Tetor 08, 2017 09:51 CET

Në këtë edicion do të flasim rreth strukturës qeverisëse të ISIS dhe akuzat e pabaza të tyre rreth daljes së shiitëve nga Islami.

 

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar, jemi pranë jush me edicionin e radhës të programit “Kritikë ndaj bazave ideologjike dhe qasjes pragmatike të lëvizjeve takfiriste”. Në edicionin e kaluar kemi folur rreth perceptimeve të grupeve takfiriste në periudhën e fundit të jetës së kësaj bote. ISIS në iliuzionet e veta, Abu Bekr Al-Baghdadiun e konsideron khalif të myslimanëve i cili pas paraqitjes së Mahdiut, do t’ia dorëzojë udhëheqjen atij. Lëvizjet takfiriste duke marrë parasysh faktin se qeverisjen e kohës së katër khalifëve të parë e prezantojnë si qeverisje ideale të tyre, nuk durojnë asnjë strukturë dhe sistem politike të ndryshëm nga ajo qeverisje. Nga pikëpamja e takfiristëve, sistemet qeverisëse ekzistuese në vendet islamike nuk kanë legjitimitet. Ata kundërshtojnë mendimet dhe bindjet ose alternativat të cilat i japin rol njeriut si demokracia, zgjedhjet, ndarja e pushtetit etj. dhe këto faktor i konsiderojnë shembuj të idhujtarisë. Në bazë të bindjeve të tilla, Abu Bekr Al-Baghdadi e shpalli veten khalif të myslimanëve. ISIS në vitin 2014 duke vrarë me dhjetëra mijëra njerëz, filloi një ofensivë të gjerë kundër Irakut dhe pushtoi një pjesë të territorit të këtij vendi. Ky grup në vazhdim, pushtoi edhe Mosulin, qytetin e dytë më të madh në Irak. Pas pushtimit të Mosulit më 29 qershor të vitit 2014, ISIS shpalli zyrtarisht formimin e Khalifatit Islamik dhe Abu Bekr Al-Baghdadi u prezantua khalifi i parë.

Abu Bekr Al-Baghdadi, khalifi i vetëshpallur i ISIS

Nga pikëpamja e organeve organizative, struktura qeverisëse e ISIS ka bosht një person dhe bazohet mbi pushtetin e khalifit i cili konsiderohet më i miri prej fisit Kurejsh në dituri dhe në fe. Për këtë arsye, ISIS mundohet të krijojë një lidhje false me fisin Kurejsh dhe me ixhtihadin për khalifin e tij. Khalifi emërohet nga Këshilli i Xhihadistëve dhe nga një kuvend udhëheqës, anëtarët e të cilit konsiderohen njerëz të maturisë. Struktura organizative e ISIS është në formë piramide. Në këto struktura Abu Bekr Al-Baghdadi ndodhet në maje të kësaj piramide. Ai është sunduesi absolut dhe të gjitha vendimmarrjet, emërimet dhe shkarkimet, bëhen nga ai. Në autoritetin e tij ekzistojnë edhe disa këshilla ekzekutive, këshilla ushtarake dhe fetare. Abu Bekr Al-Baghdadi cakton dhe emëron guvernatorët dhe cakton komandantët dhe jep urdhrat për këshillin ushtarak. Ai gëzon kompetenca të pakufizuara dhe mund të shkelë çfarëdo lloj vendimi me të cilin nuk pajtohet. Al-Baghdadi pas emërimit në postin e khalifit, ka emëruar disa guvernatorë për rajone të ndryshme.

Struktura organizative e ISIS dhe guvernatorët e emëruar në vitin 2015

Struktura administrative e ISIS ndahet në gjashtë këshilla të ndryshme që secili prej këtyre këshillave vepron nën drejtimin e një prej oficerëve të ish-regjimit Ba’th të Sadam Husejnit. Këshilli i parë, është këshilli ushtarak. Këshilli ushtarak është një prej bërthamave më të rëndësishme të grupit terrorist ISIS. Emri i shefit të këshillit ushtarak është deklaruar Abu Ahmed Al-Alvani. Disa raporte kanë thënë se ai është vrarë gjatë operacioneve për çlirimin e provincës Anbar të Irakut. Detyrë më e rëndësishme e këshillit ushtarak është programimi dhe administrimi i komandantëve ushtarak dhe organizimi i operacioneve ushtarake. Këshilli i mbrojtjes, i sigurisë dhe i inteligjencës, është këshilli i dytë në strukturën qeverisëse të ISIS. Ky këshill drejtohet nga Abu A’la Al-Anbari. Ai është një ish-oficer i Organizatës Inteligjente të Irakut dhe ka një rol përcaktues në strukturat e ISIS. Detyrat kryesore të tij janë garantimi i sigurisë së Abu Bekr Al-Bagdadi dhe mbrojtja e strukturave të ISIS përball depërtimit të faktorëve të huaj. Këshilli gjyqësor është këshilli i tretë dhe një prej organeve të ISIS. Ky këshill drejtohet nga Abu Muhamed Al-Ani. Ky këshill ka mision që të mbikëqyrë çështjet përkatëse me Sheriatin Islamik dhe çështjet gjyqësore përkatëse me Shtetin Islamik. Nën mbikëqyrjen e këtij këshilli veprojnë edhe disa delegacione të cilat merren me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe ndarjen e drejtësisë mes palëve. Këshilli i katërt qeverisës i ISIS është Kuvendi Konsultativ. Kryetari i këtij kuvendi është Abu Arkan Al-Amiri. 11 persona janë anëtarë të këtij kuvendi dhe konsiderohen prej figurave të dalluara të themelimit të ISIS. Puna e këtij këshilli është mbikëqyrja mbi të gjitha strukturat e ISIS. Këshilli për media është shtylla e pestë e ISIS. Kryetari i këtij këshilli është Abu Al-Athir Omar Al-Abasi dhe anëtarët e këtij këshilli kanë për detyrë informimin elektronik dhe administrimin e faqeve informative të internetit të quajtura “Xhihadiste”. Administrimi i burimeve financiare të ISIS është përgjegjësi e këshillit të gjashtë si shtyllë e gjashtë e ISIS. Grupi terrorist ISIS paralel me këta gjashtë këshilla, ka edhe disa ministri të cilat kanë kompetenca ekzekutive. Në lidhje me kufijtë e territorit të vetë, ISIS ashtu si grupet e tjera terroriste, nuk i njeh zyrtarisht kufijtë ekzistues mes vendeve si bazë për ndarjen e popujve dhe duke theksuar në konceptin e Umetit Islamik dhe “Darul-Islam”, iu drejtohet të gjithë myslimanëve në mënyrë të njëjtë. Natyrisht se nga pikëpamja e tafiristëve, secili që është kundër bindjeve të ISIS, është jashtë rrethit të Islamit dhe myslimanizmit. Abu Rumise, një prej mbështetësve ideologjik të ISIS, duke shpjeguar aspektin ndërkombëtar të këtij grupi, shkruan: “Khalifati është një mbretëri e zgjeruar që është ndërtuar mbi një rrjet të transferimeve. Në këtë mënyrë qytetari i (të ashtuquajturit) Shteti Islamik nuk e prezanton vetën si banor të Rakas ose të Faluxhas, por ai vetën e konsideron pjesë të një perandorie ndërkombëtare e cila nuk pranon identitetin të bazuar mbi kufij”.

Struktura administrative e khalifatit të ISIS

Kufijtë mes vendeve në khalifatin e pretenduar nga ISIS, nuk njihen zyrtarisht, sepse lloji i vështrimit të tyre ndaj Islamit përcakton kufijtë e Shtetit Islamik (ISIS). Prandaj secili që ndodhet jashtë rrethit të përcaktuar të tyre për “Darul-Islam”, përfshihet në territorin e “Darul-Kufr”, prandaj edhe lejohet luftimi dhe vrasje e tij. Në këtë mënyrë, harta politike të cilën e ka vizatuar ISIS për khalifatin e tij, përfshinë të gjitha tokat islame nga pjesa perëndimore e Kinës e deri në Andalusi. Me shpalljen e khalifatit të ISIS, disa grupe dhe personalitete të selefizmit xhihadist kanë bërë besëlidhje me khalifin e vetëshpallur të ISIS, mirëpo shumica e grupeve slefiste morën qëndrime kundër khalifatit të Abu Bekr Al-Baghdadit dhe atë e quajtën të paligjshëm. ISIS bazë për të gjitha veprimet e tij e vendosi takfirizimin. Prandaj secili person që bënte edhe kritikën më të vogël ndaj ISIS nga çfarëdo aspekti, konsiderohej armik i ISIS. Myslimanët shiitë konsiderohen armiqtë më të mëdhenj të ISIS. Në kuadër të zgjerimit të rrethit të mosbesimit dhe idhujtarisë, idetë takfiriste të ISIS kanë krijuar shumë dilema kundër myslimanëve shiitë dhe në bazë të kësaj ata i konsideron jashtë rrethit të Islamit. Takfiristët e ISIS akuzojnë myslimanët shiitë për bidat dhe risi në fenë islame. Në përkufizimin e termit bidat në fe kanë thënë: “futja e një gjëje në fe ose nxjerrja e një gjëje nga feja pa lejen e autoriteteve të Sheriatit, konsiderohet bidat”. Ajo për të cilën pajtohen të gjithë prijësit dhe dijetarët myslimanë është kjo që bidati është haram (vepër e ndaluar) sepse shtimi i një gjëje ose ndryshimi në fe, konsiderohet devijim. Në Kur’anin e shenjtë Zoti i madhëruar në mënyra të ndryshme ka qortuar futjen e gjërave të reja në fe. Në ajetin 116 të sures Nahl në Kur’anin e shenjtë, është qortuar bidati dhe është ndaluar në mënyrë të prerë një veprim i tillë. Ky ajet thotë: “Ju nuk duhet nga vetja dhe me gënjeshtër ta lejoni një gjë dhe ta ndaloni një gjë dhe pastaj atë ta lidhni me urdhrin e Zoltit duke i ngjitur gënjeshtra Atij. Ata të cilët i veshin gënjeshtra Zotit, kurrë nuk do ta shijojnë shpëtimin”.

Edhe ajetet e tjera përmendin shembuj të bidatit. Si për shembull ajeti 79 i sures Bekare të Kur’anit të shenjtë i cili tregon se shtrembërimi i librave qiellorë nga ana e hebrenjve është një prej shembujve të bidatit. Duhet patur parasysh se edhe pse bidati konsiderohet risi dhe novacion në fe, mirëpo çdo çështje e re nuk është bidat, sepse jeta njerëzore gjatë kohës ndryshon duke marrë parasysh nevojat kohore dhe këto ndryshime duhet të merren parasysh në Sheriatin Islamik. Kjo është në kohën kur në Kur’an dhe në hadithin profetik nuk ekzistojnë dispozita rreth shumë çështjeve të reja, prandaj nëse çdo çështje e re konsiderohet bidat, rezultati i saj do të jetë se Kur’ani dhe hadithi janë të mangët në lidhje me çështjet e reja të shoqërisë dhe një rezultat i tillë sipas bindjes së të gjithë myslimanëve, është i gabuar. Prandaj, çdo çështje e re nuk është bidat.

Tags