Nëntor 16, 2016 06:05 CET

Në këtë edicion do të flasim rreth ceremonisë "Shame Ghariban".

Foto: Muharrami dhe Ashura tek popujt e ndryshëm

 

Përshëndetje dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Muharrami dhe Ashura tek popujt e ndryshëm". Në këtë edicion do të flasim rreth ceremonisë "Shame Ghariban" që do të thotë "Nata e të Panjohurve ose e të Vetmuarve".

Në ditën e dhjetë të muajit Muharram të vitit 61 hixhri kameri, ushtria e Jezidit pasi martirizoi Imam Huseinin (a.s.), me urdhrin e komandantëve të vet, filloi të plaçkitë dhe të djegë tendat e karvanit dhe të keqtrajtojë dhe torturojë familjen profetike.

"Shame Ghariban" quhet nata e parë pas martirizimit të Imam Huseinit (a.s.) dhe të shokëve të tij besnikë në fushën e Qerbelas dhe në përvjetorin e kësaj nate organizohen ceremoni të veçanta në qendrat dhe vendet fetare për të kujtuar vetminë dhe vuajtjen e atyre që mbetën gjallë në karvanin e Qerbelas. "Shame Ghariban" kujton vetminë dhe pikëllimin e thellë pas martirizimit të burrave trima të karvanit të Imam Huseinit (a.s.). Në mungesë të këtyre burrave, familjet e tyre të pikëlluara dhe të mbetura pastrehë, u zunë rob nga ushtria e Jezidit.

Foto: Ceremonia "Shame Ghariban"

Në natën e pikëlluar "Shame Ghariban", ceremonitë organizohen në formë të thjeshtë dhe pikëlluese dhe në këtë natë nuk ngritën bajraqet ashtu si në netët e tjera të zimbajtjes. Grupet e zimbajtjes të veshura në zi, me ndezjen e qirinjve, lëvizin në rrugë dhe në vendet publike. Zimbajtësit ulin kokën poshtë dhe ngadalë i bien kokës me duar duke kënduar elegji pikëlluese. Elegjitë e kësaj ceremonie kujtojnë shpërnguljen e familjes së Imam Huseinit (a.s.), robërimin e pjesëtarëve dhe fëmijët e mbetur nga tragjedia e Qerbelas të cilët në ditën e Ashuras pas perëndimit të diellit, mbetën të pastrehë në errësirën e shkretëtirës së Qerbelas. Ceremonia "Shame Ghariban" zhvillohet në një formë gati në të gjitha rajonet e Iranit dhe ka vetëm disa dallime të vogla në organizimin e saj. Xhamitë, husejniet dhe vendet e tjera fetare në qytete dhe fshatra në këtë natë janë të mbushura me zimbajtës husejnit. Natyrisht se ceremonia "Shame Ghariban"  zhvillohet në nivel shumë më të gjerë në qytetet me vende të rëndësishme fetare si Mashhad dhe Kum.

Ekzistenca e mauzoleut të Imam Reza (a.s.) në Mashhad është bërë shkak që në këtë qytet të mblidhen shumë vizitorë nga rajonet e tjera të Iranit, si dhe nga vendet e tjera të botës. Me rastin e ceremonive fetare islame dhe sidomos gjatë muajve Muharram dhe Safar me rastin e përvjetorit të vdekjes së Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. dhe përvjetorit të martirizimit të Imam Hasan Moxhtaba (a.s.) dhe të Imam Reza (a.s.), besimtarët myslimanë dhe dashamirësit e Ehli Bejtit (a.s.), nga shumë vende të ndryshme të botës si nga India dhe Pakistani shkojnë në Mashhad për të vizituar varrin e Imam Reza (a.s.) dhe për të marrë pjesë në ceremonitë e zimbajtjes.  

Gjatë këtyre ditëve sidomos në ditët Tasua dhe Ashura, një numër i madh i besimtarëve nga rajonet e ndryshme të Iranit shkojnë në qytetin Mashhad dhe grupet e zimbajtjes nga qytete të ndryshme me një rend të veçantë hyjnë në ambientet e xhamisë së Imam Reza (a.s.) duke paraqitur respektin dhe ngushëllimet e tyre.

Ceremonia e veçantë "Shame Ghariban" në përkujtim të Imam Huseinit (a.s.) që zhvillohet në mauzoleun e Imam Musa Reza (a.s.) në Mashhad, fillon me faljen e namazit të akshamit. Në ceremoninë "Shame Ghariban", të gjitha shërbyesit e këtij mauzoleu qëndrojnë në këmbë rreth e rrotull në njërin prej oborreve të këtij mauzoleu dhe mbajnë në dorë qiri ndërsa njëri prej tyre qëndron në mes duke kënduar elegji. Një numër i madh i zimbajtësve huseinit dhe i vizitorëve të varrit të Imam Reza (a.s.) tubohen rreth shërbyesve dhe duke mbajtur nga një qiri në dorë, përkujtojnë Ehli Bejtin dhe imamët ma'sum dhe vajtojnë për tragjedinë e Qerbelas dhe martirizimin në mënyrë të padrejtë të Imam Huseinit (a.s.) dhe të shokëve të tij besnikë. Një tepsi e madhe gjithashtu vendoset në mes e cila është e mbushur me rërë dhe mbi atë vendosen qirinj të ndezur.

Mbajtja e ligjëratave fetare gjithashtu është një ritual i veçantë tradicional i cili daton që nga fillimi i shpalljes së Islamit dhe Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. në raste të ndryshme mbante ligjërata për çështje të ndryshme fetare dhe shoqërore. Në kohën e Imam Aliut (a.s.), mbajtja e ligjëratave kishte arritur kulmin e zhvillimit si një art. Mbajtja e ligjëratave në mauzoleun e Imam Reza (a.s.) organizohet në mënyrë të veçantë dy herë në vit dhe me rastin e përvjetorit të dy ngjarjeve të mëdha të historisë islame, njëra me rastin e përvjetorit të tragjedisë së Qerbelas dhe martirizimit të Imam Huseinit (a.s.) dhe tjetra me rastin e martirizimit të Imam Reza (a.s).

Në natën e 11 të muajit Muharram dhe në "Shame Ghariban" të Imam Huseinit (a.s.) dhe të shokëve të tij besnikë, qyteti Kum gjithashtu i tëri është i zhytur në zi dhe në zimbajtje. Grupet e zimbajtjes duke rrahur gjoksin lëvizin në rrugën e cila çon në mauzoleun e Hazreti Ma'sume (s.a.).

Në ceremoninë e "Shame Ghariban" këtë vit, gjithashtu një karvan simbolik është nisur drejt mauzoleut të Hazretit Ma'sume (s.a.) dhe ky karvan në mënyrë simbolike paraqet vetminë e të mbeturve nga tragjedia e Qerbelas në pasditen e Ashuras dhe dhunën dhe padrejtësinë që është ushtruar ndaj Imam Saxhad (a.s.) dhe ndaj Hazretit Zejnab (s.a.).

Foto: Ceremonia "Shame Ghariban" në qytetin Kum

Në mauzoleun e Hazretit Ma'sume (s.a.) gjithashtu organizohet një ceremoni e veçantë për të përkujtuar familjen e Imam Huseinit (a.s.) e cila mbeti e vetmuar në fushën e Qerbelas dhe vizitorët e këtij vendi të shenjtë zhvillojnë zimbajtjen. Përveç kësaj edhe në xhami, husejnije dhe në vendet e tjera fetare në Kum, zhvillohet ceremonia "Shame Ghariban" me pjesëmarrjen e gjerë të besimtarëve zimbajtës.

Foto: "Shame Ghariban" në Kum