Tregimet dhe legjendat iraniane
Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Tregimet dhe legjendat iraniane". Së pari po vazhdojmë me prezantimin e letërsisë popullore persiane dhe pastaj do të kalojmë në botën e tregimeve iraniane.
Në edicionin e kaluar kemi folur rreth disa karakteristikave të proverbës si shkurtimi, universalizmi dhe gjithpërfshirja. "Njohja dhe përhapja në mesin e njerëzve" gjithashtu është një prej karakteristikave të proverbës. Qëllimi i njohjes është ky që proverba të përdorët në një formë nga njerëzit në përgjithësi dhe ata të mos bëjnë ndryshim në fjalët dhe përbërjen e saj. Studiuesit konsiderojnë se kushti kryesor që një fjalë ose një varg poezie të bëhet shndërrohet në proverbë është përdorimi i saj nga njerëzit dhe besojnë se janë njerëzit ata të cilët i japin kredibilitet dhe vlerë një proverbe dhe bëhen shkak që një fjali e njohur ose një urtësi me plotë kuptim apo një varg i bukur poezie, të flitet dhe të përdoret nga të gjithë njerëzit. Me fjalë të tjera, një fjalë e cila përmban një mesazh të caktuar, e fiton kredibilitetin e proverbës në kohën kur ajo të përsëritet në bisedat e njerëzve dhe të përdoret në masë të madhe.
Një tjetër karakteristikë e proverbës është dhënia e këshillës dhe mësimit. Posedimi i kushteve për të patur urtësi dhe për të qenë si këshillë, bëhet shkak që njerëzit proverbat t'i përdorin si argument për të kryer ose për të mos kryer një veprim. Për shkak të posedimit të kësaj karakteristike, studiuesit e kanë konsideruar proverbën si faktor për ekuilibrim të moralit në shoqëri. Proverba, si një folës i bukur dhe këshillues i mëshirshëm, i thërret njerëzit me një gjuhë të thjeshtë dhe të bukur që të mësojnë dhe respektojnë edukatën e pëlqyer. Çdo kush kënaqet duke dëgjuar proverbën dhe askush nuk mërzitët nga leximi i saj. Numri i madh i proverbave persiane paraqet numrin e madh të mësimeve morale në mesin e iranianëve dhe përhapjen e moralit në mesin e tyre. Iranianët që nga kohët e vjetra ishin të njohur për urtësinë dhe diturinë. Numri i madh i veprave didaktike, morale dhe gnostike në letërsinë persiane, dëshmojnë më së miri këtë çështje.
Tani do të dëgjojmë së bashku tregimin e radhës i cili është bazuar në një proverbë mësimdhënëse e cila thotë: "Partneri i hajdutëve, shoqërues i karvanit".
Thuhet se në të kaluarën tregtarët mallrat e tyre i transportonin me kuaj dhe deve nga një qytet në tjetrin që t'i shesin ato dhe të fitojnë. Mirëpo rrugët ishin të pasigurta, hajdutët qëndronin në pritë në rrugët nga të cilët kalonin karvanët e tregtisë. Atëherë shfrytëzonin errësirën e natës dhe sulmonin karvanët e tregtisë dhe plaçkitnin mallrat dhe produktet e tyre tregtare. Tregtarët, për këtë arsye udhëtonin në mënyrë grupore ose kolektive në mënyrë që të reduktohet mundësia e sulmit të hajdutëve. Një ditë një karvan u nis nga një qytet që të shkojë në një qytet tjetër. Në atë karvan ishin disa tregtarë. Secili prej tregtarëve transportonte sasi të madhe të mallrave për t'i shitur në qytetin tjetër. Karvani udhëtoi një-dy ditë derisa arriti në një zonë në të cilën rruga ishte me plotë kthesa, prandaj edhe rreziku për sulme të hajdutëve ishte më i madh në atë zonë. Tregtarët nga frika e sulmit të hajdutëve nuk mund të qetësoheshin në asnjë mënyrë. Më pas ra edhe mbrëmja e cila në vete konsiderohej një rrezik i madh për pjesëtarët e karvanit. Udhërrëfyesi i karvanit i propozoi udhëtarëve që para se të arrijnë në zonat e kthesave, të zgjedhin një vend për të pushuar dhe për të fjetur dhe të nesërmen kur të zbardhë dita të vazhdojnë rrugën dhe të kalojnë kthesat e vështira pasi gjatë ditës rreziku i sulmit të hajdutëve është më i vogël. Pjesëtarët e karvanit zbarkuan mallin e tyre nga kuajt dhe devetë dhe shtruan në tokë gjërat për të fjetur dhe ushqimin që kishin për të ngrënë. Udhërrëfyesi i karvanit u tha tregtarëve: "Mallin dhe gjësendet e çmuara fshihni në mes të gurëve pak më larg se sa vendi ku pushoni në mënyrë që nëse do të sulmojnë hajdutët, të mos i gjejnë ato". Tregtarët e pëlqyen këtë propozim të udhërrëfyesit të karvanit dhe të gjithë filluan të fshehin pasurinë dhe gjërat e çmuara të tyre në mes të gurëve. Në mesin e tregtarëve ishte një person i cili pavarësisht se kishte me vete mallra dhe gjëra të çmuara, në asnjë mënyrë nuk brengosej për sulmin e hajdutëve. Ai mundohej të ndihmonte tregtarët e tjerë për t'i fshehur mallrat e tyre në vende të përshtatshme. Ai pasi u ndihmoi të gjithëve, sendet e çmuara të veta i fshehu në një vend që nuk ishte larg vendit ku pushonin. Tregtarët hëngrën darkë dhe me shqetësim e brengosje, u shtrinë që të pushojnë. Tregtari që kishte ndihmuar të tjerët, tha: "Kështu nuk bënë, më mirë është që me radhë të qëndrojmë zgjuar dhe të ruajmë që të mos sulmojnë hajdutët!" Të tjerët pranuan propozimin e tij, ndërsa ai tha: "Së pari unë do të qëndroj zgjuar dhe do të bëj roje, pastaj dy orë më vonë do ta zgjoj njërin prej jush që të bëjë roje dhe pastaj unë fle". Udhëtarët e karvanit të cilët ishin të lodhur e të shqetësuar, pranuan propozimin e tij dhe u gëzuan që kishin bashkudhëtar një njeri sakrifikues siç ishte ai dhe flenë në gjumë. Tregtari priti pak. Kur u sigurua se të gjithë kishin fjetur, tregtari që mbeti roje dalëngadalë u largua nga bashkudhëtarët e tij dhe shkoi në drejtim të kthesave të mëdha derisa e pa një hije në errësirë. Ai me zë të lartë tha: "Nëse ju jeni hajdutë dhe cuba, dëgjoni se çfarë po u them. Unë jam vetëm dhe nuk kam armë, më dërgoni mu pranë shefit tuaj. Atij duhet t'i them një sekret të rëndësishëm". Hajdutët iu vërsulen atij dhe i lidhën duar e këmbë dhe e dërguan pranë shefit të tyre. Tregtari kur arriti pranë shefit të hajdutëve, tha: "Unë jam një prej udhëtarëve dhe tregtarëve të cilët së bashku në një karvan janë ndaluar pak më larg që të pushojnë, nëse më premtoni se nuk do të prekni pasurinë dhe mallin tim, si dhe një pjesë të mallit dhe pasurive që plaçkitni nga karvani, do të më jepni mua, atëherë unë do tu tregoj një sekret të rëndësishëm!" Shefi i hajdutëve tha: "Thuaj, unë të jap fjalën!" Tregtari i tregoi atij se sa tregtarë udhëtojnë me atë karvan dhe ku kanë fshehur pasurinë dhe sendet e tyre të çmuara në mesin e gurëve. Ai i cili e dinte se ku ndodhen sendet e çmuara të tregtarëve, i tregoi shefit të hajdutëve të gjitha shenjat se ku kanë fshehur tregtarët mallin. Pastaj me nguti shkoi pranë karvanit. Shkuarja dhe kthimi i tij kishte zgjatur më tepër se dy orë. Ai për këtë arsye, pasi arriti pranë karvanit e zgjoi njërin prej bashkudhëtarëve dhe i tha atij: "Ka më shumë se dy orë që jam zgjuar dhe po bëj roje. Më ka lodhur gjumi, më mirë është që ti të bën roje për një ose dy orë. Kur të lodhesh, atëherë zgjoje një tjetër që të bëjë roje. Pastaj u shtri dhe u paraqit se po flenë. Akoma pa kaluar dy orë nga periudha e rojës së re, hajdutët sulmuan karvanin. Roja duke thirrur e bërtitur, zgjoi tregtarët nga gjumi dhe i informoi ata për sulmin e hajdutëve. Hajdutët sipas shenjave që u kishte dhënë tregtari, shkuan dhe gjetën të gjithë pasurinë dhe sendet e çmuara të cilat i kishin fshehur tregtarët dhe i morën të gjitha. Mirëpo asnjëri prej tyre nuk u afrua pranë pasurisë së tregtarit i cili kishte shkuar pranë tyre. Tregtarët deri në mëngjes rënkuan dhe vajtuan me pikëllim të madh për plaçkitjen e pasurisë së tyre. Kur zbardhi dita, karvani i plaçkitur nga hajdutët u bë gati të nisej. Disa prej udhëtarëve thanë: "Ne tani jemi të varfër dhe u bëmë të mjerë dhe pasi nuk kemi asgjë për të shitur e blerë, më mirë është që të kthehemi". Disa të tjerë gjithashtu thanë: "Më mirë është të shkojmë në një qytet tjetër dhe të marrim para hua nga miqtë e njerëzit që njohim". Mirëpo të gjithë ishin të çuditur nga fakti se pasuria e njërit prej tregtarëve nuk ishte plaçkitur. Njëri thoshte: "Ai është njeri sakrifikues, na ndihmoi të gjithë neve që të fshehim pasuritë tona. Zemra e pastër e tij e ndihmoi atë dhe pasuria e tij nuk është plaçkitur." Një tjetër thoshte: "Ai është njeri i mirë, ai ishte personi i parë që në mënyrë vullnetare bëri roje, ai mori shpërblimin e punës së mirë". Njëri gjithashtu mendonte se ai për arsye se nuk fshehu pasurinë në mesin e gurëve dhe larg vendit ku pushonin, hajdutët nuk e gjetën pasurinë e tij sepse hajdutët kërkonin vetëm nëpër qoshe në mesin e gurëve". Tregtari falënderoi bashkudhëtarët dhe tha: "Unë pasi nuk mund të duroj rënkimin e vuajtjes tuaj, do të ndahem nga karvani dhe pjesën tjetër të rrugës do ta kaloj vetëm!" Ai mblodhi mallin e tij e vendosi në dy-tre kafshë dhe u nis rrugës. Gjatë rrugës arriti tek vendi i hajdutëve dhe sipas marrëveshjes që kishte bërë më parë, mori pjesën e tij të plaçkës. Pas disa ditëve, karvani i plaçkitur arriti në qytet. Tregtarët shkuan në treg që të takojnë miqtë dhe njerëzit që njihnin dhe të marrin hua para ose të shesin mallin tjetër që nuk kishte vlerë të madhe dhe që kishte shpëtuar nga hajdutët. Në treg e takuan tregtarin bashkudhëtar të tyre i cili kishte ofruar mallin e tij për ta shitur në treg. Njëri prej tregtarëve e kuptoi se një pjesë e mallit të plaçkitur nga hajdutët, ishte në dispozicion të atij tregtari. Ai mblodhi tregtarët bashkudhëtarë dhe u tregoi atë çfarë kishte pa. Të gjithë së bashku shkuan pranë gjykatësit dhe u ankuan. Gjykatësi urdhëroi që të arrestohet ai tregtar dhe të sillet në gjykatë. Gjykatësi pasi e pa tregtarin, tha: "Çudi! Ti qenke ai partneri i hajdutëve dhe shoqëruesi i karvanit! Tani do të urdhëroj që të ndëshkojnë në mënyrë që edhe zogjtë lartë të vajtojnë për gjendjen tënde!".
Që nga ajo kohë njerëzve hipokritë të cilët për të ruajtur pasurinë e tyre janë në gjendje të bëjnë çdo veprim, u thonë: "Partneri i hajdutëve dhe shoqëruesi i karvanit".