Tregimet dhe legjendat iraniane
Përshëndetje dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Tregimet dhe legjendat iraniane". Së pari po vazhdojmë me prezantimin e letërsisë popullore persiane dhe pastaj do të kalojmë në botën e tregimeve iraniane.
Në shqyrtimin e temës ose përmbajtjes së fabulave, kemi folur rreth zgjuarsisë, largpamësisë dhe intrigës në këto tregime dhe kemi shqyrtuar aspektet e ndryshme të këtyre karakteristikave. Një tjetër temë e përhapur në fabula është tërheqja e vërejtjes për rreziqet e besimit te armiku. Armiqësia dhe urrejtja është një prej temave fondamentale që krijon ngjarje në këtë kategori të tregimeve popullore. Secili në jetën e tij ka armik ose armiq dhe për të shpëtuar nga urrejtja dhe armiqësia e tyre, është i detyruar të kryejë një veprim ose të ndjekë një metodë për tu mbrojtur përball tyre.
Një prej këtyre rrugëve, është shmangia e përballjes me armikun dhe kjo rrugë është shumë efikase sidomos në rastet kur armiqësia të mos jetë e përkohshme ose e rastësishme. Ajo çfarë e bënë dallimin mes armiqësisë në këto tregime dhe me armiqësinë në mesin e njerëzve, është lloji i saj. Armiqësia në botën e shtazëve, në të shumtën e rasteve është qenësore dhe e pashmangshme, mirëpo në botën njerëzore shumica e armiqësive krijohen si pasojë e interesave dhe për realizimin e interesave të ndryshme materiale të kësaj bote.
Në të shumtën e rasteve, i huaji konsiderohet armik dhe ky i huaj ose nuk është i të njëjtit lloj ose është një mik i papërshtatshëm. Studiuesit e tregimeve popullore kanë perceptuar se në krijimin e tregimeve me temë dëmin e shkaktuar nga besimi në armikun, gjithmonë paraqitet një imazh i armiqve të cilët janë të huaj dhe gjithnjë duhet patur kujdes ndaj tyre. Sepse ky lloj i armiqësisë ka më shumë ngjashmëri me armiqësinë që ekziston në botën e kafshëve. I huaj gjithnjë mbetet armik dhe arsye e kësaj është rreziku potencial që ndjehet nga ai. Personat të cilëve u dedikohen këto tregime kryesisht janë mbretërit dhe temat më të shumta të tyre trajtojnë marrëdhënien me armiqtë dhe mënyrën e trajtimit të tyre duke iu drejtuar gjithmonë oborrit mbretëror. Nga mësimet e tematikave të tilla të tregimeve janë si në vijim: armiku nuk duhet nënçmuar ose zhvlerësuar, nuk duhet t'i besohet armikut dhe nga intriga e tij kurrë nuk duhet të jesh i sigurt. Prej porosive më të përsëritura të këtij lloji të tregimeve janë: ndjekja e intrigës dhe maturisë në vend të përdorimit të forcës, mosdhënia besë dhe siguri armikut dhe vlerësimi i rastit të krijuar në nivel të duhur.
Miq të nderuar temën do ta vazhdojmë në edicionin e ardhshëm dhe tani po prezantojmë tregimin e radhës duke vazhduar me tregimin e edicionit të kaluar nga libri "Kelile va Dimne" me titull "Korbat dhe bufat". Temë e këtij tregimi është armiqësia mes korbave dhe bufave dhe intriga e korbave.
Më parë thamë se një tufë korbash kishin ndërtuar folenë mbi një pemë të lartë në zemër të një bjeshke. Pak më poshtë nga pema, ekzistonte një shpellë e errët në të cilën jetonin bufat. Një natë bufat sulmuan korbat dhe vranë dhe plagosen një numër të madh prej tyre. Mbreti i korbave filloi të konsultohet me këshilltarët e tij se çfarë zgjidhje do të gjejnë. Secili prej këshilltarëve paraqiti mendimin e tyre dhe mbreti i korbave vendosi të zgjedhë mendimin e këshilltarit më të ri për tu përballur me korbat.
Korbi i ri i tha mbretit: "Unë kam një plan. Urdhëroni që të më rrahin mua deri në atë masë saqë të humbas vetëdijen dhe të rrëzohem në tokë. Pastaj të gjithë ju ikni nga këtu dhe gjeni një vend këtu afër në pyll". Korbi plak në fillim nuk pranoj. Mirëpo korbi i ri me shpjegimet që dha, arriti ta bindë atë dhe ky plan filloi të zbatohet. Korbat pasi e rrahën, atë e lanë në tokë të lënduar që të vdesë ndërsa të gjithë u larguan nga ajo pemë. Bufat gjatë natës përsëri sulmuan. Mirëpo aty nuk ishte asnjë korb. Njëri nga bufat e pa korbin i cili kishte mbetur me gjysmë shpirti poshtë pemës dhe me pamundësi lëvizte krahët e tij dhe ndoshta dëshironte të thoshte se akoma është gjallë.
Mbreti i bufave tha: "Disa bufa le të shkojnë poshtë dhe të shikojnë se si është ai?".
Dy bufa ushtarë shkuan pranë korbit poshtë pemës. Korbi akoma merrte frymë. Një prej tyre thirri me zë të lartë: "Ai është gjallë. Po merr frymë".
Mbreti i bufave shkoi pranë korbit dhe e shikoi atë me vëmendje. Pastaj e pyeti atë: "Pse je plagosur, ku kanë shkuar korbat e tjerë?"
Korbi hapi sytë e tij dhe duke folur me vështirësi dhe duke rënkuar gjatë çdo fjale, u përgjigj: "Pas sulmit të mbrëmshëm, korbat dëshironin të hakmerreshin ndaj juve. Unë i thash korbit plak se ne nuk kemi aftësi dhe forcë që të luftojmë me bufat, shumë prej neve janë vrarë dhe plagosur. E vetmja rrugë për ne është kjo që duke deklaruar paqe dhe pajtim, të dërgojmë dhurata për bufat. Nëse ata do të pranojnë dhuratat tona dhe pranojnë të bëjnë paqe, ne qëndrojmë këtu. Për ndryshe, ne largohemi prej këtu dhe shkojmë në një vend të paditur".
Korbi u ndal pak për të marrë një frymë dhe pastaj vazhdoi: "Më pas korbi plak u zemërua nga fjalët e mia dhe mendoi që unë jam spiun i juaj. Urdhëroi që të më rrahin dhe pastaj më lanë mua këtu me gjysmë shpirti dhe të gjithë u larguan nga këtu".
Mbreti i bufave tha: "Ti, a e din se ku kanë shkuar?"
Korbi që fliste me shumë vështirësi dhe nuk mund të hapte sytë, tha: "Jo, isha aq shumë i pavetëdijshëm saqë nuk mund të shikoja asgjë".
Bufi i madh i tha vezirit: "Çfarë mendon në lidhje me këtë çështje?"
Veziri i cili ishte një buf i trash dhe shumë shpirtlig, tha: "Mos i besoni asnjë fjalë që tha ky, lëreni atë këtu që të vdesë. Unë e njoh atë, ai është një prej korbave më të mëdhenj dhe më trima".
Këshilltari i bufit të madh i cili qëndronte pranë tij, tha: "Jo zotëria im, mos e mbysni atë! Vrasja e tij nuk ka kurrfarë dobie për ne, më mirë është që atë ta marrim për rob. Patjetër do të na duhet një ditë".
Një buf tjetër tha: "O zotëria im, atë duhet ta strehojmë dhe duhet të tregojmë sjellje të mirë ndaj tij derisa ai gradualisht të besojë te ne dhe pastaj ne me ndihmën e tij, mund ta gjejmë vendin ku jetojnë korbat dhe t'i sulmojmë përsëri ata". Nga ana tjetër, korbi i cili në një gjendje gjysmë të zgjuar dëgjonte fjalët e bufave, me vete bënte lutje që bufi i madh të pranojë këtë mendim dhe bufat ta marrin atë me vete.
Veziri i cili kishte heshtur dhe dëgjonte fjalët e të tjerëve, papritur me zë të lartë bërtiti: "Mos u mashtroni me fjalët e korbit. Ai po gënjen. Armiku gjithmonë është armik. Si mund të ndahet ky nga miqtë dhe shokët e tij dhe të na bashkohet neve?! O Bufi i madh urdhëroni që ta vrasin atë në mënyrë që të jemi të sigurt nga intrigat dhe komplotet e tij".
Mirëpo bufi i madh nuk i dha rëndësi fjalëve të vezirit dhe urdhëroi që ta marrin në shpellë korbin e plagosur. Pasi kaluan disa ditë, përkujdesja e bufëve u bë shkak që korbi të përmirësohet. Ai tani mund të qëndronte në këmbët e tij dhe të lëvizë me lehtësi krahët. Korbi mundohej që të fitonte besimin e bufave dhe të gjejë një pozitë pranë bufit të madh. Një ditë në mesditë kur bufat ishin në shpellë, korbi vendosi që të zbatojë pjesën tjetër të planit. Shikoi andej e këndej dhe vërejti se shumica e bufave ose janë në gjumë ose janë duke u zbavitur. Askush nuk e kishte mendjen te ai. Korbi u ngrit nga vendi dhe hap pas hapi doli nga shpella dhe fluturoi në qiell. Ishte vapë e madhe dhe korbi lëvizte krahët me shpejtësi për të shkuar sa më shpejtë në vendin ku jetonin korbat e tjerë. Gjatë fluturimit ai ishte i kujdesshëm dhe vazhdimisht shikonte mbrapa që mos po e ndjek kush. Ai ishte i brengosur se ndoshta ndonjëri prej bufave do ta kuptojë mungesën e tij në shpellë. Ai sa më shpejtë duhej ta zbatonte planin e tij. Më në fund arriti në vendin ku jetonin korbat e tjerë.
Korbi plak u gëzua nga fakti se e shikoi atë përsëri në gjendje të shëndoshë dhe e pyeti atë: "Çfarë po bënë dhe ku po qëndron?"
Korbi i tregoi ngjarjen se çfarë kishte ndodhur gjatë këtyre ditëve dhe i tha: "Tani është radha juaj."
Korbi plak duke menduar tha: "Çfarë duhet të bëjmë? Trego dhe ne do të veprojmë ashtu".
Korbi tha: "Dëgjoni mirë, tani bufët janë në shpellë. Unë që nga dita kur jam bërë më mirë, kamë ndërtuar një fole në afërsi të shpellës dhe për çdo ditë kamë mbledhur një sasi dru dhe e kam fshehur aty. Ju, tani duhet të vini me mua dhe drurët t'i dërgoni në hyrje të shpellës. Unë gjatë kësaj kohe shkoi pranë një bariu i cili ndodhet afër. Ai gjithmonë ndez zjarr. Unë nga aty e sjell një shkop të ndezur dhe e hedh mbi drunjtë e grumbulluar pranë shpellës. Secili prej bufave që dëshiron të ikë nga shpella, do të digjet në flakët e zjarrit, ndërsa ata që qëndrojnë të fshehur në shpellë, do të vdesin nga tymi i zjarrit. Nëse plani janë do të zbatohet në mënyrë të drejtë, do të shpëtojmë përgjithmonë nga e keqja e bufave. Tani derisa nuk është bërë vonë, ejani me mua!".
Korbi plak e lavdëroi zgjuarsinë dhe maturinë e tij. Pastaj ai urdhëroi disa korba të tjerë që të shkojnë së bashku me korbin e ri dhe të veprojnë saktësisht ashtu siç urdhëron ai. Korbat shkuan pranë shpellës. Bufat ishin akoma në shpellë. Korbi me sqepin e tij, u tregoi korbave vendin e drurëve dhe korbat me shpejtësi u vërsulën dhe me sqepat e tyre të gjithë drunjtë i çuan pranë hyrjes së shpellës pa zhurmë. Ndërkohë, korbi i ri shkoi në vendin ku ndodhej bariu dhe e solli një shkop të ndezur dhe e hodhi mbi drurët e thatë në hyrje të shpellës. Për disa çaste u ndez një zjarr i madh. Në shpellë hyri një tym i rëndë. Bufat u ndjenë të rrezikuar. Ata u përballen me një rrezik në mënyrë plotësisht të papërgatitur. Ata nuk kishin rrugë ku të shkojnë as para dhe as mbrapa. Nuk dinin se çfarë të bënin. Secili buf që dilte nga shpella, digjej në flakët e zjarrit dhe ata të cilët mundoheshin të fshiheshin në shpellë, vdisnin nuk tymi i zjarrit. Dalëngadalë u ulë flaka dhe u shua zjarri. Më asnjë buf nuk dilte jashtë nga shpella. Të gjitha ata ishin djegur ose kishin vdekur nga tymi. Zhurma e korbave e kaploi të gjithë malin. Të gjithë korbat u gëzuan. Një korb i vogël i cili qëndronte pranë nënës së tij, e shikonte shpellën dhe më nuk ekzistonte asnjë buf që ta frikësojë atë. Bëri një buzëqeshje dhe e shikoi diellin që fshihej mbrapa bjeshkëve. Tani ishte koha për të shkuar në shtëpi.