Korrik 09, 2017 09:31 CET

Në këtë edicion do të flasim rreth bazave ideologjike të selefistëve takfiristë në refuzimin e autoritetit të arsyes dhe mosmarrëveshjet mes pikëpamjeve të tyre dhe shumicës së ndjekësve të shkollave të tjera islame.

Kritikë ndaj bazave ideologjike dhe qasjes pragmatike të lëvizjeve takfiriste

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar, jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Kritikë ndaj bazave ideologjike dhe qasjes pragmatike të lëvizjeve takfiriste". Në edicionin e kaluar pasi shpjeguam mënyrën e formimit të grupit terrorist dhe takfirist ISIS, bëmë një kritikë ndaj bazave ideologjike të këtij grupi dhe të grupeve të tjera takfiriste dhe terroriste. Një prej bazave ideologjike të selefistëve takfiristë është refuzimi i arsyes në konkludimet që nxjerrin nga ajetet kur'anore dhe hadithet profetike. Arsyeja nuk ka kurrfarë pozite në pikëpamjen e selefistëve. Ata besojnë se Kur'ani dhe hadithi i Profetit s.a.v.s. përmbajnë të gjitha parimet dhe dispozitat e duhura të fesë dhe nuk ekziston nevoja fare për arsyen. Një prej kuptimeve më të rëndësishme të arsyes-mendjes në këtë rast është dituria dhe shkenca racionale njerëzore që nga pikëpamja e grupeve takfiriste, ajo është një fitne ose intrigë e cila e bënë njeriun të ndjehet se nuk ka nevojë për Zotin. Grupet takfiriste si ISIS, gjithashtu me një bazë të tillë ideologjike, nuk i japin kurrfarë vlere arsyes si një burim i njohjes dhe konkludimit të dispozitave fetare. Kjo është në kohën kur Kur'ani në mënyrë të vazhdueshme e thirr njeriun për të mësuar, për të menduar dhe logjikuar. Në ajetet e para të shpallura për Profetin e nderuar të Islamit s.a.v.s., është urdhëruar për lexim dhe është treguar rëndësia e lapsit dhe diturisë. Kjo konsiderohet një krenari e Islamit e cila tregon se kjo është një fe e cila i kushton një rëndësi të veçantë diturisë, kulturës, vetëdijesimit dhe të menduarit. Nga aspekti i metodologjisë, rruga dhe metoda e selefistëve takfiristë thekson në superioritetin e të kuptuarit të gjeneratës së parë selef dhe ata besojnë se të gjithë duhet të ndjekin të kuptuarin e selefëve, për arsye se vetëm të kuptuarit e selefëve është i pastër dhe të kuptuarit e tjerë nuk kanë kurrfarë lidhje me Islamin, por vetëm e shtojnë devijimin e njerëzve. Nga pikëpamja historike fjala selef deri para Ibn Tejmije, përdorej nga studiuesit e shkencës së hadithit në kuptimin e saj të përgjithshëm, do të thotë gjeneratë e kaluar. Derisa Ibn Tejmije nga kjo fjalë e krijoi një kuptim terminologjik fals. Ndërsa Muhamed bin Abdulvehab duke paraqitur një interpretim ekstremist nga ky term, përfitoi për të shpallur jobesimtarë myslimanët e tjerë.  

Muhamed bin Abdulvehab

Në përgjithësi mund të thuhet se me fjalën selef janë për qëllim të kaluarit e mirë të Ummetit të cilët kanë jetuar në tre shekujt e parë të Ummetit Islam dhe burim i këtij termi është një hadith i Profetit s.a.v.s. i cili është transmetuar nga Ibn Mas'ud edhe në librat Sahih Muslim dhe Sahih Bukhari. Kuptimi i këtij hadithi është ky: "... njerëzit më të mirë janë ata që jetojnë në epokën time. Pastaj ata të cilët vijnë pas tyre. Ndërsa pas tyre do të vijnë disa njerëz që dëshmia e secilit prej tyre, shkel besën e tyre dhe besa e secilit prej tyre shkel betimin e tyre". Ibn Tejmije dhe ndjekësit e tij duke u bazuar në këtë hadith, njerëzit e tre shekujve të parë të Islamit i konsiderojnë standard për ndarjen e të vërtetës nga e pavërteta dhe e pranojnë plotësisht atë çfarë është vepruar gjatë asaj kohe ose selefët në mënyrë praktike e kanë konfirmuar atë. Prandaj selefizmi do të thotë ndjekja e të kuptuarit dhe metodës së sahabëve dhe tabeinëve dhe tabe tabeinëve të shekullit të dytë dhe të tretë hixhri kameri. Kjo metodë u bë shkak që ata të ngujohen vetëm në aspektin sipërfaqësor të teksteve të transmetimit dhe të kundërshtojnë çfarëdo lloj interpretimi apologjetik-filozofik në lidhje me metodën dhe traditën e selefëve dhe transmetimit. Kjo çështje edhe në aspektin shoqëror u bë shkak për krijimin e sektarizmit dhe krijoi rrethanat për paraqitjen e takfirizmit duke i konsideruar të humbura të gjitha shkollat e tjera islame. Kjo është për arsye se pasoja më e rëndësishme e selefizimit është kthimi i Khalifatit Islamik dhe sistemet e tjera shtetërore konsiderohen sisteme të periudhës së injorancës, prandaj duke u kthyer në metodën e selefëve, ato duhet të reformohen dhe të ndryshohen. Nga kjo pikëpamja, të gjitha organizatat dhe qarqet kombëtare dhe ndërkombëtare të sotme për shkak se ndjekin baza dhe parime jo islame në fushën e bindjeve fetare, parimeve morale etj., janë jo islame dhe e meritojnë të refuzohen dhe të shkatërrohen. Ky selefizëm sipërfaqësor u bë shkak që edhe grupi terrorist ISIS si ndjekës të selefizmit dhe duke pretenduar se bazohet në ajetet kur'anore dhe në hadithet e Profetit s.a.v.s., po kryen krimet e tij në vendet e ndryshme. Selefizmi nga shumë aspekte mund të kritikohet. Mbështetja e selefistëve takfiristë në një hadith të Profetit s.a.v.s. i cili ka thënë se njerëzit më të mirë janë ata të epokës time, përmban çështje të rëndësishme. Komentimi i shprehjes "khajrul-kurun" në 300 vite, në asnjë mënyrë nuk ka bazë dhe është një perceptim plotësisht i gabuar nga ky hadith. Kjo është për arsye se fjala "karn" në gjuhën arabe, për kundër termit bashkëkohor, nuk do të thotë 100 vjet, por kjo fjalë në atë kohë kishte kuptimin e një grupi njerëzish të cilët në një kohë të caktuar jetojnë së bashku dhe pastaj një grup tjetër njerëzish e merr vendin e tyre. Kur'ani i shenjtë, gjithashtu fjalën "karn" e ka përdorur në këtë kuptim. Fjala "kurun" në Kur'anin e shenjtë është përdorur shatë herë dhe në asnjërin prej këtyre rasteve kjo fjalë nuk është përdorur si një term me kuptimin e 100 viteve ose shekullit.

Ibn Haxher Askelani gëzon një reputacion shumë të lartë në shkencat islame dhe si hafëz i Kur'anit të shenjtë. Mendimi i tij në lidhje me shkencat islame gjithnjë merret në konsideratë nga dijetarët islamë në mbarë botën. Hafidh Xhalaludin Sujuti, Ibn Haxher Askelanijun e përshkruan në këtë mënyrë: "Ai ishte imam dhe hafëz dhe në kohën e tij ka ushtruar funksionin e gjykatësit suprem. Të eturit e shkencës dhe hadithit nga e gjithë bota shkonin pranë tij për të mësuar hadithe. Ai ishte autoriteti më i lartë si njohës i haditheve". Ibn Haxher në komentimin e hadithit "Khajrul-kurun..." do të thotë të hadithit të lartpërmendur, këtë shprehje e ka shpjeguar me kuptimin e njerëzve të një kohe. Por edhe nëse supozojmë se komentimi i kësaj shprehje me 300 vite është i drejtë, atëherë shtrohet pyetja se si mund të konsiderohen ata tre shekuj si shekujt më të mirë në kohën kur e gjithë ajo çfarë ndjekësit e hadithit e quajnë "bidat" - risi, ka ndodhur në ata tre shekujt e parë? Sektet si Khavarixh, murxhije dhe shumë të tjera të ngjashme, janë paraqitur pikërisht në atë periudhë kohore. Njëkohësisht me këtë, duhet thënë se edhe vetë paraqitja e superioritetit për të kuptuarin e selefëve dhe mbështetja në atë si e vetmja rrugë e së vërtetës, nuk është e pastër nga bidati dhe papastërtitë. Ndërkohë që edhe vetë ata kanë shtuar shumë konkludime dhe gjykime në të kuptuarin e selefëve dhe tani po e i prezantojnë ato gjykime si bindje të selefëve në botën islame. Përkufizimi i tyre ndaj koncepteve si shirku, njëshmëria, adhurimi, selef etj., nuk ka kurrfarë përputhje me mendimin e selefëve, por këto janë konkludime dhe gjykime të vetë selefistëve të cilat i përdorin për të kritikuar dhe kundërshtuar kundërshtarët e tyre. Në lidhje me këtë mund të referohemi në librin e Ramadan Al-Buti i titulluar "Selefizmi, bidat apo medhheb". Ai vetë selefizmin e konsideron si shkaktar të bidatit që është i dëmshëm për shoqërinë islame, sepse pengon hulumtimin, ixhtihadin dhe nxjerrjen e dispozitave të tjera në çështjet intelektuale dhe rreth bindjeve fetare dhe si rezultat krijon pengesa serioze për përhapjen e Islamit.  

Muhamed Sa'id Ramadan Al-Buti

Përpjekje e selefistëve për t'i dhënë vlerë selefëve, do të thotë dhënia e autoritet atyre në të gjitha dimensionet. Selefistët mundohen që duke u dhënë autoritet selefëve, të gjitha veprat dhe fjalët e tyre, t'i bëjnë shembull ose model për epokën bashkëkohore dhe t'u heqin të drejtën gjeneratave të ardhshme për të menduar dhe logjikuar. Mirëpo, pavarësisht të gjitha problemeve që ndodhen përpara konceptit selef, çfarë është qëllimi i ndjekjes në pikëpamjen e selefizmit? Qëllimi i tyre është ky që të gjitha fjalët dhe veprimet e sahabëve, tabeinëve dhe tabe tabeinëve duhet të ndiqen në të gjitha fushat e jetës aktuale duke përfshirë bindjet fetare, çështjet politike, shoqërore dhe ekonomike. Selefistët ekstremistë çfarëdo lloj ndryshimi në rrugën dhe metodën e selefëve, e konsiderojnë bidat dhe të ndaluar në bazë të Sheriatit. Ajo që ka rëndësi në këtë pikëpamje, është kjo që metoda e selefëve në një farë mënyre bëhet autoritet për gjeneratat e ardhshme në të gjitha fushat shoqërore, politike, kulturore, fetare dhe juridike. Tani të dëgjojmë fjalët e Ghazaliut, mendimtarit të njohur sunit në lidhje me ndjekjen e selefëve. Abu Hamid El-Ghazali thotë: "Ajo çfarë ka ardhur nga Profeti s.a.v.s. te ne, atë e kemi pranuar me mendje dhe sy. Ajo çfarë ka arritur te ne nga sahabët, një pjesë e kemi marrë dhe një pjesë e kemi lënë. Mirëpo sa i përket asaj që ka ardhur nga tabeinët, dijeni se ata kanë qenë njerëz dhe ne jemi njerëz". Dallimi i parë mes ehli sunetit dhe ideve të devijuara të selefizmit, është në lidhje me konceptin e selefit dhe kufijtë e ndjekjes. Selefizmi ka prishur të gjitha kufijtë e eheli sunetit dhe ka paraqitur një pikëpamja të re. Selef edhe në pikëpamjen e shkollës shiite, ka kredibilitet, mirëpo gjithmonë ky termë shoqërohet me kushtin "salih"  do të thotë selefe salih. Përkundër ehli sunetit që besojnë se të gjithë sahabet kanë qenë të drejtë, nga pikëpamja e shkollës shiite, disa sahabe kanë kryer veprime të cilat i kanë rrëzuar ata nga pozita e të qenurit të drejtë. Prandaj nuk mund të konsiderohet të gjithë sahabët të drejtë dhe të ndiqen në mënyrë verbale. Shiizmi në bazë të dëshmisë së Kur'anit dhe gjithashtu duke marrë parasysh konfliktet dhe luftërat që janë zhvilluar mes sahabeve, mbështetët në ekzistimin e hipokritëve në mesin e sahabeve. Gjithashtu ekzistojnë shumë ajete të Kur'anit të shenjtë të cilët i qortojnë disa sahabe për shkak të veprimeve të papëlqyeshme të tyre. Për këtë arsye, gjithashtu nuk mund të pranohet se të gjithë sahabet ishin të drejtë, e nuk bëhet fjalë pastaj për tabeinët dhe tabe tabeinët që shumë argumente dhe dëshmi ekzistojnë për të treguar padrejtësinë dhe veprimet e papëlqyeshme të tyre. Kështu që nga pikëpamja e shiizmit, vetëm një grup i ngushtë i sahabeve me në krye Ehli Bejtin (a.s.) e meritojnë të ndiqen në veprime sepse kështu është urdhëruar edhe me Kur'an edhe me hadith të Profetit s.a.v.s..

Tags