Shkurt 16, 2016 07:03 CET

Me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë të përjavshëm ku do të flasim mbi zhvillimet më të rëndësishme politike, ekonomike dhe sociale të javës së kaluar në SHBA.

Spikeri Javën e kaluar, presidenti amerikan, Barak Obama njoftoi një grup masash për forcimin e kontrollit dhe në dhënien e armëve të zjarrit në Shtetet e Bashkuara, duke përdorur kështu fuqitë e tij ekzekutive presidenciale, në mungesë të miratimit të ndryshimeve ligjore të kërkuara prej tij nga Kongresi amerikan. Obama ka akuzuar lobistët e kompanive të armëve të kenë marrë peng Kongresin, por tha se “ata nuk mund të marrin peng Amerikën”. Presidenti amerikan këmbënguli se gjithnjë ka qenë e mundshme të mbështetej “amendamenti i dytë”, në mënyrë që të tregohej se po bëhej diçka për të frenuar frekuencën në rritje të të shtënave masive me armë në SHBA, gjë që sipas tij është kthyer tashmë në një “normalitet të ri”. “Ky nuk është një komplot për t’u hequr armët kujtdo”, tha Obama në një ceremoni të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë. “Nëse ju kaloni kontrollet bazë mbi formimin kulturor, atëherë ju mund të blini një armë zjarri. Problemi është se, disa shitës armësh kanë operuar deri më tani nën një set të ndryshëm rregullash”. Obama u shfaq tepër emocional teksa iu mbushën edhe sytë me lotë, kur kujtoi 20 nxënësit e vrarë në vitin 2012 në shkollën fillore të “Sandy Hook”. “Saherë mendoj për ata fëmijë, më duket sikur çmendem”, tha Obama. Në qendër të planit të Presidentit amerikan është përkufizimi më i gjerë i shitësve të armëve, gjë që administrata federale shpreson se do të zgjerojë numrin e shitjeve, pasi të kenë kaluar kontrollet mbi formimin kulturor. Bazuar mbi ligjin aktual, vetëm shitësit e licencuar nga autoritetet federale mund të kryenin kontrolle mbi formimin e blerësve. Por, në rastet e shfaqjeve dhe ekspozitave për armët, faqet e internetit dhe tregjet e vjetërsirave, shitësit zakonisht i anashkalojnë këto kërkesa, duke refuzuar të regjistrohen si shitës të licencuar. Shtëpia e Bardhë do t’u bëjë me dije gjithashtu shitësve se administrata ka planifikuar të përforcojë edhe ekzekutimin e këtij ligji, përfshi këtu duke dërguar 230 ekzaminues të rinj që FBI-ja do të punësojë për procesin e kontrollit të formimit kulturor. Paketa e veprimeve ekzekutive të Obamës synon të kufizojë atë, që ai e përshkruan si “kamzhik të dhunës me armë” në SHBA, të theksuar më së shumti nga vrasjet masive në Newtown, Connecticut; Charleston, Karolina e Jugut, Tucson, Arizona etj, mes shumë rasteve të tjera. Pas Newtownit, Obama kërkoi menjëherë miratimin me konsensus dypalësh të legjislacionit të ri, por nisma ngeci që në Senat. Spikeri Presidenti amerikan, Barack Obama ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për të vënë në zbatim ato që i quan “masa praktike” për frenimin e dhunës së shkaktuar nga armët e zjarrit. Shtrirja e dorës drejt qytetarëve nga ana e Shefit të Shtëpisë së Bardhë është bërë për t’iu kundërvënë republikanëve që kontrollojnë Kongresin e që kundërshtojnë nismën e Obamës. Gjatë një takimi që pati Virginia, Obama u përqendrua në sqarimin e masave në çështjen e debatueshme se sa larg duhet të shkojë qeveria në masat për të kufizuar armët e zjarrit. Obama tha se qeveria mund të bëjë më shumë dhe pa e shkelur të drejtën kushtetuese të amerikanëve për të mbajtur armë. Masat e shpallura nga presidenti gjatë një fjalimi të martën në Shtëpinë e Bardhë anashkalojnë Kongresin e kontrolluar nga republikanët, të cilët këmbëngulin se urdhri ekzekutiv i shefit të Shtëpisë së Bardhë shkon përtej autoritetit të tij. I ashpër në reagim, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan tha se masat e Obamës minojnë lirine e individit dhe do të sfidohen në sallën e gjyqit. Në Amerikë shitjet e armëve janë shtuar këto 12 muajt e fundit. Sipas Byrosë Federale të Hetimit, gjatë 2015-s kanë blerë armë më shumë njerëz se më parë, ndërsa kontrollet për të kaluarën e blerësve janë shtuar me 10 përqind, duke arritur në 23 milionë, çka përbën shifrën më të lartë qëkur FBI-ja filloi të mbajë statistika për blerjet e armëve në vitin 1998. Spikeri Megjithatë, republikanët në Kongres u hodhën në sulm pas propozimit të atyre që Barak Obama i përshkroi si ‘masa praktike’ që synojnë frenimin e dhunës nga armët e zjarrit. Ata këmbëngulin se urdhri ekzekutiv i shefit të Shtëpisë së Bardhë shkon përtej autoritetit të tij. “Fjalët dhe veprimet e tij përbëjnë një lloj frikësimi që minon lirinë. Megjithatë, pavarësisht asaj çfare presidenti Obama thotë, fjalët e tij nuk e kundërshtojnë dot amendamentin e tyre. Urdhri ekzekutiv që dha, pa dyshimin më të vogël do të çohet në gjykatë, e në fund çdo gjë që ai si president ka bërë mund të përmbyset nga një president republikan e kjo është një tjetër arsye përse ne duhet të fitojmë në zgjedhjet e nëntorit”, tha kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan. Deklaratat dhe kundërshtimet e kongresmenëve republikanë ndaj reformave të ndërmarra nga Obama për rritjen e kontrollit ndaj shit-blerjes së armëve në SHBA, dëshmojnë për ndikimin e fuqishëm të lobeve të kompanive të mëdha amerikane të armatimeve tek ligjvënësit republikanë. Spikeri Javën e kaluar, presidenti amerikan Barak Obama vendosi veton ndaj vendimit të Kongresit në lidhje me ligjin shumë të debatuar mbi sigurimet shoqërore në SHBA. Nëse vendimi i Kongresit do të kthehej në ligj, ai do të ndryshonte shumë pika të ligjit për sigurimet shoqërore i njohur si Obamacare. Ligji i propozuar nga presidenti Obama i quajtur ”Obamacare” për mbrojtjen e obliguar shëndetësore, përkrahet nga senatorët dhe kongresmenët demokratë amerikanë, por hasi në kundërshtim të fortë të senatorëve dhe kongresmenëve republikanë, mbi cilët trysni të madhe kanë bërë korporatat e fuqishme të sigurimeve shëndetësore private të cilat qenë kundërshtaret më të zëshëm kundër ligjit ”Obamacare”. Mosmarrëveshjet aktuale në mes senatorëve dhe kongresmenëve demokratë dhe republikanë qëndrojnë në atë se republikanët nuk duan të pranojnë ligjin e propozuar të Obamas për mbrojtjen e obliguar shëndetësore. Pjesa liberale e establishmentit amerikan pohon se ka të bëjë me ligjin progresiv i cili është më se i nevojshëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa republikanët e konsiderojnë që ligji i ashtuquajtur ”Obamacare” është fillimi i futjes së “socializmit” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ligji për mbrojtjen shëndetësore është aprovuar në vitin 2010 dhe është konfirmuar nga Gjykata Supreme amerikane në vitin 2012. Në parim, ligji ”Obamacare” ka objektiv që të mundësojë shërbimin shëndetësor për dhjetëra miliona qytetarë amerikanë, të cilët aktualisht nuk e posedojnë siguracionin shëndetësor. Spikeri Javën e kaluar, filloi procesi i dëbimit të emigrantëve të paligjshëm në SHBA. Katër gra nga Guatemala së bashku me 10 fëmijët e tyre u dëbuan nga Amerika dhe u dërguan me avion në një aeroport ushtarak në periferi të Guatemala City. Funksionarët amerikanë prej kohësh kanë deklaruar se do të dëbojnë emigrantët e paligjshëm nga SHBA dhe shpresojnë se me këtë veprim do të krijohen kushtet për reformimin e ligjit mbi emigracionin. Qeveria e presidentit Barak Obama po përpiqet që deri në Janarit e vitit të ardhshëm të kryejë ndryshime në ligjin e emigracionit në SHBA. Në planin e propozuar nga administrata e Obamës janë parashikuar metoda inkurajuese por edhe dënuese. Psh, nëse zbatohet ky plan, prindërit e fëmijëve që kanë shtetësi amerikane apo green card, në kushte të veçanta mund të marrin shtetësinë amerikane. Ose nëse fëmijët që janë lindur nga emigrantë të paligjshëm kryejnë shkollën e mesme apo shërbejnë në ushtrinë amerikane dhe nuk kanë dosje penale, mund të aplikojnë për shtetësinë amerikane pa qenë nevoja të dalin jashtë territorit të SHBA. Parashikohet se kjo reformë e ligjit për emigracionin do t'ju mundësojë 5-12 milionë emigrantëve të paligjshëm të marrin shtetësinë amerikane. Por ky plan parashikon që nëse emigrantët e paligjshëm kryejnë ndonjë vepër penale sado të vogël, ata duhet të dëbohen menjëherë nga Amerika. Sidoqoftë, është e qartë se ligji për emigracionin në SHBA do të jetë një nga çështjet kryesore që do të debatohet mes demokratëve dhe republikanëve gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet presidenciale dhe kjo çështje mund të jetë edhe përcaktuese në zgjedhjet presidenciale pasi numri i emigrantëve e i familjeve të tyre në SHBA është shumë i madh dhe zë një pjesë të konsiderueshme të votave.

Tags