Tetor 01, 2016 09:31 CET

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Ejani me ne në Iran". Në vazhdim të prezantimit të provincës së bukur dhe historike të Esfahanit, në edicionin e sotëm do të vazhdojmë me prezantimin e qytetit Natanz të kësaj province.

Në fqinjësi të dy qyteteve historike Esfahan dhe Kashan, ndodhet qyteti i vjetër dhe i bukur Natanz. Ky qytet me natyrën e tij të bukur dhe me dhjetëra vende turistike fetare, për çdo vit pret një numër të konsiderueshëm të turistëve. Natanzi edhe pse ndodhet në fqinjësi me shkretëtirën, mirëpo ka një klimë të butë. Pjesët perëndimore dhe jugore të Natanzit që ndodhen në luginat e bjeshkëve Karkas, kanë një gjelbërim të veçantë. Ky gjelbërim që është krijuar si pasojë e fushave të mira, burimeve të ujit dhe pemëve të larta, i ka dhënë një butësi shumë të mirë rajonit. Në këtë rajon kultivohen lloje të ndryshme të frutave të pemëve dhe të tokës, si dhe drithëra të ndryshëm, ndërsa frutat më të njohura janë dardhat dhe shegat e njohura të Natanzit. Monumentet historike në qytetin Natanz tregojnë se ky qytet ka një historik që daton që nga mijëvjeçari i katërt para erës së re. Natanzi për shkak të pozitës klimatike dhe gjeografike, në të kaluarën ka qenë vendkalim i karvanëve tregtare nga jugu në qendër të Iranit dhe gjithashtu kishte një rëndësi të tregut ushtarak. Sidomos në periudhën e sundimit të dinastisë së Sasanite ky rajon kishte një rëndësi shumë të madhe. Kalaja e ndërtuar me gur e njohur me emrin kalaja "Robat Sang" thuhet se i përket periudhës së dinastisë së Parthëve, ndërsa monumentet e tjera historike të mbetura në këtë rajon tregojnë saktësisht historinë e vjetër të këtij qyteti. Natanz në periudhën e dinastisë Safavite arriti kulmin e zhvillimit të tij. Dy pallatet Abas Abad dhe Taxh Abad në veri dhe në jug të Natanzit dhe "Kupola e Skifterit" mbi majën e një prej bjeshkëve Karkas, janë shembuj të monumenteve të mbetura nga kjo periudhë. Ky qytet ka shumë vende për tu vizituar të cilat do t'i prezantojmë në vazhdim të edicionit.

Në mesin e shumë kopshteve të gjelbëruara në qendër të qytetit Natanz, ndodhet një minare e lartë dhe një kupolë në formë piramide që tërheqin vëmendjen e shumë turistëve që vizitojnë këtë vend. Minarja dhe kupola janë pjesë e kompleksit mahnitës të xhamisë së Xhumasë dhe të varrit të Shejkh Nurudin Abdusamed, gnostikut të njohur të shekullit të tetë hixhri kameri. Tyrbja e Shejkh Nurudin Abdusamed është një monument i bukur me komponimin e veçantë të pllakave të kaltra dhe tullave të kuqe dhe është ndërtuar në vitin 707 hixhri kameri. Xhamia e Xhumasë e cila ndodhet saktësisht skaj varrit të Shejkh Nurudin Abdusamed, është ndërtuar në vitin 704 hixhri kameri. Në mesin e oborrit të vogël ndodhet një pishinë (ose fontanë) dhe rreth e rrotull janë ndërtuar dhoma dhe ambiente për qëndrim në mbrëmje në dy kate. Nga oborri i xhamisë së Xhumas mund të vërehet një kupolë e thjeshtë e ndërtuar me tulla e cila është ndërtuar në periudhën e dinastisë Dejlemi.

Vend tjetër turistik i njohur në Natanz janë edhe varret e Agha Ali Abas (a.s.) dhe Shahzade Muhamed (a.s.), të dy nipat e Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s.. Ky vend i shenjtë ndodhet në rajonin "Bad Rud" afër Natanizit dhe shkëlqen si një margaritar në mesin e pyjeve të dendura të shkretëtirës. Tyrbet e këtyre varreve kanë një oborr me gjerësi mbi 30 mijë m2, ndërsa objektet e tjera që ndodhen rreth tyre kanë një sipërfaqe rreth 3000 m2. Ballkoni rreth tyre duket si një muze i arteve tradicionale të zbukurimit. Kjo është për arsye se zbukurimet brenda në mauzole dhe në tavan janë një komponim i punimeve me gjips dhe pasqyrë, ndërsa ballkonet janë të mbuluara me pllaka shumë atraktive që i përkasin periudhave të ndryshme islame. Përveç monumenteve historike dhe pamjeve natyrore shumë të bukura, sidomos në rajonet malore si luginat rreth bjeshkës Karkas, në Natans ka edhe burime të ujit mineral, shpella natyrore, kopshte të luleve "Muhamedi", punishte të enëve prej parceloni, të qeramikës tradicionale dhe punishte të drurit. Në këto punishte prodhohet produkte dekorimi nga druri në formë dhe stil shumë të bukur. Në përgjithësi në Natanz ka shumë vende të bukura dhe tërheqëse për turistët.  

Një pjesën e dytë të këtij edicioni do ta prezantojmë fshatin historik Abiane. Ky është një fshat i cili për shkak të ruajtjes së traditave dhe stilit të arkitekturës së vjetër të tij, gjithmonë është i frekuentuar nga shumë turistë iranianë dhe të huaj. Fshati Abiane ka një lartësi mbidetare 2500 m dhe ndodhet 40 km larg Natanzit në shpat mjaftë të pjerrët. Fshati i bukur dhe atraktiv Abiane shtrihet në veriperëndim të bjeshkës Karkas të vargmaleve Zagros. Lumi Barzerud i cili kalon nga mesi i luginave të bjeshkës Karkas, është burimi kryesor për sigurimin e ujit për të cilin kanë nevojë banorët e këtij rajoni i cili shfrytëzohet edhe për ujitjen e kopshteve dhe fushave bujqësore të Abianes. Fshati Abiane me natyrë shumë mahnitëse, përmbanë edhe një thesar shumë të çmuar historik, prandaj gjurmimet në këtë rajon tregojnë më së miri kulturën e pasur të Iranit. Banorët e fshatit Abiane për shkak se ky rajon është një rajon malor dhe vendi i jetës së tyre është larg nga qendra me popullsi më të madhe dhe larg nga rrugët ndërlidhëse, për shumë shekuj kanë jetuar në formë të izoluar. Si rezultat i këtyre rrethanave, banorët e këtij rajoni kanë arritur të ruajnë shumë tradita dhe zakone të vjetra të tyre si dialektin e gjuhës, veshjen dhe rrobat tradicionale të tyre nga e kaluara deri më tani. Disa hulumtues besojnë se gjuha e banorëve të fshatit Abiane ka rrënjë në gjuhën avestai dhe në përgjithësi është një kombinim i fjalëve të gjuhës pahlavi, parthiane dhe akamenide. Banorët e këtij fshati e flasin gjuhën e vjetër persiane, pahlavi-parthiane. Rrobat e tyre gjithashtu janë sikur të fiseve endacake Bakhtiari që thuhet se i përkasin periudhës së dinastisë Sasanite. Burrat e Abianes veshin këmisha të zakonshme dhe pantallona të zezë, të gjatë dhe shumë të gjerë. Femrat vendosin mbi kokë shami të zbukuruar me lule, këmishë me lule dhe fustane me rrudha. Grat e fshatit Abiane përveç në punët bujqësore dhe blegtori, marrin pjesë bashkë me burrat edhe në prodhimin e artizanaleve tradicionale si në punimin e tapetit, punimin e llojeve të ndryshme të këpucëve dhe papuçeve, si dhe në prodhimin e sendeve të argjendta për zbukurim dhe në qëndisjen e sendeve me fara të espandit. Vlen të theksohet se këto zbukurime janë dhuratat më të preferuara nga fshati Abiane.  Një prej traditave të veçanta të banorëve të fshatit Abiane mund të përmendet edhe zimbajtja në muajin Muharrem e cila është e ngjashme me rajonet e tjera në Iranin qendror. Banorët e fshatit Abiane ceremoninë e zimbajtjes me rastin e përvjetorit të tragjedisë së Qerbelasë e zhvillojnë me një dashuri dhe respekt të veçantë ku kujtojnë martirizimin e Imam Huseinit (a.s.) në rrugën e luftës kundër padrejtësisë.

Arkitektura autoktone dhe e vjetër e fshatit Abiane e cila është plotë me bukuri e ka bërë këtë fshat një prej fshatrave më atraktivë dhe më turistikë në botë. Objektet historike në fshatin Abiane janë faltorja e Zoroastrianismit që i përket periudhës së dinastisë së Sasanite, faltorja e Anahitas, kalatë, xhamitë, varrezat, shtëpitë e periudhës së dinastisë Safavite dhe rezervarët e ujit. Datat historike të shkruara mbi portat e vjetra, forma e objekteve historike dhe dëshmitë e tjera, tregojnë se Abiane ka një histori shumë të lashtë. Me studimin historik mbi objektet historike në këtë rajon, vërejmë tre lloj të objekteve historike që janë ndërtuar në periudhat e dinastive Selxhukiane, Safavite dhe Ghaxhare. Shtëpitë e rajonit Abiane të ndërtuar me dheun e kuq dhe me ngjyrë bakri, janë të larta deri në katër kate. Dheu i kuq nxjerrët nga një minierë jashtë fshatit Abiane dhe thuhet se ky dhe ka një karakteristikë të veçantë që sa më shumë të bjerë shi, aq më i fortë bëhet muri i ndërtuar me baltën e këtij dheu. Shtrirja e fshatit Abiane në një shpat me pjerrësi të madhe, është bërë shkak që kulmi i shtëpive të ndërtuar në pozitë më të ulët, të përbënë oborrin e shtëpive të ndërtuara në pozitë më të lartë. Në këtë mënyrë shtëpitë e fshatit janë ndërtuar në formën e shkallëve. Xhamia kryesore e Abianes konsiderohet një prej objekteve më të rëndësishme të këtij fshati. Kjo xhami është rindërtuar në periudha të ndryshme historike. Mihrabi i madh i kësaj xhamie i cili është ndërtuar nga druri i arrës me ngjyrë kafe mbi të cilin janë gdhendur forma të ndryshme, përmbanë edhe mbi shkrime kur'anore të dalluara. Sipas mbishkrimit, ky mihrab është ndërtuar në vitin 477 hixhri kameri. Xhamia Porzale që i përket periudhës së dinastisë Ilkhanite dhe xhamia "Haxhatgah" e cila i përket periudhës së dinastisë Safavite, konsiderohen monumente të tjera historike me vlerë në këtë rajon. Është interesant se në mbulimin e tavaneve të këtyre xhamive janë përdorur piktura dhe forma interesante të zbukurimit dhe një lloj mbulese prej druri. Faltorja Zoroastrianismit "Harpak" gjithashtu konsiderohet prej objekteve historike të periudhës së dinastisë Sasanite dhe ndodhet në qendër të fshatit Abiane. Në përgjithësi fshati Abiane me momentet historike, me shtëpitë e bukura ngjyrë të kuqe dhe me jetën tradicionale të banorëve, duket si një muze antropologjik i rrallë. Një muze në të cilin ende jeta vazhdon.

Tags