Janar 26, 2017 08:57 CET

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Ejani me ne në Iran".

Në edicionin e kaluar kemi prezantuar provincën Çahar Mahale va Bakhtjari, një territor i lartë nga aspekti i pozitës gjeografike që ndodhet në pjesën qendrore të rrafshnaltave të Iranit dhe shtrihet në mes të vargmaleve Zagros. Në edicionin e kaluar u njohëm me historikun e kësaj province dhe me pozitën gjeografike dhe me karakteristikat natyrore të saj. Në edicionin e kaluar kemi vë në dukje gjithashtu se në këtë provincë ekzistojnë fiset endacake Bakhtjari. Në këtë kuadër thamë se fiset Bakhtjari së bashku me traditat, zakonet dhe metodat e veçanta të jetës së tyre, konsiderohen prej faktorëve turistikë shumë tërheqës dhe të pashoq në këtë rajon. Jeta e këtyre fiseve endacake me traditat dhe zakonet e veta, gjithmonë ka tërhequr vëmendjen e turistëve iranianë dhe të huaj. Në edicionin e sotëm do të prezantojmë fiset Bakhtjari të këtij rajoni.

Fiset Bakhtjari janë prej degëve të popullit Lor dhe prej fiseve më të mëdha endacake të Iranit. Këto fise janë të përbëra nga dy degë kryesore që quhen Lang dhe Çahar Lang. Këto fise kanë në dispozicion një sipërfaqe të gjerë të territorit të provincave Çahar Mahale va Bakhtjari, Esfahan, Lorestan dhe Khuzestan. Fiset endacake Bakhtjari me një popullsi mbi 200 mijë banorë, përfshinë endacakët e jashtëm dhe endacakët e brendshëm dhe jetojnë sipas metodës tradicionale të të parëve. Endacakët e brendshëm Bakhtjari jetojnë në fshatrat e zonave rurale dhe gjysmë të nxehta, ndërsa në stinën e shpërnguljes, shkojnë në lartësitë dhe rajonet malore të kësaj province. Fiset endacake të jashtme të kësaj province nga zonat e larta dhe fushat malore të ftohta shpërngulen drejt zonave të ulëta dhe të ngrohta të provincave fqinje.

Fiset endacake Bakhtjari në kohën e shpërnguljes me një sasi të vogël të gjërave që nevojiten për jetë, kalojnë zonat e vështira dhe të rrezikshme në mes bjeshkëve Zagros dhe vendosin tendat në fushat e rrafshëta të provincës Khuzestan. Fiset Bakhtjari për shpërngulje përdorin kryesisht kafshët e ndryshme duke kaluar nëpër rrugë të vështira të cilët që nga qindra vite më parë nuk i kanë ndryshuar. Jeta e fiseve Bakhtjari bazohet mbi ekonominë tradicionale dhe prodhimet e brendshme që përfshinë kopetë e kafshëve, bujqësinë dhe artizanalet. Roli i blegtorisë në jetën fisnore është i rëndësishëm deri në atë masë saqë vazhdimi i jetës në kuadër të sistemit fisnor, varët kryesisht për llojin dhe numrin e kopeve. Blegtoritë dhe kopetë përveçse konsiderohen kapitali kryesor dhe burim për të siguruar nevojat e familjeve të fisit, përcakton edhe pozitën shoqërore të familjes së një fisi.

Shpërngulja njëkohësisht me thjeshtësinë e saj, ka vështirësi të mëdha. Fiset endacake për të vazhduar jetën e tyre, gjithmonë janë të detyruara të luftojnë me natyrën. Perspektiva e kësaj lufte për shkak të kushteve të kufizuara të shoqërisë fisnore, është e paqartë dhe shoqërohet me frikë dhe shpresë. Në një ambient të tillë bashkëpunimi i individëve me njëri-tjetrin, është një çështje e domosdoshme për vazhdimin e jetës. Ky bashkëpunim dhe solidaritet tek fiset Bakhtjari manifestohet në forma të ndryshme dhe ka rrënjë në historinë e tyre. Fusha kryesore e bashkëpunimit dhe solidaritetit fisnor, është aktiviteti i prodhimit, sidomos i kopeve. Në mesin e fiseve Bakhtjari ekzistojnë forma të ndryshme të bashkëpunimit. Për shembull, në kohën kur pakohet qumështi i kafshëve dhe sasia e tij nuk mjafton për të siguruar djathin ose yndyrën që i nevojitet një familje, familjet që kanë kope më të vogla, vendosin që çdo ditë qumështi i bagëtive të ndahet për një familje në mënyrë që ajo t'i plotësojë nevojat e veta. Shembull tjetër i bashkëpunimit tek fiset Bakhtjari, është qethja e leshit të kafshëve. Kur fisi shkon në kullosat verore, leshi i qengjave të ri bëhet gati për tu qethë, prandaj të gjitha familjet bashkëpunojnë për të qethur leshin e kafshëve. Bashkëpunim i mirë ekziston edhe në punët e bujqësisë dhe kryesisht në mbjellje dhe në korrje ose vjelje të produkteve.

Fiset Bakhtjari flasin me dialektin Lori. Dialekti Lori është një degë e gjuhëve iraniane që ka një afërsi të madhe me gjuhën persiane Dari, por gjithashtu ka edhe dallime të konsiderueshme. Njerëzit e fiseve Bakhtjari janë njerëz trima dhe të guximshëm dhe kryesisht gjatë shpërnguljes banojnë nëpër male dhe bjeshkë. Natyrisht se gjatë kalimit nëpër zonat malore shpeshherë sulmohen nga kafshë të egra ose pësojnë dëme të ndryshme edhe nga fenomenet natyrore. Gjatë rrugës një person ecë përpara dhe quhet "Xhelodar" (prijës) dhe pas tij ecin delet dhe pas tyre ecin pjesëtarët e tjerë së bashku me gjërat dhe barrën.

Zgjedhja e bashkëshortes dhe formimi i familjes në fiset Bakhtjari ka rëndësi shumë të madhe. Forcimi i marrëdhënieve familjare që konsiderohet prej nevojave të jetës fisnore, kryesisht bëhet me anë të martesës. Prandaj, martesa konsiderohet një çështje e përgjithshme. Marrëdhëniet familjare në fiset Bakhtjari janë shumë të forta dhe roli i babait në këto familje është shumë i rëndësishëm. Të gjithë pjesëtarët e familjes i japin një rëndësi të madhe babait. Mirëpo edhe nënat gëzojnë një respekt të madh dhe në mungesë të babait, nëna është përgjegjëse për familjen.

Nga pikëpamja e fiseve Bakhtjari, shkurorëzimi është një veprim i papëlqyeshëm dhe i qortuar. Për këtë arsye në mesin e familjeve të fisit Bakhtjari, shkurorëzimi vërehet shumë rrallë. Ndoshta pikërisht për këtë arsye familjet e fisit Bakhtjari i japin rëndësi të madhe ceremonisë së martesës dhe ceremonia martesore organizohet me gëzim të madh dhe me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të fisit. Pjesëmarrja e këngëtarëve dhe muzikantëve lokal dhe zhvillimi i lojërave tradicionale, i ka dhënë një zhvillim të veçantë dasmave të këtij fisi.

Ndarja e punës në mesin e individëve të familjes së fiseve Bakhtjari bëhet sipas gjinisë dhe moshës. Një pjesë e punëve në mënyrë të plotë janë të ndara vetëm për grat dhe një pjesë tjetër është e veçantë për burrat. Punët kryesore të grave në përgjithësi janë si në vijim: përkujdesja ndaj fëmijëve, gatimi i bukës, sjellja e ujit dhe druve që nevojiten për zjarr, përgatitja e ushqimit, përkujdesja ndaj qengjave dhe edhave, mjelja e bagëtive dhe prodhimi i produkteve të qumështit dhe punimi i tapeteve të ndryshëm. Punët kryesore të burrave janë si dërgimi i kopeve për të kullotur, ruajtja e kafshëve, punët bujqësore, shkuarja në qytet për shitjen e produkteve ose për sigurimin e gjërave për të cilat ka nevojë familja, pjesëmarrja në vendimmarrje, kryerja e shitblerjeve me shitësit lokal. Vlen të theksohet punë më e rëndësishme dhe më e vështirë e burrave është gjatë shpërnguljes, sepse ata gjatë këtij procesi kanë përgjegjësinë për të çuar në mënyrë të sigurt dhe të shëndosh pjesëtarët e familjeve dhe kopetë e bagëtive deri në destinacionin e caktuar duke kaluar male e lumenj.

Fiset Bakhtjari janë të njohur edhe në mikpritje dhe besojnë se mysafiri është i dërguar i Zotit dhe është begati e shtëpisë. Pjesëtarët e këtij fisi i japin rëndësi të veçantë mysafirit të panjohur dhe mundohen ta nderojnë dhe respektojnë në mënyrë sa më të mirë. Rajoni ku banojnë fiset Bakhtjari përgjatë shekujve me radhë ka qenë arenë e kalërimit të banorëve të këtij rajoni. Me plotë bindje mund të thuhet se të gjithë pjesëtarët e fiseve Bakhtjari janë të njohur me kalërimin dhe secili prej pjesëtarëve të këtyre fiseve një prej dëshirave kryesore e ka gjetjen e një kali të shpejtë për kalërim. Një prej argëtimeve të përhershme të pjesëtarëve të fiseve Bakhtjari gjatë ceremonive të dasmave dhe festave të tjera, është organizimi i garave me kuaj.

Dëgjues të nderuar tani pasi u njohëm shkurtimisht me fiset endacake Bakhtjari, duhet ditur edhe kjo se fiset endacake Bakhtjari kryesisht jetojnë në tenda. Mirëpo një pjesë e tyre ka jetës të qëndrueshme dhe stabile që jeton në shtëpi fshatare. Mbulesat e tendave në të cilat jetojnë pjesëtarët endacak të fiseve Bakhtjari, janë të qepura me lesh të dhisë, punë që e bëjnë grat e këtyre fiseve. Përdorimi i leshit të dhisë për mbulesën e tendave, nuk lejon depërtimin e shiut brenda në tendë. Tenda e zezë kryesisht ndërtohet shumë shpejtë me bashkëpunimin e një burri dhe një gruaje Bakhtjari. Në tendë kryesisht ndodhen gjërat dhe mjetet që nevojiten për jetën e përditshme të pjesëtarëve të këtyre fiseve.

Dëgjues të nderuar këtu përfundoi koha e këtij edicioni dhe mirë u dëgjofshim në edicionin tjetër.  

Tags