Shkurt 02, 2018 10:58 CET

Ky është edicioni i fundit i programit “Kritikë ndaj bazave ideologjike dhe qasjes pragmatike të lëvizjeve takfiriste”.

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar, jemi pranë jush me edicionin e fundit të programit “Kritikë ndaj bazave ideologjike dhe qasjes pragmatike të lëvizjeve takfiriste”. Gjatë 30 edicioneve të këtij programi jemi munduar të paraqesim një qasje kritike rreth natyrës dhe pikëpamjeve të ndryshme të lëvizjeve takfiriste terroriste. Gjatë këtij programi gjithashtu jemi munduar që bazat ideologjike, veprimet dhe sjelljet e dhunshme të grupeve takfiriste sidomos të grupit ISIS, t’i krahasojmë me mësimet drejtësidashëse, paqedashëse dhe humaniste të fesë qiellore të Islamit. Burimet e këtij krahasimi kanë qenë Kur’ani i shenjtë, suneti i Profetit Muhamed s.a.v.s. dhe pikëpamjet e Ehli Bejtit (a.s.). Takfirizmi është një lëvizje e krijuar nga leximet e ndryshme të selefistëve radikal dhe vehabistëve të cilët myslimanët e tjerë i akuzojnë për idhujtari dhe dalje nga feja vetëm për arsye se nuk pajtohen me mendimet e tyre. Akuza për dalje nga feja e myslimanëve, gjithmonë ka pasur ndikim dhe pasoja të hidhura për shoqëritë islame. Një prej pasojave të ideve të tilla është vrasja e myslimanëve të cilët sipas pikëpamjes së lëvizjeve takfiriste konsiderohen jobesimtarë. Ashtu siç ndodh edhe sot kur grupet e lidhura me lëvizjen takfiriste kanë krijuar skena të tmerrshme të vrasjes dhe dhunës kundër myslimanëve dhe njerëzve të pafajshëm në Irak, Siri, Jemen, Afganistan dhe në disa vende afrikane. Leximi i veçantë i takfiristëve rreth Teohidit është bërë shkak për zgjerimin e rrethit të mosbesimit dhe idhujtarisë duke i shpallur jobesimtarë shumicën e myslimanëve. Bindjet që po paraqesin lëvizjet takfiriste, nuk është një interpretim i barabartë me burimin. Ata me perceptim të devijuar dhe duke u bazuar vetëm në anën sipërfaqësore të Kur’anit të shenjtë dhe të hadithit dhe duke refuzuar burimin e arsyes, po prezantojnë një imazh të dhunshëm dhe irracional nga Islami. Ndërkohë që Islami është një fe e cila i mëson njeriut rrugën e drejtë të jetës dhe virtytet njerëzore dhe është në përputhje me arsyen dhe logjikën. Mirëpo ideologjia e takfiristëve nuk ka rrënjë racionale dhe baza të drejta shkencore.

Abu Omar Al-Shishani, një prej krerëve të lëvizjeve takfiriste

ISIS dhe grupet takfiriste nuk mund të konsiderohen lëvizje të krijuara nga nevojat dhe kërkesat reale dhe natyrore të botës islame, por ato janë një fenomen i papërputhshëm dhe i panatyrshëm i cili është krijuar nga faktorë dhe ndryshime të tjera. Sipas dokumenteve dhe dëshmive të vlefshme, këto lëvizje ashtu si sekti i vehabizmit janë në harmoni me një pjesë të strategjisë së perëndimit për krijimin e përçarjeve dhe ndarjeve në botën islame dhe janë krijuar me qëllim që faktorët e huaj të depërtojnë më shumë në gjeografinë e botës islame. Një prej qëllimeve të kësaj politike, është dobësimi i boshtit të Rezistencës, ndryshimi i kufijve gjeografik dhe dobësimi sa më shumë i vendeve myslimanëve në kuadër të interesave hegjemoniste të shteteve perëndimore dhe mbështetjes ndaj regjimit sionist. Kjo është në kohën kur regjimi sionist nga konfliktet mes myslimanëve, përfiton më së shumti. Grupet takfiriste konsiderohen pjesë e politikës islamobosite të perëndimit. Vazhdimi i veprimeve të dhunshme dhe barbare të ISIS, ka krijuar një rast të veçantë për sulme mediale të perëndimit kundër Islamit. Ata me publikimin e pamjeve të prerjes së kokave të njerëzve të pafajshëm në emër të Islamit, mundohen të paraqesin një imazh të dhunshëm dhe jashtë normave nga Islami dhe në këtë mënyrë plotësohet projekti i tyre islamofobist. Publikimi i pamjeve të urryera të këtyre vrasjeve në media dhe rrjete sociale, është pjesë e strategjisë mediale të ISIS dhe në këtë kuadër është në harmoni me strategjinë propaganduese të perëndimit. Përfitimi i gjerë dhe i pakufizuar i ISIS nga sfera virtuale dhe nga mediat për të çuar përpara programet e tij, tregon lidhjen e këtij grupi takfirist me mediat perëndimore. Mediat konsiderohen një prej sferave themelore të aktivitetit të ISIS. Pjesëtarët e këtij grupi takfirist, pavarësisht mendimeve fanatike dhe të ngurta, kanë dëshirë shumë të madhe për përdorimin e rrjeteve sociale dhe mediave. Ky grup nëpërmjet mediave grupore me shikueshmëri të lartë, përhap idetë dhe qëndrimet e tij ekstremiste. Për shembull terroristët takfiristë në Facebook, Twitter dhe Instagram kanë faqet e tyre në të cilat publikojnë fotografi dhe video rreth krimeve të tmerrshme dhe të egra të tyre.

Publikimi i veprimeve të egra të grupeve takfiriste nga mediat

ISIS publikon revista me tirazh të lartë në disa gjuhë të botës të cilat shpërndahen në shumë rajone të botës. Drejtuesit e këtij grupi shfrytëzojnë regjisorë plotësisht profesional të dokumentarëve për të prodhuar programe të forta dhe tërheqëse. Revista “Spiegel” në një raport të saj ka zbuluar se kompanitë evropiane nëpërmjet sistemeve satelitore krijojnë mundësinë për qasje në Internet për ISIS në Irak dhe Siri. Në këtë raport thuhet: “ISIS në Siri dhe Irak po shfrytëzon shërbimet e internatit nëpërmjet operatorëve satelitorë. Në rajonet që ishin nën pushtimin e ISIS, kanë qenë të instaluar me qindra pajisje të tilla satelitore që i jepnin këtij grupi mundësinë për qasje në Internet dhe i krijonte mundësinë terroristëve për propagandë dhe shkëmbime të informacionit”. Sipas raportit të kësaj reviste gjermane, “Pajisjet satelitore të ISIS kanë qenë të lidhura ngushtë sidomos me kompanitë satelitore evropiane si kompania angleze “Avanti Communications dhe kompania franceze Eutelsat”. ISIS nga strategjia e krijimit të frikës nëpërmjet mediave, ka ndjekur edhe qëllime të tjera. Një prej tyre ishte edhe ekzagjerimi i fitoreve të veta dhe induktimin se ky grup është i pathyeshëm, propagandë kjo që është bërë për dobësimin e moralit të palës kundërshtare. Grupet takfiriste i prezantonin grupet e tjera myslimane si armiq të afërt dhe luftën kundër myslimanëve kundërshtarë të tyre e kanë vendosur në vend të luftës kundër politikës hegjemoniste të perëndimit dhe kundër politikës pushtuese të sionizmit. Në realitet një prej veprimeve të veçante të takfiristëve në interes të perëndimit, ka qenë ndryshimi i armikut në botën islame ku kapacitetin e shoqërive islame e lidh për luftën me njëri-tjetrin dhe urrejtja kundër perëndimit dhe lufta kundër sionizmit anashkalohet plotësisht.

Takfiristët

Dijetarët dhe mendimtarët e vendeve myslimane nga të gjitha shkollat islame, kanë një përgjegjësi të madhe për tu përballur me pasojat e veprimeve të egra dhe kriminale të grupeve takfiriste në prishjen e imazhit të Islamit. Veprimet e grupeve takfiriste nuk kufizohen vetëm me një shkollë të caktuar, por e gjithë shoqëria myslimane ka pësuar dëm nga veprimet e grupeve takfiriste. Islamofobët në Evropë dhe Amerikë nuk bëjnë dallim mes myslimanëve, por ata sulmojnë të gjithë myslimanët, çfarëdo shkolle që i përkasin. Në përballje me grupet takfiriste duhet të lihen anash mosmarrëveshjet dhe duke theksuar në të përbashkëtat, duhet shfrytëzuar të gjitha kapacitetet dhe rastet për tu përballur me pasojat e prishjes së imazhit të Islamit nga takfiristët. Një prej veprimeve të takfiristëve për përçarje mes shkollave islame, është krijimi i gënjeshtrave rreth bindjeve të shkollave islame, sidomos të shkollës shiite. Pastrimi i dilemave në lidhje me këto gënjeshtra, është detyrë e dijetarëve dhe mendimtarëve sunitë dhe shiitë që duhet ndjekur në nivel të takimeve të ndryshme dhe në nivel të mediave. ISIS dhe grupet takfiriste në nivel të gjerë kanë paraqitur imazh të dhunshëm të Islamit. Ata gjithashtu edhe personalitetin e Hazretit Muhamed s.a.v.s. e kanë prezantuar si një person luftënxitës dhe shtetin e tij si një sistem të dhunshëm dhe gjakderdhës. Nën ndikimin e propagandave të tilla të takfiristëve, disa grupe myslimane kanë gjet arsye për ushtrimin e dhunës. Jomyslimanët gjithashtu në kuadër të skenarit të përgatitur më parë nga mediat perëndimore dhe fal veprimeve të devijuara të ISIS, po prezantojnë Profetin Muhamed s.a.v.s si teoricien të terrorizmit fetar. Prandaj kthimi i nderit të personalitetit të Profetit Muhamed s.a.v.s., konsiderohet obligim i domosdoshëm. Vështrimi i takfiristëve ndaj femrës dhe pozitës së saj në shoqëri, konsiderohet qëndrimi më i ngurtë i tyre. Në kuadër të këtij vështrimi, rajonet që ishin pushtuar nga grupi terrorist ISIS, ishin shndërruar në arena të fenomeneve të shëmtuara si skllavëria seksuale dhe xhihadi martesor. Xhihadi martesor konsiderohet pjesa më e errët e vështrimit të takfiristëve ndaj femrës. Mediat perëndimore duke u mbështetur pikërisht në këto veprime, po prezantojnë Islamin armik të femrës. Prandaj, prezantimi i vështrimit të vërtetë të Islamit ndaj femrës, duke u mbështetur në ajetet e Kur’anit dhe në hadithet e Hazretit Muhamed s.a.v.s., mund të luajë një rol të rëndësishëm për korrigjimin e opinionit publik të botës në lidhje me Islamin. Duke marrë parasysh shtimin e aktiviteteve islamobiste në perëndim, grupet takfiriste edhe pse kanë humbur gati të gjithë territoret e tyre të pushtuara në Irak dhe Siri, megjithatë perëndimi gjithashtu do të vazhdojë përpjekjet për shfrytëzimin e grupeve takfiriste për krijimin e përçarjeve mes medhhebeve myslimane dhe për ta prishur imazhin e Islamit. Mendimtarët dhe dijetarët dhe organizatat islame në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar dhe qeveritë e vendeve myslimane kanë përgjegjësi serioze për përgatitjen e një programi gjithëpërfshirës dhe të saktë për bashkëpunim dhe dialog në përballje me lëvizjet takfiriste. Këto grupe janë kërcënim i përgjithshëm për të gjithë botën islame.

Tags