajsë për arkeologët. Sialk është i vetmi vend historik në rrafshnaltat e Iranit në të cilin janë zbuluar dokumente të shkruara në një periudhë para Akamenidëve.

Në pjesën e dytë të këtij edicioni do të prezantojmë fshatin Mashhade Ardehal. Ky është një fshat që njihet me organizimin e ceremonisë tradicionale-fetare "Ghali Shujan". Vlen të theksohet se ceremonia "Ghali Shujan" është regjistruar në listën e trashëgimisë shpirtërore të Iranit. Fshati Mashhade Ardehal që sipas banorëve të tij, ky fshat njihet edhe me emrin Mashhade Ghali, është pjesë e qytezës Nejasar të Kashanit dhe ndodhet 42 km në veriperëndim të Kashanit në provincën Esfahan. Niveli i lartësisë mbidetare të këtij fshati është 1825 m dhe ka një klimë mesatare dhe relativisht të ftohtë. Sipas llogaritjes së vitit 2006, ky fshat ka rreth 2000 banorë. Shtrirja e fshatit Mashhade Ardehal në një ultësirë dhe në fqinjësi me shkretëtirën, ka ushtruar ndikim mbi formën e arkitekturës së tij. Përdorimi i baltës dhe i qerpiçëve të papjekur, trashësia e madhe e mureve, krijimi i oborrit qendror, kopshtit, pishina, ballkoni, vrimat e vogla dhe ndërtimi i shtëpive me fytyrë drejt jugut, janë prej karakteristikave të arkitekturës shkretinore që është respektuar në arkitekturën e shtëpive. Materiali ndërtimor i shfrytëzuar në ndërtimin e shtëpive të fshatit Mashhade Ardehal përbëhet nga druri, qerpiçi, guri dhe tulla. Natyrisht se në ndërtimin e shtëpive të reja, shfrytëzohet edhe materiale ndërtimor modern. Shumica e banorëve të fshatit Mashhade Ardehal punojnë në bujqësi dhe kopshte. Natyrisht se disa prej banorëve të këtij fshati prodhojnë edhe artizanale të ndryshme. Produktet më të rëndësishme bujqësore të këtij fshati janë gruri, elbi, drithërat, arrat dhe kikiriku. Tapeti i punuar me dorë është produkti më i rëndësishëm i artizanaleve në këtë rajon që kryesisht prodhohet nga grat dhe vajzat. Tapetet e punuar me dorë në Mashhade Ardehal janë nën ndikim të planit të tapeteve të prodhuara në Kashan. Disa banorë të këtij fshati gjithashtu janë të punësuar në shërbime të ndryshme, sepse ky rajon për shkak se ka vende turistike natyrore, historike dhe fetare, për çdo vit pret një numër të madh të turistëve nga rajone të ndryshme të Iranit. Vendet turistike të Mashhade Ardehal nga disa aspekte janë të rëndësishme. Shtrirja e këtij fshati në afërsi të shkretëtirës dhe pamja e pafund e rërës shkretinore dhe qielli me plotë yje, përskaj kopshteve dhe fushave të gjelbëruara të fshatit Mashhade Ardehal, i kanë dhënë një pamje të veçantë këtij fshati. Prandaj, këto karakteristika për çdo vit tërheqin një numër të madh të turistëve në këtë rajon. Në këtë fshat ndodhet edhe varri i Sulltan Ali bin Muhamed Bagher (a.s.), një prej nipave të Profetit s.a.v.s. dhe mauzoleu i ndërtuar në këtë vend konsiderohet një prej monumenteve të njohura historike të periudhës së sundimit të dinastisë Selxhukiane. Ky kompleks është ndërtuar me urdhrin e Maxhdudin Ubejdullah Kashani, ndërsa në periudhat e dinastisë Safavite dhe Ghaxhare janë bërë disa meremetime dhe janë ndërtuar edhe disa objekte të tjera në këtë kompleks. Tre kala të rëndësishme me funksion të mbrojtës janë vende të tjera historike turistike dhe tregojnë të kaluarën e zhvilluar të këtij rajoni. Përveç kësaj, në këtë rajon ndodhet edhe varri i Sohrab Sepehri, poeti i njohur bashkëkohor iranian.

Ajo që ka ndikuar më së shumti në famën e fshatit Mashhade Ardehal është një ceremoni e veçantë fetare e cila zhvillohet në këtë fshat. Për çdo vit në të premten e dytë të muajit mehr të kalendarit iranian (në fillim të tetorit), organizohet një ceremoni e quajtur "Ghali Shujan" në Mashhade Ardehal dhe zhvillohet në mauzoleun e Sulltan Ali bin Muhamed Bagher. Imamzade Sulltan Ali ka një kupolë dhe një xhami me një pamje të bukur të zbukuruar me pllaka floriri dhe tufe  lulesh të kaltra. Në burimet historike është transmetuar se Imamzade Muhamed Bagher (a.s.), një prej nipave të Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s., në fillim të shekullit të tytë hixhri kameri, me ftesë të banorëve të rajonit Fin dhe Kashan, ka dërguar të birin e tij Aliun për të predikuar fenë islame dhe për të udhëzuar banorët e këtij rajoni. Sulltan Ali tre vjet në këtë rajon ka udhëzuar njerëzit derisa një guvernator i dinastisë Emevite që sundonte në qytetin Kum, informohet për praninë e tij në këtë rajon dhe për simpatinë që kishte fituar ai në mesin e banorëve. Guvernatori emevit i qytetit Kum në vitin 106 hixhri kameri, dërgoi ushtarët e tij për ta vrarë Sulltan Ali në këtë rajon dhe vrau atë dhe shokët e tij në fshatin Mashhade Ardehal. Banorët e rajonit Fin pasi dëgjuan këtë ngjarje, u nisen drejt fshatit Mashahde Ardehal për t'i ndihmuar atij, mirëpo kur arritën atje, Sulltan Ali ishte vrarë nga ushtria e guvernatorit emevit. Banorët e këtij rajoni e mbështollën atë në një tapet dhe e pastruan atë në një lumë që ndodhej afër dhe pastaj e varrosin. Që nga ajo kohë e deri më tani në të premten e dytë të muajit mehr të kalendarit iranian do të thotë në fillim të tetorit, organizohet një ceremoni fetare-tradicionale me pjesëmarrjen e mijëra njerëzve nga banorët e rajonit Fin dhe Kashan. Kjo ceremoni quhet "Ghali Shujan" që do të thotë "Larësit e Tapetit". Në ditën e ceremonisë "Ghali Shujan" një numër i madh e njerëzve nga rajone të ndryshme mblidhen në fshatin "Mashahde Ardehal" për të shikuar nga afër ceremoninë e pastrimit të imamzades. Kjo ceremoni organizohet gjithashtu edhe nga banorët e fshatit Fin dhe të disa fshatrave të tjera. Në këtë ceremoni e cila në mënyrë simbolike pasqyron një ngjarje historike, një tapet nga xhamia e imamzades mbështillet në formë gypi dhe vendoset mbi supe të një grupi të të rinjve të cilët e çojnë tapetin deri tek një burim i ujit që ndodhet disa qindra metra në lindje të varrit të imamzades. Pas këtij grupi, një grup tjetër i të rinjve që secili prej tyre mbanë në dorë një shkop të gjatë nisen drejt burimit dhe duke lëvizur shkopin lartë zhvillojnë, betejë simbolike me vrasësit e imamzades. Tapeti i mbështjell në formë gypi vendoset në tokë pranë burimit dhe njerëzit hedhin ujë të burimit mbi tapet që simbolizon pastrimin e trupit të pajetë të imamzades. Pastaj, tapetin në atë formë të lagur e çojnë përsëri në xhaminë e imamzades. Ngjarja e martirizimit të imamzade Sulltan Ali ka ndodhur në vitin 106 hixhri kameri. Në realitet banorët e këtij rajoni duke shfrytëzuar elementët e epopesë së martirizimit të Imam Huseinit (a.s.) në Qerbela në vitin 61 hixhri kameri, paraqesin një transmetim epik rreth martirizimit të imamzades Sulltan bin Ali në fshatin Mashahde Ardehal. Banorët e këtij rajoni këtë ceremoni e organizojnë për çdo vit me rastin e përvjetorit të martirizimit të Imamzade Sulltan bin Ali.

Tags