Tetor 23, 2016 11:07 CET

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Tregimet dhe legjendat iraniane". Së pari po vazhdojmë me prezantimin e letërsisë popullore persiane dhe pastaj do të kalojmë në botën e tregimeve iraniane.

Tregimet dhe legjendat janë format më të njohura dhe më të rëndësishme të letërsisë gojore. Studiuesit besojnë se letërsia gojore është një bazë e rëndësishme kulturore e një vendi dhe pasuron kulturën e atij vendi. Irani përgjatë shekujve, ka qenë korridor kalimi për shumë popuj dhe posedon letërsi shumë të pasur gojore. Letërsia popullore e Iranit që për fat të mirë një pjesë e saj është shkruar, përfshinë lloje të ndryshme të letërsisë gojore si përrallat, proverbat, fabulat, këngët popullore, recitimet e këngëve kreshnike, elegjitë dhe tregimet epike dhe heroike.

Përralla që në gjuhën persiane quhet "Matal", është një tregim me tematika të bukura dhe argëtuese që nganjëherë në formë të poezisë dhe nganjëherë në formë proze të rimuar, lexohet për fëmijë dhe për moshat adoleshente. Personazhet e përrallave në të shumtën e rasteve janë kafshët, simbolet e natyrës dhe në disa raste njerëzit. Përrallat përveçse i argëtojnë fëmijët dhe adoleshentët, përmbajnë edhe tematika edukative dhe shoqërore. Fëmija duke dëgjuar përrallat, krijon marrëdhënie më të mira me natyrën që e rrethon dhe qysh në fillim njihet më shumë me tokën mëmë, me traditat dhe zakonet e saj.

Në librin "Historia e letërsisë për fëmijë në Iran" në përkufizimin e përrallave dhe këngëve për fëmijë thuhet: "Një prej formave të përhapura dhe shumë të vlefshme të letërsisë për fëmijë janë përrallat dhe këngët-përralla që lidhin me mes vete poezinë dhe transmetimin. Një pjesë e poezive për fëmijë që vërejmë sot, në realitet është vazhdim logjik dhe historik i këtyre përrallave-këngë të shoqëruara me ritëm. Në përgjithësi, një prej metodave të njohjes së përrallave dhe legjendave, është roli i dalluar i elementeve të lojës në strukturën e përrallave. Përzierja e letërsisë me lojën është një prej karakteristikave të përrallave. Përzierja e letërsisë me lojën në përralla dhe gjithashtu struktura e shkurt dhe e rimuar e saj, tregon se përrallat i përkasin grupit të moshave të vogla dhe në fazën tjetër fëmijët njihehen me legjendat".

Një karakteristikë tjetër themelore e përrallave-këngë, është krijimi i një atmosfere dramatike e cila u lejon fëmijëve që të vendosen në një veprim reciprok me pjesët e këngës. Fëmija duke u vendosur në atmosferën e saj, edhe vet bëhet pjesë e botës së përrallës. Temën do ta vazhdojmë në edicionin e ardhshëm, ndërsa tani do ta vazhdojmë tregimin e edicionit të kaluar në të cilin janë përdorur veprimet e jashtëzakonshme ose jo të natyrshme dhe kafshët mirënjohëse që janë karakteristikë e letërsisë popullore.

Thamë se dhelpra e cila vidhte miellin e mullixhiut, më në fund ra në kurth. Dhelpra e cila e pa vetën në rrezik, kërkoi nga mullixhiu që ta lirojë atë dhe ajo do ta kompensojë dëmin e shkaktuar duke i bërë një të mirë mullixhiut. Dhelpra e bëri një plan dhe me pretekst për të kërkuar dorën e vajzës së mbretit, mullixhiun të cilin e kishte emëruar me emrin Tuzli Bejg, si një tregtar e dërgoi drejt pallatit të mbretit. Dhelpra gjatë rrugës, sipas planit të përgatitur më parë, e kishte hedhur në ujë mullixhiun dhe plaçkat e tij të vjetra në mënyrë që para mbretit të pretendon se kishin me vete dhurata të çmuara dhe bakshishe për mbretin, mirëpo të gjitha ato i ka marrë uji. Mbreti kur e dëgjoi ngjarjen nga dhelpra, urdhëroi që t'i japin një palë rroba të tij dhelprës në mënyrë që të shkojë dhe ta sjellë zotërinë e saj. Dhelpra shkoi pranë mullixhiut, ia veshi rrobat dhe i tha atij: "O Tuzli Bejg, kur të hysh në oborrin mbretëror, e përshëndet mbretin me zë të lartë dhe ulesh afër mbretit. Nuk duhet të shikosh në asnjë anë sepse të tjerët mendojnë se nuk ke parë kurrë oborr mbretëror." Shkurtimisht dhelpra dhe mullixhiu i cili tani ishte bërë Tuzli Bejg dhe kishte veshur rrobat e mbretit, u nisen drejt pallatit mbretëror. Por dëgjojeni se si u zhvillua ngjarja:

Tuzli Bejg dhe prapa tij dhelpra, arritën në pallatin e mbretit. Kur hyrën brenda, dhelpra e përshëndeti mbretin, por Tuzli Bejg kishte harrua këshillën e dhelprës dhe u ndal në mes të pallatit. Tani porosia "mos shiko" u shndërrua në "shiko". Andej e këndej. Tavanin dhe muret e fronit mbretëror. Mbreti iu drejtua dhelprës duke thënë: "Siç po duket, ky zotëria jote nuk paska par më parë gjëra të tilla. Me kujdes po shikon çdo gjë. Ashtu siç po duket, ky nuk paska par oborr e pallat mbretëror deri më tani?" Dhelpra tha: "Qoftë me shëndet mbreti i botës! Keni nderin lartmadhëri. Ju nuk po e kuptoni gjuhën e zotëriut tim". Mbreti pyeti: "Pse çfarë po thotë?" Dhelpra u përgjigj: "Asgjë. Zotëria im po shikon andej e këndej dhe po thotë mjerë për mua. Shiko se në çfarë gjendje jam! Me gjithë atë pasuri që kisha, tani u detyrova të veshi rrobat e leckosura të mbretit". Mbreti u zemërua. Mirëpo nuk e tregoi zemërimin e tij. Urdhëroi që të qepin një palë rroba në masë të Tuzli Bejgut dhe caktoi një vend dhe pozitë në pallatin mbretëror për atë. Kaluan disa ditë. Dhelpra shkoi pranë mbretit dhe tha: "Mbreti i botës qoftë me shëndet! Ne nuk kemi ardhur këtu që të hamë e pimë e të flemë. Pasuria dhe karvani i tregtisë së zotëriut tim ka mbetur në shkretëtirë. Duhet të shkojmë dhe të shikojmë se çfarë të bëjmë. Ne kemi ardhur këtu për të kërkuar dorën e vajzës tuaj. Tani nëse do të na japësh na trego dhe nëse nuk do të na japësh, përsëri na trego!". Mbreti nuk tha asgjë, por filloi të mendoj. Dhelpra tha: "Heshtja, tregon pëlqimin. Shpresoi të trashëgohen!" Shkurtimisht vajzën e mbretit e martuan me kurorë me Tuzli Bejgun. Dyzetë shërbëtorë dhe dyzetë robëresha dhe dyzetë mushka dhe dyzetë kuaj me plotë sende i dhanë dhuratë vajzës së mbretit dhe pastaj u nisën në rrugë. Mullixhiu i cili ishte i brengosur nga kjo çfarë ndodhi, i tha dhelprës: "T'u shkatërroftë shtëpia oj dhelpër. Unë ku do ta dërgojë këtë karvan? A është mulliri im i vjetër vend për këto gjëra?!" Dhelpra tha: "Unë po shkoj të lajmëroi në shtëpi që të përgatisin dhomat". Dhelpra gjithashtu i tha zotëriut të saj: "Këtë karvan e sjell në filan vend mbi filan bjeshkën". Dhelpra shkoi pranë shtatë elefantëve të cilët jetonin mbi një bjeshkë në pallatin e tyre të bukur. Dhelpra arriti aty dhe i përshëndeti elefantët pastaj u tha: "A po e shikoni këtë pluhur?" Elefantët u përgjigjën: "Po, po e shikojmë". Dhelpra tha: "Vajza e mbretit është çmendur dhe mjeku i pallatit mbretëror ka thënë se kjo sëmundje nuk mund të kurohet, përveç nëse trupin e vajzës e lyeni me vaj të elefantëve. Tani vet e dini sa çfarë ndodhë. Mua më dogji zemra dhe erdha për t'iu informuar. Më mirë është që të largohuni nga këtu. Sa do që të jeni të fuqishëm, nuk mund të luftoni kundër ushtrisë së mbretit". Elefantët ikën nga pallati i tyre dhe dhelpra e përgatiti pallatin, pastaj Tuzli Bejgu dhe nusja e tij dhe përcjellësit arritën në pallat. Të gjithë mbeten të habitur se çfarë pallati i madhërishëm. Dhelpra e thoshte të vërtetën se pallati i mbretit në krahasim me pallatin e zotërisë së saj, nuk ishte asgjë. Shkurtimisht, ngjarja vazhdoi në këtë mënyrë derisa një ditë dhelpra erdhi pranë mullixhiut dhe i tha: "O mullixhi, a e shikove të mirën time? Tani më thuaj se ku të vdes si do të më varrosësh kufomën time?" Mullixhiu tha: "Fotografinë tënde do ta vendosë në ram të qëndisur me gurë të çmuar. Ceremoninë e varrimit do ta bëjë në mënyrë madhështore dhe do të varrosi ty me respektin më të lartë". Dhelpra një ditë e shtirë si një dhelpër e vdekur. Mullixhiu erdhi pranë saj dhe me maje të gishtit të këmbës e preku dhelprën, e lëkundi andej e këndej. E pa që nuk po lëviz, ishte bërë sikur kishte vdekur me të vërtetë. E thirri shërbëtorin dhe i tha: "O shërbëtor, eja e kape këtë dhelpër menjëherë për bishti dhe hidhe në luginë!". Dhelpra u zgjua dhe tha: "O mullixhi i pandershëm! Shiko se nga çfarë pozite deri në çfarë pozite të kam sjell ty. Tani mua më kap për bishti dhe më hedh në luginë? Tani shkoi dhe i thërras elefantët". Kur dhelpra i tha këto fjalë, vajza e mbretit i ngriti duart mbi kokë dhe tha: Mjerë për mua se çfarë më ka gjet. Ky qenka mullixhi dhe unë nuk e dija!". Mullixhiu filloi të lute e të qajë pranë dhelprës duke thënë eja e më falë gabimet që kam bërë. Dhelpra tha: "Kësaj radhe po të fali". Vajza e mbretit filloi të bërtas më shumë. Dhelpra bërtiti me zë të lartë: "Oj vajza e bariut! Çfarë ka ndodhur që po i bie kokës? Tani mullixhiu nuk qenka njeri? Më thuaj se vajza e bariut u bë vajza e të gjithë botës?" Kur vajza e mbretit i dëgjoi këto fjalë, e mblodhi vetën dhe nuk tha asgjë. Kaluan disa ditë të tjera dhe dhelpra përsëri u shtirë si një dhelpër e vdekur. Mullixhiu duk u dridhur e frikësuar, iu afrua pranë. E lëkundi andej e këndej, por e pa që nuk po lëviz. Mendoi se me të vërtetë ka vdekur. Kur u bind se ka vdekur, tha: "O shërbëtor, eja dhe merre këtë dhelpër dhe varrose diku që të mos i vije era!". Kur mullixhiu i tha këto fjalë, dhelpra u zgjua dhe tha: "O njeri i pandershëm etj. etj.. Tani nuk do të fal ty. Përgatitu që të vijnë elefantët dhe do të shtypin nën këmbët e tyre". Mullixhiu sado që u lut pranë dhelprës, nuk pati dobi dhe dhelpra shkoi. Kërkoi luginë pas lugine derisa i gjeti elefantët dhe u tha atyre: "Thonë se mendja e njeriut është qelbësirë nën këmbët e tyre. Unë thash diçka, ju pse besuat dhe hoqët dorë nga jeta juaj dhe ikët. Mullixhiu e ka marrë vajzën e mbretit dhe po jeton me kënaqësi në pallatin tuaj, ndërsa ju jeni shpërngul e keni mbetur pastrehë në fusha". Elefantët thanë me vete: "Kjo dhelpër është shumë dinake dhe mashtruese. Mund të na çojë neve në ndonjë fatkeqësi. Më mirë është që njëri prej nesh të shkojë tek pallati për ta vëzhguar situatën dhe me litar ta lidhë këmbën e dhelprës për këmbën e tij në mënyrë që të sigurohemi nga hilet dhe mashtrimet e saj". Elefantët vepruan në këtë mënyrë dhe dhelpra sëbashku me njërin prej elefantëve u nisën drejt pallatit. Dëgjojeni se çfarë thoshte mullixhiu me vete: "Këtu tani është linja e fundit, duhet të mendoj ndonjë plan. Tani dhelpra vjen me elefantët ndërsa unë nuk kam as armë. Tani do të them diçka, ndoshta do të dalë ndonjë rrugëzgjidhje për të shpëtuar." Kur dhelpra u afrua, mullixhiu tha: "Oj dhelpër e mallkuar. Babai yt më kishte borxh mua shtatë elefantë, tani ti një e solle? Nëse nuk do t'i sjellë edhe gjashtë të tjerë, do ta rrjep lëkurën dhe do ta mbushi me kashtë atë". Kur elefanti i dëgjoi këto fjalë, u arratis me vrap duke tërhequr për toke dhelprën derisa ajo u bë copë-copë. Elefanti u kthye pranë shokëve të tij dhe u tha: "Kjo dhelpër dëshiroi të nda çojë neve pranë vdekjes me këmbët tona, por kaloi me të mirë. Babai i kësaj dhelpre i kishte patur shtatë elefantë borxh mullixhiut. Mirë u bë që nuk shkuam ne të shtatët, përndryshe nuk ishte ditur se çfarë do të kishte ndodhur me ne". Kështu dhelpra vdiq dhe mullixhiu jetoi në mënyrë të qetë. Shpresojmë të fitoni edhe ju atë çfarë fitoi mullixhiu.