Amerika në një vështrim të brendshëm
Me përshëndetje për ju të nderuar dëgjues, po fillojmë emisionin tonë me titull '' Amerika në një vështrim të brendshëm'', ku do të trajtojmë zhvillimet më të rëndësishme politike, ekonomike dhe sociale në SHBA gjatë javës që lamë pas.
Spikeri Susan Rice, këshilltare për sigurinë kombëtare të SHBA, javën e kaluar, njëkohësisht me 5 vjetorin e nënshkrimit të traktatit strategjik për reduktimin e armëve atomike (START-2) , i kërkoi Moskës të hyjë në bisedime të reja me Uashingtonin. Në këtë mënyrë, Rice i kërkoi Rusisë të ndërmarrë një hap tjetër në përpjekjet për reduktimin e arsenalit të armëve bërthamore. Por, ky traktat nuk është zbatuar ende nga SHBA. Konservatorët republikanë dhe demokratë, janë të shqetësuar se reduktimi i arsenaleve të armëve atomike do të dobësojë fuqinë bërthamore të SHBA. Uashingtoni dhe Moska ranë dakord që të shkurtojnë me 1550 numrin e mbushjeve bërthamore të tyre dhe në këtë mënyrë do të reduktohen arsenalet e armëve atomike të dy vendeve që posedojnë 95 % të armëve atomike në botë, por njëkohësisht do të rritet cilësia e armëve atomike të tyre. Presidenti amerikan Barak Obama gjatë dy mandateve presidenciale vazhdimisht ka premtuar se do të vazhdojë përpjekjet për modernizimin e armëve atomike të SHBA. Amerikanët synojnë që gjatë 10 viteve të ardhshme të shpenzojnë 350 miliardë $ për modernizimin e armëve bërthamore të SHBA. Nga ana tjetër, kërcënimi i funksionarëve rusë se Rusia mund të dalë nga traktati START-2 në rast se Amerika zbaton planin për dislokimin e sistemit anti-raketor në Evropën lindore, e vë në dyshim zbatimin e traktatit START-2. Analistët politikë janë të mendimit se ky traktat nuk do të eliminojë kërcënimet bërthamore që i kanosen botës, por më tepër është një spastrim i armëve të vjetruara bërthamore të dy fuqive të mëdha, të cilat aktualisht kanë filluar modernizimin e arsenaleve të tyre bërthamore duke injoruar traktatin NPT dhe procesin e çarmatimit bërthamor. Spikeri Java e kaluar u karakterizua nga ashpërsimi i rivalitetit mes kandidatëve presidenciale në kampet e demokratëve dhe republikanëve. Javën e kaluar arena e rivalitetit mes kandidatëve ishte New Hampshire. New Hampshire është një sfidë krejt ndryshe për të dyja partitë. Konservatori Cruz do ta ketë më të vështirë të rrëmbejë, në zgjedhjet e 9 shkurtit, votën e një elektorati më të moderuar dhe më pak fetar, sesa ai që ndeshi në shtetin Ioëa. Donald Trump, prej kohësh kryesues i garës republikane, pritet të shënojë në New Hampshire rezultate më të kënaqshme se ato të Iowas, ku përkundër anketimeve paraelektorale që profetizonin triumfin e tij, u rreshtua i dyti pas senatorit të Teksasit, në provën e parë zyrtare të fushatës presidenciale. Nga demokratët ndërkohë, Sanders konsiderohet ta nisë garën me avantazh në këtë shtet, duke qenë se është senator i Vermontit fqinj. Që përpara se të shpallej zyrtarisht rezultati i Iowas dhe fitorja aq e ngushtë e Hillary Clintonit, ai ishte ngjitur në rimorkion e sheshtë të një kamioni e përshëndeste simpatizantët në qytetin Bow. Duke i thënë turmës se fushata e tij “befasoi të gjithë botën” me performancën e Iowas, 74-vjeçari premtoi “të çudisë sërish” në votimet e radhës. Pa e fshehur kënaqësinë e një fitoreje të vështirë, Clinton deklaroi se ndihet krenare që shkon në New Hampshire me votën e Iowas në xhep. Sidoqoftë fushata në New Hampshire ishte interesante në të dyja kampet dhe për këtë do të flasim më poshtë. Spikeri Debati i tyre i parë kokë më kokë në New Hampshire mes Hillary Clinton dhe Bernie Sanders u karakterizua nga përplasja e ashpër mes tyre për politikën e jashtme dhe Wall Street-in. Ish-sekretarja e Shtetit e quajti senatorin e Vermontit një idealist, që nuk ka për të vënë kurrë në jetë premtimet e tij. Sanders e akuzoi kundërshtaren se është tepër e lidhur me “establishment”-in amerikan për të arritur të prodhojë ndonjë ndryshim të vërtetë. E lodhur nga përpjekjet e tij për ta portretizuar si një politikane të cilën Wall Street-i e ka në xhep për shkak të donacioneve të fushatës, Clinton u shfaq më agresive se herë të tjera ndaj rivalit për nominimin demokrat. “Është koha t`u jepet fund këtyre akuzave të pista që ti dhe stafi yt i fushatës i lëshoni me shumë mjeshtëri”, tha Clinton. Debati televiziv në New Hampshire ishte i pari që kur gara në kampin demokrat u tkurr vetëm mes këtyre dy konkurrentëve, pas tërheqjes së ish-guvernatorit të Merilendit, Martin O'Malley. Pa një person të tretë në skenë, dallimet mes tyre u shpërfaqën shumë qartë. Clinton sulmoi propozimin e Sandersit për kujdes shëndetësor universal, duke e përshkruar si tepër të kushtueshëm e praktikisht të paarritshëm. 74-vjeçari nuk la pa iu rikthyer linjës së preferuar të sulmit ndaj saj, faktit që Clinton mbështeti luftën e Irakut, por dhe ish-Zonja e Parë iu përgjigj, duke vënë në dyshim ekspertizën e tij në politikën e jashtme. Përplasja televizive erdhi 5 ditë përpara betejës për nominimin presidencial më 9 Shkurt në New Hampshire. Sondazhet i japin epërsi Bernie Sandersit në shtetin që ndan kufijtë me Vermontin, ku ai është senator. Kandidati demokrat për Shtëpinë e Bardhë, që po konsiderohet si kandidat i varfër, po rritet gradualisht si në mbështetje, ashtu edhe nga ana financiare. Bernie Sanders mund të mburret me numrin e madh të amerikanëve që kanë dhënë para për fushatën e tij. Bëhet fjalë për mbi 3 milionë derdhje financiare në llogarinë e tij të fushatës nga më shumë se 1 milionë individë. Sanders ka tejkaluar edhe Barack Obaman në 2008-n sa i përket mbledhjes së fondeve, ndërsa Hillary Clintonin e la pas që në fillim të muajit janar. Shumë qytetarë amerikanë e konsiderojnë Sandersin të shkëputur nga Wall Street dhe nga lobet e fuqishme që financojnë kandidatët e tjerë presidencialë, prandaj kanë vendosur të financojnë vetë këtë kandidat që ka zgjuar shpresa të reja për popullin amerikan. Spikeri Debati televiziv republikan në New Hampshire solli një risi: shënjestra e sulmeve të përqendruara të rivalëve në garën për nominim nuk ishte më Donald Trump, por senatori i Floridës, Marco Rubio. I pari që u lëshua mbi Rubion, e avantazhuar nga sondazhet e fundit, u bë guvernatori i New Jerseyt, Chris Christie. Ai e përshkroi 44-vjeçarin si njeri pa eksperiencë e që nuk del nga kornizat. “Ja çfarë bën, përsërit veten. Fjalimi i famshëm 25 sekondësh që e ka mësuar përmendësh. Ja ku e keni”, tha Chris Christie, guvernator i New Jerseyt. Rubio, i gjendur gjithashtu edhe nën breshërinë e goditjeve të Trumpit dhe Jeb Bushit, u përpoq t’i shmangej mësymjes së rivalëve duke sulmuar Presidentin Obama. Debati republikan i New Hampshire erdhi 4 ditë përpara se atje të nisin votimet, për kandidatët që do të përfaqësojnë secilën parti në Presidencialet e nëntorit. Pjesa më e madhe e 7 konkurrentëve republikanë kanë pritshmëri të larta në këtë shtet, ndaj dhe presioni është aq i madh, sa provokon konflikt. Një prezantim i mirë në përballjen televizive do të konsolidonte ndjeshëm mbështetjen e simpatizantëve republikanë për Rubion, por qëllimi i Christiet ishte t’i bënte këta të fundit të mendonin dy herë, përpara se ta hidhnin votën e tyre, e ndoshta ia doli mbanë. Ndërkohë, Nick Santorum nuk arriti të marrë një numër të konsiderueshëm votash gjatë zgjedhjeve republikane në shtetin Iowa dhe vendosi të largohet nga gara elektorale. Edhe kandidati tjetër republikan Rand Paul është tërhequr nga gara presidenciale e Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas rezultatit të dobët të shënuar në zgjedhjet e para të mbajtura në Iowa. Nga ana tjetër, kandidati republikan për garën presidenciale, Donald Trump, ka akuzuar rivalin e tij kryesor, Ted Cruz, për mashtrim në fitoren e regjistruar prej tij në shtetin e Iowa-s. Miliarderi tha se senatori i Teksasit nuk ka qenë i ndershëm në garë, duke përdorur taktika të cilat sipas tij, nuk i kanë hije një kandidati republikan. “Ted është një vjedhës votash. Ju tashmë e dini që këta politikanë janë shumë brutal. Më besoni kur ju them se ata nuk janë të ndershëm. Kjo është edhe një ndër arsyet se pse i jam futur kësaj gare.” Më tej Trump lëshoi edhe akuza të tjera duke thënë se qytetarët amerikanë nuk duan një president që nuk ka lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me këtë frazë, ai sulmoi sërisht kandidatin Ted Cruz, i cili ka lindur në Calgary të Kanadasë. Spikeri Javën e kaluar, presidenti amerikan Barak Obama zhvilloi vizitën e tij të parë në një xhami të SHBA-ve. Ai vlerësoi myslimanët amerikanë si “disa nga qytetarët më të respektuar dhe patriotë që ka takuar ndonjëherë. Rritja e islamofobisë në vend është një fenomen që s’duhet kurrsesi të ndodhë”, tha Obama. “Paragjykimi ndaj myslimanëve ushqehet nga injoranca në mesin e amerikanëve për komunitetin dhe besimin islam”, tha Presidenti amerikan. Shefi i Shtëpisë së Bardhë dënoi atë që e cilësoi si “retorikë te pafalshme politike” në lidhje me besimin Islam, duke iu referuar dukshëm komenteve te bëra gjatë fushatës nga kandidati republikan për president, Donald Trump. Vizita e Barack Obamës në xhami ishte konceptuar si mbrojtje e lirisë fetare dhe një deklaratë kundër fanatizmit. Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka vizituar disa xhami në vizitat e tij zyrtare në vende të ndryshme të botës, por kjo është hera e parë që ai vizitonte një të tillë në SHBA, ku ishte përzgjedhur xhamia në Maryland. Spikeri Borxhi i qeverisë së Amerikës ende vazhdon të rritet. Sipas statistikave zyrtare, borxhi i qeverisë së Amerikës ka kaluar shifrën 19 trilionë e 8 miliardë dollarë. Kjo shifër është e barabartë me 103 % e prodhimit bruto të Amerikës. Parashikohet që sipas rrethanave aktuale, borxhi i qeverisë së Amerikës deri në vitin 2017, në kohën e rishqyrtimit të tavanit të borxhit, do të kalojë shifrën 20 trilionë dollarë. Aktualisht Amerika është vendi me borxhe më të mëdha në botë. Nga shifra 19 trilionë dollarë e borxhit të qeverisë së Amerikës, rreth 13 trilionë e 700 miliardë dollarë është borxhi ndaj kompanive dhe personave të ndryshëm, ndërsa 5 trilionë e 300 miliardë dollarë është borxhi ndaj Thesarit Federal. Gjithashtu është deklaruar se që nga koha e fillimit të mandatit presidencial të Barak Obamas, borxhi i qeverisë së Amerikës gati është dyfishuar dhe atij i janë shtuar edhe 8 trilionë dollarë të tjerë. Faktorë të ndryshëm janë paraqitur si shkaktarë të kësaj situate. Së pari, qeveria e Amerikës ka bërë zakon të shpenzojë shuma të mëdha të parave dhe shpenzon shumë më shumë se sa të ardhurat e saj. Shkaku i dytë i borxhit të madh të qeverisë së Amerikës është reduktimi i të ardhurave. Secili vend tjetër përveç Amerikës, me një borxh 19 trilionë dollarë të barabartë me 103% të prodhimit bruto, do të falimentonte menjëherë. Mirëpo ky vend duke përdorur dollarin si valutë kryesore për shkëmbimet ndërkombëtare, barrën e rëndë të borxhit të lartë shtetëror i cili zakonisht krijon inflacion, e vendos mbi supe të vendeve të tjera të botës duke përfshirë edhe vendet më të varfëra.