Gusht 03, 2017 07:13 CET

Prania trevjeçare e grupit terrorist takfirist në Irak, ka patur pasoja shkatërruese të rënda për këtë vend. Në këtë edicion do të flasim rreth krimeve kulturore të grupit terrorist ISIS në Irak.

ISIS nuk është vetëm një fenomen kundër njerëzor, por esencialisht është edhe një fenomen kundër kulturor, për arsye se qenia dhe substanca e fenomenit ISIS, është dhuna. ISIS bënë përpjekje të krijojë një identitet dhe për këtë arsye mundohet të zhduk dhe shkatërrojë identitetet aktuale, të shkatërrojë të gjitha simbolet që tregojnë identitet dhe të krijojë një identitet të ri. ISIS në Irak ka zbatuar dhe ka ndjekur këtë metodë për të shkatërruar simbolet e çdo identiteti në rajonet e pushtuara të tij në Irak. Identiteti fetar, historik dhe shkencor i Irakut është sulmuar vazhdimisht gjatë tre viteve të pranisë së ISIS në këtë vend. Shkatërrimi i monumenteve fetare, historike dhe shkencore në rajonet e pushtuara nga grupi terrorist ISIS, është bërë shkak të krijohen paqartësi të mëdha dhe serioze në lidhje me shtetin fals islamik ISIS në Irak. Grupi terrorist takfirist ISIS synonte të krijonte khalifatin islamik me bosht shkollën sunite, mirëpo simbolet fetare, historike dhe shkencore të myslimanëve sunitë janë shkatërruar nga ky grup terrorist më shumë se ato të çfarëdo shkolle tjetër islame në Irak. Terroristët e ISIS duke vënë në shënjestër simbolet e identitetit në rajonet e pushtuara të tyre, kanë treguar se ky grup terrorist kurrë nuk do të jetë një fenomen afatgjatë në mënyrë që të mund të formojë shtet i cili më vonë do të njihej nga Bashkësia Ndërkombëtare.

Sot ISIS në Irak gati ka arritur në fundin e jetës së tij, mirëpo për shoqërinë e Irakut ka lënë gjurmë kulturore të mëdha afatgjate dhe negative. Dhuna kundër njerëzimit e grupit terrorist ISIS ka shkatërruar qetësinë, kulturën, familjen, arsimin dhe shëndetin fizik dhe psikologjik të njerëzve në rajonet e pushtuara nga terroristët e këtij grupi. Dhuna e grupit terrorist ISIS ka ushtruar ndikim shumë të madh negativ mbi shpirtin dhe psikologjinë e banorëve të rajoneve të pushtuara nga terroristët e këtij grupi dhe nga shumë njerëz të cilët kanë shikuar drejtpërdrejt krimet e terroristëve të ISIS, nuk mund të pritet ndonjë civilizim, veprimtari kulturore dhe zhvillimi i virtyteve njerëzore, të paktën për një periudhë afatshkurtër një gjë e tillë duket e pamundur.

Terroristët e ISIS gjatë tre viteve të pushtimit të rajoneve të ndryshme të Irakut, vetëm në provincën Ninva kanë shkatërruar 155 objekte fetare që prej tyre janë 74 objekte fetare shiite, 46 objekte fetare të myslimanëve sunitë, 26 objekte fetare të komunitetit Izedi dhe 9 objekte fetare të komunitetit të krishterë. Nga objektet më të rëndësishme fetare që janë shkatërruar nga terroristët e ISIS mund të përmendet varri i Profetit Junes a.s., varri i Xherxhithit, varri i Shejthit dhe gjithashtu varri i Profetit Daniel në qytetin Mosul, qendra e provincës Ninva. Këto varre ishin prej simboleve të arkitekturës dhe historisë të cilat përbënin një pjesë të identiteti historik të Irakut. ISIS edhe në ditët më të fundit të pranisë së tij në Irak, ka kryer shumë krime kulturore dhe ka shkatërruar me lëndë eksplozive edhe xhaminë historike Nuri në qytetin Mosul duke shkatërruar një pjesë të madhe të këtij objekti duke përfshirë edhe minaren historike të tij. Xhamia Nuri ishte e vjetër rreth 800 vjet dhe konsiderohej simboli i qytetit Mosul.

Terroristët e ISIS në qytetin Namrud të provincës Ninva, gjithashtu kanë shkatërruar mbi 70% të objekteve antike të këtij qyteti. Përmasat e këtyre krimeve historike ishin deri në atë masë saqë UNESCO i ka quajtur ato "Krime të papara kundër objekteve historike" dhe "krime lufte". Terroristët e grupit takfirist ISIS përveç krimeve në qytetin antik Namrud, kanë shkatërruar objektet historike, kanë plaçkitur një sasi të madhe të objekteve antike dhe i kanë shitur ato te bandat trafikante të objekteve antike duke krijuar kështu të ardhura shumë të mëdha. Këto plaçkitje të grupit terrorist ISIS krahasohen me plaçkitjet e nazistëve dhe vjedhjen e veprave artistike nga vendet e pushtuara nga ushtria naziste e Gjermanisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Thuhet se destinacion i shumicës së këtyre veprave dhe objektive antike ishin vendet evropiane dhe sidomos Turqia.

Qyteti historik Hatra në provincën Ninva të Irakut i cili konsiderohet një prej thesareve të dinastisë iraniane Parthian dhe pikërisht për këtë arsye këtë qytet e kanë emëruar "Trashëgimia e Njerëzimit", u sulmua në mënyrë të egër nga terroristët e ISIS dhe u shkatërruan monumentet dhe objektet historike të këtij qyteti. Objektet historike që ka shkatërruar ISIS në Irak, sidomos në qytetin antik Namrud, konsiderohen trashëgimi e përbashkët e historisë njerëzore. Ban Ki Moon, ish-sekretari i përgjithshëm i OKB, në reagim ndaj këtij krimi kulturor të grupit terrorist ISIS, ka thënë: "Shkatërrimi i qëllimtë i trashëgimisë tonë kulturore, konsiderohet "krim lufte" dhe në përgjithësi tregon sulmin kundër njerëzimit". Krimi i grupi terrorist ISIS kundër objekteve antike, civilizuese dhe historike të Irakut, është përballur edhe me reagim të ashpër të Universitetit Al-Az'har të Egjiptit dhe ky institucion i lartë arsimor dhe fetar, në bazë të pikëpamjes së Sheriatit islam, ka dënuar ashpër këtë veprim kriminal të ISIS. Al-Az'har me publikimin e një deklarate në lidhje me këtë çështje, ka deklaruar: "Veprimet e grupit terrorist ISIS në shkatërrimin dhe zhdukjen e objekteve historike me këtë pretekst se ato janë idhuj, janë një krim i madh ndaj të gjithë njerëzve të botës. Shkatërrimi i objekteve dhe veprave të civilizimit, është veprim i ndaluar sipas Sheriatit Islam dhe plotësisht i papranueshëm".

Një pjesë tjetër e rëndësishme e krimeve të terroristëve të ISIS në Irak që është kryer në fushën kulturore, i përket shkatërrimit të objekteve arsimore dhe shkencore të rajoneve të pushtuara nga grup terrorist. Më 10 qershor 2014, Universiteti i Mosulit ndodhej në mes të procesit të zhvillimit të provimeve të fundvitit. Autoritetet e universitetit i kishin thënë studentëve që për shkaqe të sigurisë, duhet të shkojnë në shtëpitë e tyre. Universiteti i Mosulit ndërpreu punën për shkak të problemeve të sigurisë dhe për shkak të shqetësimit nga krimet e ISIS dhe në këtë mënyrë me mijëra studentë u privuan nga fillimi, vazhdimi ose përfundimi i studimeve të tyre. Në këtë kuadër, terroristët e ISIS dogjën bibliotekën publike të Mosulit dhe bibliotekën qendrore të Universitetit të Mosulit dhe shkatërruan me qindra libra duke përfshirë edhe me qindra mijëra burime dhe manuskripte shumë të vlefshme historike. Terroristët pretenduan se këto libra ishin “bid’at” (të shpifura) dhe nuk kanë kurrfarë lidhje me Islamin, prandaj për këtë arsye ato duhet të digjen.

Terroristët e ISIS në tre vitet e pranisë së tyre në Irak, sulmuan 138 shkolla dhe shumicën e tyre e shkatërruan tërësisht. Frika nga grupi terrorist ISIS, u bë shkak që me mijëra nxënës irakianë të privohen nga shkollimi. Aktualisht në Irak mbi 3 milionë fëmijë, nuk kanë kurrfarë interesimi për të shkuar në shkollë, ndërkohë që 1.2 milionë e fëmijëve janë të privuar nga shkolla. Një numër i madh i familjeve irakiane për shkaqe të sigurisë, u detyruan të mos dërgojnë nga fëmijët e tyre në shkollë. Përveç kësaj, si pasojë e krimeve të grupit terrorist ISIS, një numër i madhe i arsimtarëve janë detyruar të shpërngulen nga vendi. Privimi i fëmijëve nga shkollimi dhe shpërngulja e arsimtarëve është një prej dëmeve më të rëndësishme që Iraku për shumë vite ndoshta edhe për shumë dekada do të përballet me pasojat e tyre. Njëkohësisht me këtë, edhe fëmijët të cilët si pasojë e krimeve të grupit terrorist ISIS, u privuan nga shkollimi, në jetën e tyre të ardhshme me padyshim se do të përballen me pasoja serioze të kësaj ngjarje të hidhur shkencore.  

Natyra barbare dhe sjelljet e dhunshme të grupit terrorist ISIS në të cilat nuk ekziston as edhe civilizimi më i vogël, u bënë shkak që Iraku në periudhën kohore 2014-2017, të pushojë çfarëdo lloj funksionimi civilizues në të gjitha sferat. Për këtë arsye, aktivistët qytetërimit, gazetarët dhe elita intelektuale irakiane, gjithashtu, për ta shpëtuar jetën e tyre dhe gjithashtu për këtë arsye se aktiviteti civilizues ishte i barabartë me vdekjen tragjike, janë detyruar të shpërngulen nga vendi. Në rast se këta aktivistë të qytetërimit dhe këto intelektualë dhe mendimtarë irakianë nuk kthehen në vendin e tyre pas përfundimit të fenomenit ISIS, ky vend do të përjetojë më shumë humbjet e krijuara nga ky dëm. Në përgjithësi, duhet thënë se grupi terrorist ISIS gjatë pranisë së vetë trevjeçare në Irak, ka shkatërruar kulturën, historinë, qytetërimin dhe shkencën në këtë vend. Disa prej këtyre dëmeve si shkatërrimi i simboleve të identitetit historik, nuk mund të kompensohen në asnjë mënyrë.

 

Tags