Shtator 28, 2017 11:23 CET

Në këtë edicion do të flasim rreth perceptimit të takfiristëve ndaj konceptit të besimit dhe shkallëve të tij dhe pastaj do të shpjegojmë perceptimin e devijuar të takfiristëve rreth konceptit të xhihadit në Islam.

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar, jemi pranë jush me edicionin e radhës të programit “Kritikë ndaj bazave ideologjike dhe qasjes pragmatike të lëvizjeve takfiriste”. Në edicionin e kaluar kemi përkufizuar besimin dhe mosbesimin nga pikëpamja e mësimeve të Islamit burimor. Nga pikëpamja e mësimeve islame, besimi ka tre shkallë. Shkalla e parë e besimit, është vërtetimi me gjuhë. Shkalla e dytë është vërtetimi me zemër dhe shkalla e tretë është vërtetimi me veprim. Nga pikëpamja e Islamit, çdo kush që dëshmon me gojë se Zoti është një dhe se Hazreti Muhamed s.a.v.s. është i dërguari i Allahut, është mysliman. Në realitet, nga pikëpamja e mësimeve islame çdo kush që e vërteton me gjuhë besimin në Islam, është mysliman. Vërtetimi me zemër dhe vërtetimi me veprim, janë shkallët e besimit. 

Besimi

Mirëpo vehabizmi dhe lëvizjet takfiriste dhe në krye të tyre ISIS për arsye të bazave sipërfaqësore që kanë, Islamin dhe besimin e vendosin në një shkallë në mënyrë që çdo kush që arrin në këtë shkallë, është mysliman dhe çdo kush që bie nga ajo shkallë, konsiderohet në mesin e jobesimtarëve, pavarësisht se ai pohon me gjuhë Islamin dhe besimin në Zotin dhe në Hazretin Muhamed s.a.v.s. si i dërguar i Tij, fal namazin dhe kryen agjërimin. Ata në arsyetimin e dispozitës së takfirizmit ndaj të gjithë myslimanëve përveç ISIS, bazohen në ajetin 44 të sures Maide i cili thotë: “Ata të cilët nuk gjykojnë sipas asaj që ka shpallur Zoti, janë jobesimtarë”. Vehabistët takfiristë pa marrë parasysh elementët e besimit si profetësia e të dërguarve të Zotit, bota metafizike dhe duke u mjaftuar vetëm me lidhjen mes veprimit dhe besimit, shpallin jo besimtarë të gjithë ata të cilët kanë bindje në çështje të lejuara sipas Sheriatit Islam si ndërmjetësimi, kërkimi i shërimit dhe vizita e varrezave, si dhe e konsiderojnë të lejuar derdhjen e gjakut të tyre dhe plaçkitjen e pasurisë së tyre. ISIS në bazë të një të menduari të tillë, i konsideron jobesimtarë të gjithë myslimanët shiitë dhe jomyslimanët dhe lejon derdhjen e gjakut të tyre dhe plaçkitjen e pasurisë së tyre si një veprim hallall. Nga pikëpamja e ISIS, këtyre nuk iu pranohet as pendimi dhe vrasja e tyre konsiderohet e lejuar.

ISIS

Në lidhje me lidhjen reciproke mes besimit dhe veprimit që bëhet shkak për shpalljen jobesimtarë të myslimanëve nga ana e grupeve takfiriste, duhet thënë se besimi me pohim dhe shqiptim me gjuhë merr formë në qenien e njeriut, mirëpo derisa nuk shoqërohet me veprim, ai nuk ngritët në nivel të lartë. Prandaj veprimi është një element të cilin e kërkon besimi, por nuk është sikur besimi. Në këtë mënyrë duhet thënë se përkundër mendimit të takfiristëve të cilët gjykojnë në lidhjen e veprimit me besimin, veprimi nuk është pjesë e besimit. Ajetet kur’anore si ajeti 277 i sures Bekare i cili thotë: “Me të vërtetë ata të cilët kanë besuar dhe kanë kryer vepra të mira”, tregojnë se besimi dhe veprimi nuk janë të një shkalle të njëjtë sepse ato janë të lidhura me lidhës. Gjithashtu në ajetin 112 të sures Taha i cili thotë: “Por ai i cili kryen vepra të merituara, ndërkohë që është besimtar”, besimin dhe veprimin e ka sjell në formë të ndarë. Në librin “Sahih Bukhari” thuhet: “Profeti s.a.v.s. në luftën e Khejbarit i ka thënë Hazretit Ali (a.s.), lufto me armiqtë deri atëherë kur ata të pohojnë dy dëshmitë, nëse ata pohojnë këto dy dëshmi, atëherë jeta dhe pasuria e tyre është e respektuar”. Nga kjo kuptohet se njeriu mund të pretendohet si besimtar dhe të mos jetë i zotuar për elementët e tij, do të thotë se nëse një person shtiret si besimtar dhe nuk kryen veprime të mira, ai ka dënim në botën tjetër, por në këtë botë Islami na ka urdhëruar neve që në këtë rast ai të trajtohet si mysliman dhe ta respektojmë jetën, pasurinë dhe nderin e tij. Mirëpo takfiristët atë i cili i përket cilësdo shkollë islame sunite apo shiite dhe që nuk mendon dhe nuk vepron sikur ata, e kanë shpall jo besimtar. Duke marrë parasysh argumentet transmetuese dhe racionale të kufizuara të takfiristëve, për fat të keq ata nuk pranojnë kurrfarë logjike tjetër përveç perceptimeve të tyre të devijuara nga mësimet e Islamit burimor të Hazretit Muhamed s.a.v.s.. Për këtë arsye ata nuk janë të gatshëm të zhvillojnë kurrfarë debati me dijetarët e shkollave të tjera islame në përgjigje ndaj refuzimit të bindjeve  dhe ideve të tyre dhe kontradiktave të tyre me Kur’anin dhe hadithet e Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s..

Takfiristët

Një prej parimeve në të cilat thekson vehabizmi si babai spiritual i lëvizjeve takfiriste, është xhihadi. Parimi i xhihadit është një prej bazave fondamentale të të menduarit takfirist i cili sipas bindjeve të tyre, në mënyrë të hapur ose të fshehur, në mënyrë të armatosur ose jo të armatosur mund të ndihmojë në themelimin e Shtetit Islamik dhe për të luftuar kundër mosbesimit. Xhihadi nga pikëpamja e takfiristëve dhe sidomos nga pikëpamja e organizatës Al Kaida, ka gjetur rëndësi në shkallën e parimeve parësore të fesë Islame. Takfiristët besojnë se xhihadi, terrorizimi i armiqve të Zotit dhe lufta kundër tyre, është një çështje e domosdoshme dhe plotësuese e thirrjes paqësore për formimin e Shtetit Islamik. Takfiristët në bazë të dekreteve fetare të klerikëve selefistë ekstremistë dhe vehabistë dhe të interpretimeve të veçanta të tyre nga ajetat kur’anore, theksojnë në xhihadin primitiv. Në bazë të kësaj, Islami ka nevojë për xhihadistë më shumë se sa ka nevojë për dijetarë dhe mendimtarë. Padyshim se Mendimtari Sejed Kutub është një prej personaliteteve më të rëndësishëm i cili ka luajtur rol kyç në bërjen ideologjik të konceptit të xhihahdid dhe në projektimin e “Shoqërisë Islame” dhe “Shoqërisë Injorante” në përputhje me konceptin tradicional “Darul-Islam” dhe “Darul-Harb”. Në këtë mënyrë, xhihadi i cili është një prej çështjeve sekondare të fesë, në mesin e lëvizjeve takfiriste shndërrohet në një prej parimeve më të rëndësishme të fesë islame. Sikur që Abdullah Izam, një prej liderëve ideologjik të lëvizjeve takfiriste, thotë: “Vetëm xhihadi dhe arma, jo negociata, jo konferenca dhe jo dialogu”. Në bazë të bindjeve të ISIS, të gjitha shtetet islame dhe ata të cilët konfirmojnë ato, konsiderohen jobesimtarë ndërsa besimtarë janë ata të cilët në mënyrë të fshehur ose të hapur veprojnë për ndryshimin dhe rrëzimin e shteteve jobesimtare dhe për krijimin e Shtetit Islamik. Prandaj, xhihadi konsiderohet një obligim konkret për çdo burrë dhe grua myslimane për ndryshimin e sistemeve shtetërore dhe për themelimin e të ashtuquajturit “Shtet Islamik”. Sipas teorisë së Abdusalam Faraxh, një prej liderëve të grupeve takfiriste, duke marrë parasysh se zbatimi i dispozitave hyjnore është obligim për myslimanët, edhe themelimi i një “Shteti Islamik” është obligim. Prandaj, nëse për themelimin e Shtetit Islamik nuk ekziston rrugë tjetër përveç luftës, atëherë xhihadi është obligim për myslimanët.

Abdullah Izam

Lëvizjet takfiriste si Al Kaida dhe ISIS gjithashtu në bazë të këtyre bazave ideologjike dhe duke e quajtur parim parësor “Xhihadin”, i japin legjitimitet fetar veprimeve të tyre vetëm me një qasje agresive dhe të dhunshëm dhe vetëm për të luftuar. Abu Bekër Baghdadi në lidhje me rëndësinë e Xhihadit thotë: “Xhihadi në rrugën e Zotit që nga koha e rënies së Andaluzisë, është obligim konkret për të gjithë individët për çlirimin e qyteteve të banuara me myslimanë. Prandaj mëkati më i madh pas mosbesimit në Zot, është mohimi i xhihadit në rrugën e Zotit”. Keul Bu Nazl, një prej studiuesve të lëvizjeve takfiriste, burim të qasjes xhihadiste i konsideron mësimet vehabiste dhe thotë: “ISIS thekson xhihadin agresiv i cili sipas mësimeve të vehabizmit, duhet të kryhet për të zhdukur shirkun dhe idhujtarinë”. Grupi ISIS duke u bazuar në ajetet kur’anore si ajeti 4 i sures Muhamed i cili thotë: “Kur të ndesheni me ata të cilët nuk besojnë, preuni kokën atyre dhe pasi të keni shkatërruar ata, lidhni fortë në pranga”, arsyeton luftën dhe vrasjen e myslimanëve shiitë dhe të myslimanëve sunitë jovehabistë që kundërshtojnë këtë grup. Ajo që vërehet në qasjen xhihadiste të grupeve takfiriste, sidomos të grupit ISIS, është theksimi në xhihadin kundër myslimanëve në vend të xhihadit kundër armiqve të botës islame (regjimit sionist dhe perëndimit). Ashtu sikur që Abdusalam Faraxh thotë: “Duke marrë parasysh pikëpamjen e Ibn Tejmije në lidhje me xhihadin, lufta kundër armikut më të afërt është më primare se sa lufta me armikun e largët”. Në arsyetimin e kësaj qasje dhe mosmarrjen e qëndrimeve serioze kundër regjimit sionist, takfiristët bazohen në ajetin 123 të sures Teobe i cili thotë: “O ju që besuat! Luftoni jobesimtarët të cilët janë më afër juve. Armiku i largët të mos ua humbë vigjilencën ndaj armikut më të afërt...”. Takfiristët konsiderojnë se heretikët dhe hipokritët (që myslimanët shiitë i konsiderojnë prej tyre), janë armiqtë e afërt, prandaj xhihadit kundër tyre i japin përparësi. Koncepti dhe funksioni i xhihadit në të menduarin takfirist, sidomos ai çfarë ka manifestuar ISIS në Irak dhe Siri, esencialisht është kundër mendimit fetar të jurisprudencës së shkollës sunite dhe shiite.

Tags