Korrik 09, 2017 09:30 CET

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Ejani me ne në Iran".

Në vazhdim të udhëtimit tonë në qytetin Tabriz, qendër e provincës Azerbajxhani Lindor në veriperëndim të Iranit, do të prezantojmë monumentet dhe objektet e tjera historike të këtij qyteti.

Qyteti Tabriz gjatë historisë ka qenë edhe një ndër qendrat e rëndësishme për kultivimin e dijetarëve fetarë, mendimtarëve dhe poetëve të njohur iranianë. Padyshim se Tabrizi në këtë kuadër ka një pozitë të veçantë në mesin e qyteteve të Iranit sepse ka dhënë shumë figura të shquara fetare, gnostike dhe poetike. Në këtë rajon të Iranit kanë jetuar dhe vepruar shumë personalitete të mëdha që emri i disa prej tyre është lidhur ngushtë me historinë e Iranit. Ajetullah  Kazi Tabatabai dhe Ajetulla Madani janë dy dijetarët e shquar të këtij qyteti të cilët janë martirizuar nga terroristët kundërshtarë të Revolucionit Islamik të Iranit në kohën kur ata ishin Mihrab të xhamisë duke falur namaz. Alame Muhamed Taghi Xhaferi, Alame Sejed Husejn Tabatabai dhe Alame Abdulhusejn Amini, janë personalitete të tjera të shquar nga  provinca e Azerbajxhanit Lindor në fushën e shkencave fetare. Mir Ali Tabrizi, themeluesi i stilit të shkrimit "Nastalik", gjithashtu ishte nga qyteti i Tabrizit.

Në mesin e zonave të ndryshme të qytetit Tabriz, është një zonë që quhet "Kuje Sorkhab" e cila për shkak se është e lidhur me poetë të njohur, ka një vlerë të madhe për qytetarët e Tabrizit, deri në atë masë saqë shumë qytetarë të këtij rajoni kanë dëshirë të jetojnë ose të varrosen në këtë zonë. Objektet kulturore, historike dhe fetare si Rob'e Rashidi, Teqja Sadr, tyrbja e Aun bin Ali, tyrbja e Sejed Hamze, tyrbja Saheb Al-Amr, tyrbja Baba Hasan, tyrbja Baba Mazid, objekti Safvatu Safa dhe Varreza e Poetëve, kanë shtuar edhe më tepër vlerën sipirituale të lagjes Kuje Sorkhab. Në vazhdim po prezantojmë disa prej këtyre objekteve.

Tyrbja dhe xhamia Sejed Hamze është një prej objekteve fetare që ndodhet në lagjen Sorkhab të Tabrizit. Gdhendjet dhe punimet e bukura mbi gurë në këtë objekt, tregojnë madhërinë e objektit të parë të kësaj ndërtese. Piktura të bukura që janë gdhendur në mënyrë të dalluar, kanë shtuar edhe më shumë bukurinë artistike të objektit. Viti i ndërtimit të objektit të parë të kësaj ndërtese është viti 714 hixhri kameri. Objekti në fjalë është rindërtuar dhe meremetuar disa herë.

Aty afër pranë tyrbes Sejed Hamze, ndodhet edhe Varreza e Poetëve të Tabrizit. Varreza e poetëve të Tabrizit, është një kompleks i pasur i letërsisë persiane e cila shtrihet më gjerë se sa kufijtë e sotëm të Iranit. Burimi më i vjetër që flet në lidhje me këtë varrezë, është libri "Nez'hatul-Kulub" i autorit Hamdullah Mosteufi i shkruar në vitin 740 hixhri kameri. Pas tërmeteve të viteve 1193 dhe 1194 hixhri kameri, Varreza e Poetëve që ishte vendi i varrimit të shumë poetëve dhe gnostikëve, ka pësuar dëme të mëdha. Duke marrë parasysh rëndësinë e këtij vendi, pas këtyre shkatërrimeve është ndërtuar një objekt memorial me arkitekturë të re në këtë vend. Ndërtimi i këtij objekti memorial në hapësirën kulturore të Varrezave të Poetëve, ka filluar në vitin 1972 dhe është plotësuar pas fitores së Revolucionit Islamik të Iranit. Objekti në fjalë konsiderohet një prej veprave më të dalluara në arkitekturën bashkëkohore të Iranit. Bukuria e këtij objekti nga aspekti i estetikës, ka atraktivitet shumë të madhe për vizitorët.

Në bazë dokumenteve historike, në Varrezën e Poetëve të Tabrizit janë varrosur rreth 400 poetë, gnostik dhe personalitete të shquara të Iranit dhe të vendeve të rajonit që nga 800 vite më parë dhe varri më i vjetër në këtë vend është ai i Asadi Tusi, poet i shekullit të katërt hixhri kameri. Disa prej poetëve të tjerë të njohur që janë varrosur në këtë varrezë mund t'i përmendim Katran Tabrirzi, Muxhirudin Bikani, Khani Shirvani, Zuhejrudin Farjabi, Shahpur Nishabir, Shamsudin Saxhasi, Khaxhe Hamam Tabrizi, Mani Shirazi, Shakiba Tabrizi, Lisani Shirazi, Zuflfikar Shirvani dhe Sejed Muhamed Husejn Shahrjar.

Shejkh Muhamed Khejabani, Mirza Ali Thekatul-Islam Tabrizi, Dr. Mahdi Roshan Zamir, Profesor Taher Khoshnavis Tabrizi, Mahmud Melmasi dhe Sejed Jusef Naxhmi; janë figura të tjera të shquara fetare dhe kulturore që janë varrosur në Varrezat e Poetëve të Tabrizit.

Përveç Varrezave të Poetëve, edhe tyrbja Sahebul-Amr është një prej objekteve historike dhe kulturore të Tabrizit. Ky objekt është ndërtuar në kohën e mbretit Tahmaset të dinastisë Safavite dhe është shkatërruar nga ushtria e Sulltan Muratit të Katërt të Perandorisë Osmane. Kjo tyrbe pas një periudhe është meremetuar, por si pasojë e tërmetit është shkatërruar përsëri dhe në vitin 1793, është rindërtuar. Në vitin 2002, në këtë kompleks është themeluar edhe muzeu i Kur'anit dhe i kaligrafisë. Në këtë muze ruhen kopje shumë të bukura dhe me vlerë të Kur'anit të shenjtë që i përkasin periudhave të ndryshme historike, si dhe copa të kaligrafisë të artistëve të njohur iranianë. Përveç kësaj, në këtë muze ruhen edhe disa manuskripte në dorëshkrim, vepra artistike me mozaik dhe enë prej balte dhe parceloni të zbukuruara me ajete kur'anore. Një prej veprave të çmuara që ruhen në këtë muze është edhe teksti i një faqe të Kur'anit të shenjtë për të cilën thuhet se është shkruar me dorë të Imam Reza (a.s.) mbi një copë lëkurë. Një mbishkrim me shkrimin me kunja që i përket periudhës së dinastisë Ilami, është prej veprave të tjera historike që ruhen në këtë muze. Gjithashtu, në këtë muze ruhet edhen Kur'ani më i vogël i zbukuruar me flori dhe i punuar pa xham zmadhues.

Miq të nderuar më lartë thamë se një prej poetëve që është varrosur në Varrezën e Poetëve, është edhe poeti i njohur bashkëkohor iranian Muhamed Husejn Shahrejar. Prandaj në këtë edicion po e shfrytëzojmë rastin dhe po e prezantojmë shkurtimisht këtë poet bashkëkohor iranian.

Muhamed Husejn Shahrjar ka lindur në vitin 1907 në qytetin Tabriz. Gjatë periudhës kur qyteti i Tabrizit ishte kapluar nga ngjarjet e përgjakshme të Revolucionit të Kushtetutës, babai i tij e dërgon atë në fshat dhe periudha e rinisë së poetit ka kaluar në prehrin e natyrës. Poema e bukur e tij me titullin "Hejdar Baba" është vepër e kujtimeve të asaj periudhe të poetit. Sharjar në moshën 6 vjeçare u kthye në Tabriz dhe pranë babait të tij filloi të mësojë mësimet fillestare në gjuhën dhe letërsinë arabe. Ai më pas për të vazhduar shkollimin sipas metodës moderne, shkoi në shkollë ku mësoi gjuhën franceze, shkencat fetare dhe kaligrafinë.

Shahrjar në moshën 13 vjeçare, poezitë e tij i ka botuar me epitetin "Behxhat" në revistën "Adab". Ai në vitin 1923, për herë të parë shkoi në Teheran dhe vitin tjetër filloi studimet në shkollën e njohur "Darul-Funun". Shahrjar në Teheran e zgjodhi epitetin "Shahrjar". Ai, njëkohësisht me studimin në shkollën Darul-Funun, ka vazhduar edhe studimin e shkencave fetare dhe në vitin 1346 hixhri kameri, hyri në shkollën e mjekësisë. Që nga kjo kohë fillon periudha e bujshme dhe me plotë batica dhe zbatica dhe fama e tij u përhap edhe jashtë kufijve të Iranit. Shahrjar me talent të madh krijonte poezi në gjuhën persiane dhe azere (turke). Në vitin 1953, u martua dhe kishte tre fëmijë. Shahrjar pas një sëmundje të gjatë, vdiq në vitin 1988.

Muzeu Letrar Ostad Shahrjar është themeluar si memorial për jetën dhe veprën e poetit të njohur iranian Muhamed Husejn Shahrjar dhe ndodhet në lagjen Maksudije, një prej lagjeve të vjetra të Tabrizit. Ky muze edhe pse nga aspekti i arkitekturës nuk ka ndonjë karakteristikë të veçantë, por nga aspekti spiritual është një vend me vlerë për historinë e letërsisë së Iranit. Kjo është për arsye se ky objekt për shumë vite ishte vendi në të cilin ka jetuar dhe vepruar poeti i njohur iranian Shahrjar. Objekti në fjalë disa vite pas vdekjes së poetit Shahrjar, është blerë nga bashkia e Tabrizit dhe aktualisht ndodhet nën administrimin e këtij institucioni. Shtëpia e poetit Shahrjar është ndërtuar në një sipërfaqe 250 m2 në dy kate. Në këtë muze ruhen të gjitha veprat dhe gjërat personale, shkrimet  dhe veprat artistike të poetit Shahrjar.

Tags