Qershor 25, 2017 09:27 CET
  • Ramazani, muaji i Zotit

Koha dhe vendi, vetvetiu nuk kanë kurrfarë virtyti të lartë, por janë ngjarjet e rëndësishme të cilat i japin rëndësi kohës dhe vendit.

Zoti i madhëruar shkakun e mirësisë dhe vlerës së muajit Ramazan e ka quajtur shpalljen e Kur'anit të shenjtë në këtë muaj dhe pastaj ka shpjeguar disa cilësi të dalluara të Kur'anit të shenjtë. Një prej atyre është kjo që Kur'ani i shenjtë është udhëzues dhe më e rëndësishme është kjo që Kur'ani i shenjtë përveçse udhëzon njeriun, i jep atij forcën për të dalluar të vërtetën nga e pavërteta në mënyrë që ai të arrijë deri tek e vërteta.

Në atmosferën spirituale të muajit Ramazan, secili mundohet të gjejë një rrugë të mirë për tu afruar pranë Fronit Hyjnor. E lusim Zotin e madhëruar që tu japë mundësi të gjithë agjëruesve të kryejnë me sukses të gjitha adhurimet dhe obligimet fetare gjatë këtij muaji dhe këtë edicion po e fillojmë me një lutje të bukur nga Imam Saxhad (a.s.) i cili ka thënë:

"Falendërimi i takon vetëm Allahut i cili na dhuroi neve fenë islame dhe na vendosi neve në rrugët e mira të tij. O Zot, dërgo përshëndetjet më të ngrohta për Muhamedin dhe familjen e tij dhe na inspiro neve që ta njohim më shumë këtë muaj dhe ta respektojmë në nivel të duhur dhe të largohemi nga çdo gjë që ke ndaluar Ti gjatë këtij muaji! O Zot, mbushe Ramazanin me adhurimin dhe ibadetin tonë dhe zbukuro ditët dhe netët e këtij muaji me nënshtrimin tonë ndaj urdhrave hyjnor! O Zot, na ndihmo neve që të agjërojmë ditët e këtij muaji dhe netët e tij t'i kalojmë me lutje dhe dua pranë Fronit Hyjnor!" (Një pjesë e lutjes 44 të Sahife Saxhadije).

Në muajin e Ramazanit, në qytete dhe fshatra të Iranit shfaqet një lëvizje dhe një gjallëri e veçantë. Qytetarët iranianë presin me gëzim muajin e Ramazanit dhe disa ditë para Ramazanit sigurojnë artikujt e duhur ushqimorë për Ramazan si dhe pastrojnë xhamitë dhe vendet fetare. Në këtë muaj, programet e leximit të Kur'anit të shenjtë realizohen nëpër xhami me pjesëmarrje të gjerë të myslimanëve. Këto programe zhvillohet me një gjallëri të jashtëzakonshëm nëpër xhami dhe vende fetare. Në këto kuvende, klerikët dhe mendimtarët fetarë komentojnë ajetet kur'anore dhe mbajnë ligjërata duke trajtuar tematika të ndryshme morale dhe shoqërore. Nga ana tjetër, mbledhja e besimtarëve agjërues në xhami dhe në vendet e tjera fetare, krijon një rast të përshtatshëm që ata të marrin pjesë në kryerjen e veprave të mira për të ndihmuar njerëzit që kanë nevojë. Fabrikat, administratat dhe institucionet e ndryshme për të respektuar gjendjen e agjëruesve, bëjnë ndryshime në orarin e punës dhe u japin mundësi punonjësve që të merren më tepër me kryerjen e detyrave fetare. Rituali i dhënies së iftarit në mesin e qytetarëve iranianë, është i përhapur në masë të gjerë ashtu si në vendet e tjera islame. Dhënia e lëmoshës dhe vizita e miqve dhe e të afërmëve gjatë kohës së iftarit, është gjithashtu një zakon i përhapur në mesin e familjeve iraniane. Të rinjtë të cilët për herë të parë agjërojnë këtë muaj, marrin shumë dhurata që të inkurajohen për të agjëruar dhe të kenë një kujtim të bukur nga muaji i Ramazanit. Gjatë këtij muaji edhe tregu i ëmbëlsirave ka një zhvillim të madh. Natyrisht çdo qytet ka ëmbëlsirat e veçanta tradicionale. Gjithashtu, restorantet përgatisin ushqime të veçanta për muajin e Ramazanit dhe i ofrojnë ato për myshterinjtë. Në kohën e syfyrit, familjet besimtare në një atmosferë me plotë dashuri, hanë ushqimin e syfyrit. Familjet besimtare pas ngrënies së ushqimit të syfyrit dhe dëgjimit të ezanit të mëngjesit, marrin abdest dhe falin namazin e mëngjesit. Disa të tjerë shkojnë në xhami për ta falur namazin me xhemat. E lusim Zotin që të gjithë neve të na mundësojë të jemi pjesë e agjëruesve të muajit Ramazan dhe të shfrytëzojmë rastet e tij të pashembullta.

Muaji i Ramazanit në Irani

Muaji i Ramazanit në Irani

Tani do të dëgjojmë ajetin 185 të sures Bekare.

"شَهْرُ رَمَضانَ الَّذی أُنْزِلَ فیهِ الْقُرْآنُ هُدىً لِلنَّاسِ وَ بَیِّناتٍ مِنَ الْهُدى‏ وَ الْفُرْقانِ فَمَنْ شَهِدَ مِنْکُمُ الشَّهْرَ فَلْیَصُمْهُ وَ مَنْ کانَ مَریضاً أَوْ عَلى‏ سَفَرٍ فَعِدَّهٌ مِنْ أَیَّامٍ أُخَرَ یُریدُ اللَّهُ بِکُمُ الْیُسْرَ وَ لا یُریدُ بِکُمُ الْعُسْرَ وَ لِتُکْمِلُوا الْعِدَّهَ وَ لِتُکَبِّرُوا اللَّهَ عَلى‏ ما هَداکُمْ وَ لَعَلَّکُمْ تَشْکُرُونَ ."

"Muaji i Ramazanit, është muaji në të cilin ka zbritur Kur'ani i shenjtë i cili është udhëzues për njerëzit dhe argument i qartë për udhëzim dhe për ndarjen e të vërtetës nga e pavërteta. Prandaj ai i cili e përjeton këtë muaj, duhet ta agjërojë atë, ndërsa ai i cili është i sëmurë ose është në udhëtim, ditët që ka humbur duhet t'i agjërojë në një kohë tjetër. Zoti i madhëruar dëshiron për ju lehtësi dhe nuk dëshiron vështirësi dhe (dëshiron) që ju të agjëroni plotësisht numrin e caktuar të ditëve dhe të lartësoni Zotin në shenjë të falënderimit të asaj që Ai ju ka udhëzuar juve dhe bëhuni falënderues". (Surja Bekare, 185)

Zoti i madhëruar në këtë ajet, pasi shpjegon urdhrin dhe domethënien e agjërimit dhe sa ditë duhet të jetë agjërimi, thotë se ato ditë të caktuara përbëjnë muajin e bekuar të Ramazanit. Muajin i cili është më i mirë se muajt e tjerë. Natyrisht se koha dhe vendi, vetvetiu nuk kanë vlerë të veçantë, por janë ngjarjet e rëndësishme ato të cilat i japin rëndësi kohës dhe vendit. Zoti i madhëruar në këtë ajet kur'anor shpjegon shkakun e mirësisë dhe vlerës së muajit Ramazan dhe ai është ky se në këtë muaj është shpallur Kur'ani i shenjtë dhe pastaj paraqet disa cilësi të dalluara të Kur'anit të shenjtë. Një prej atyre cilësive është kjo që Kur'ani i shenjtë është udhëzues dhe më e rëndësishme është kjo që Kur'ani i shenjtë përveçse udhëzon njeriun, i jep atij forcën për të dalluar të vërtetën nga e pavërteta në mënyrë që ai ta gjejë të vërtetën më lehtë.

Ky ajet vë në dukje dispozitat islame dhe thotë: "Secili që është i sëmurë ose udhëtar, nuk duhet të agjërojë dhe ato ditë duhet t'i agjërojë në një kohë tjetër". Prandaj nëse për shkak të sëmundjes ose udhëtimit, ju nuk keni mundur të agjëroni, duhet të agjëroni, po aq ditë në një kohë tjetër. Ai i cili beson në Zotin, duhet ta lartësojë Zotin në shenjë falënderimi që Ai e ka udhëzuar atë. Më pas në pjesën e fundit të ajetit, jepet urdhri për lartësimin e Zotit në mënyrë që të bëhet e qartë se agjërimi bëhet për ta lartësuar Zotin dhe në fund besimtari duhet ta falënderojë Zotin për udhëzimin e tij.

Khaxhe Abdullah Ansari në një rast ka thënë: "Muaji i Ramazanit është caktuar për këtë arsye që trupi jonë të digjet në zjarrin e urisë dhe me ujin e pendimit të pastrohen  zemrat e mëkatarëve. Pra, o i mjerë! Dije vlerën e kësaj mirësie se të gjithë këtë privilegj e kanë vendosur pranë këmbëve tua! Ashtu sikur që Islami është feja më e përkryer, ajo ka ardhur për ty, Kur'ani i cili është më i madhëruar nga të gjithë librat, ka zbritur për ty. Muhamed Mustafa s.a.v.s., i cili është prijësi i të gjithë njerëzve të botës, u bë Profeti yt. Qabja e cila është shtëpia më e nderuar, u bë Kibla jote. Muaji i Ramazanit, i cili është muaji më i mirë nga të gjithë muajt, muaji në të cilin falën mëkatet, dëbohen djajtë dhe mbyllen dyert e ferrit, është vendosur në dispozicion që ti të përfiton nga ai!".

Miq të nderuar tani po paraqesim disa këshilla shëndetësore për muajin e Ramazanit.

Në edicionin e kaluar thamë se Zoti i madhëruar në urdhrin e agjërimit, i ka përjashtuar nga kjo detyrë personat e sëmurë dhe të paaftë. Në bazë të këtij urdhri hyjnor, nganjëherë disa individë me shqetësimin më të vogël, nuk pranojnë të agjërojnë. Kjo është në kohën kur Zoti i madhëruar në suren Bekare thotë se Ai dëshiron lehtësi për ju" përndryshe Ai vet ka marrë parasysh sjelljen dhe natyrën e njeriut dhe në bazë të asaj ka caktuar agjërimin për njeriun si adhurim për Zotin. Prandaj Ai thotë se agjërimi për ju është më i mirë, nëse e dini.

Aktualisht është bërë e qartë se ky obligim fetar ushtron ndikim shëndetësor shumë pozitiv dhe bëhet shkak që agjëruesit e vërtetë të përfitojnë nga karakteristikat e tij pozitive të agjërimit për ndërtimin e trupit, psikikës dhe për të siguruar shëndetin shpirtëror. Shkenca dhe eksperienca ka treguar se agjërimi në shumë persona të sëmurë, jo vetëm që nuk krijon probleme, por bëhet shkak për kontrollimin e sëmundjeve, lehtësimin dhe në disa raste edhe kurimin e sëmundjeve.

Ushqyerja në muajin Ramazan

Dr. Karlo, mjek amerikan, shkruan: "Çdo person i sëmurë, për çdo vit duhet të heq dorë nga ushqimi për një kohë të caktuar gjatë vitit, për arsye se derisa ushqimi hyjnë në trup, mikrobet janë duke u zhvilluar, mirëpo kur i sëmuri heq dorë nga ushqimi, mikrobet shkojnë duke u dobësuar... Agjërimi të cilin e ka obliguar Islami, është garantuesi më i madh i shëndetit".

Nga aspekti i shkencës së mjekësisë, agjërimi pastron trupin dhe është pastrim më i mirë i trupit, sidomos i sistemit të tretjes. Prandaj, agjërimi bëhet shkak për krijimin e trupit të freskët dhe të liruar nga helmimet. Duke marrë parasysh faktin se shumica e sëmundjeve rrjedhin si pasojë e brumosjes së ushqimit në lukth dhe zorrë, me agjërim ky problem mënjanohet tërësisht.

Dr. Zahra Abdullahi, specialiste për ushqyerje, thotë: "Shumë studime të ndryshme kanë treguar rolin pozitiv të agjërimit në kurimin e sëmundjeve të ndryshme. Për kurimin e shumë sëmundjeve që shkaktohen nga zakonet e gabuara të ushqyerjes, trashja dhe shtimi i peshës, agjërimi është shumë i dobishëm. Studimet kanë treguar se agjërimi për personat të cilët kanë sasi të madhe të yndyrës në gjak, është shumë i dobishëm. Kjo është për arsye se Agjërimi sistemon sasinë e yndyrave jo të duhura që ekzistojnë në gjak dhe shton sasinë e yndyrave të dobishme në gjak". Dr. Abdullahi thekson: "Gjatë agjërimit, sistemi i tretjes për disa orë mbetet i zbrazët. Me fjalë të tjera, ky sistem dhe sistemet e tjera që janë të implikuar në një mënyrë ose në një tjetër me tretjen dhe pranimin e lëndëve ushqimore, gjatë agjërimit pushojnë dhe pas agjërimit ato kryejnë funksionin e tyre më mirë".

Ushqyerja në muajin e Ramazanit

Çështje tjetër është kjo që agjëruesit, për shkak të frikës nga etja, gjatë këtij muaji konsumojnë më pak krip dhe në këtë mënyrë ata përballen me konsumim të përshtatshëm të sodiumit dhe gjatë këtij muaji më pak përjetojnë presion të lartë të gjakut. Nëse shumica e individëve pas përfundimit të muajit të Ramazanit nuk konsumojnë krip jashtë mase, nuk do të kenë më presion të lartë të gjakut.

Ndjekja e një programi të drejtë të ushqyerjes gjatë muajit të Ramazanit, ka rëndësi të veçantë në mënyrë që edhe të përmirësojnë zakonet e gabuara të ushqyerjes, por edhe të përfitojnë nga begatitë shpirtërore të Ramazanit.

Tags