Mars 16, 2016 11:10 CET
  • Feminizmi dhe kritika e bazave, mësimeve dhe pasojave të tij

Në Islam që nga fillimi i shpalljes, femrave u është garantuar e drejta për pjesëmarrje politike dhe është porositur integrimi i femrave në të gjitha sferat kulturore, politike, shoqërore dhe ekonomike.

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar! Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit "Feminizmi dhe kritika e bazave, mësimeve dhe pasojave të tij". 

Në edicionin e kaluar folën rreth pozitës së rëndë të femrës në periudhën e injorancës dhe thamë se me shpalljen e fesë së pastër islame, u bë një ndryshim i madh në vështrimin ndaj pozitës së femrës në shoqëri që nën dritën e tij, femra gëzonte një respekt dhe nder të madh. Në Islam që nga fillimi i shpalljes, femrave u është garantuar e drejta për pjesëmarrje politike dhe është porositur integrimi i femrave në të gjitha sferat kulturore, politike, shoqërore dhe ekonomike. Mirëpo femrat perëndimore me organizimin e protestave dhe lëvizjeve si feminizmi, janë munduar të realizojnë të drejtat e tyre. Kjo lëvizje edhe pse në fillim bënte përpjekje për realizimin e të drejtave të femrave, mirëpo duke insistuar në mënyrë ekstreme mbi baza mendore dhe sjelljeje të gabuara mbi të cilat ishte e bazuar, devijoi nga rruga parësore dhe nuk pati sukses në jetësimin e dinjitetit dhe të drejtave të femrave. Në edicionin e sotshëm do të flasim dhe do të bëjmë një kritikë mbi disa baza mendore të feminizmit si individualizmi dhe humanizmi. Prej bazave më të rëndësishme filozofike të feminizmit është humanizmi. Feminizmi si një fenomen i lindur në shtratin e humanizmit perëndimor, e konsideron njeriu si bosht dhe burim i të gjitha të vërtetave, njohurive dhe vlerave, prandaj nuk beson në të vërtetat metafizike. Në realitet, feminizmi është reflektim i idesë së humanizmit në çështjet përkatëse me gjininë. Humanizmi ashtu sikur që përbënë themelin e modernizmit dhe postmodernizmit në vend të Zotit, përbënë edhe themelin e ideve feministe. Vlen të theksohet se idetë humaniste ose humanizmi ishte një lëvizje ekstremiste përballë ideve të krishterizmit të mesjetës, i cili njeriun material e konsideron bosht dhe të gjitha çështjet e tjera i analizon dhe vlerëson në bazë kësaj ideje. Termi humanizëm përkushtohet vetëm në aftësitë individuale dhe të personalitetit të njeriut. Themelet e humanizmit gjithashtu, janë formuar në bazë të pikëpamjeve humaniste dhe në bazë të temave si humanizmi, liria ekstreme dhe e shfrenuar, si dhe mohimi i bindjeve njerëzore në Zotin. Feministët në bazë të pikëpamjeve humaniste të tyre, besojnë se anëtarët e familjes posedojnë liri dhe nuk kanë kurrfarë përgjegjësie ndaj njëri-tjetrit. Kjo bindje e feminizmit u bë shkak që individë egoistë, gratë dhe burrat të mos kenë përgjegjësi ndaj njëri-tjetrit. Ndërkohë që në pikëpamjen e Islamit ligjet ekzistuese pohojnë se në familje të gjithë anëtarët kanë përgjegjësi ndaj njëri-tjetrit. Ligjet si pagimi i lëmoshës, mbështetje e babait ndaj familjes dhe roli edukativ i nënës etj., theksojnë në detyrat e anëtarëve të familjes. Përkundër theksimit të feminizmit në pavarësinë individuale të gruas në institucionin e familjes, në pikëpamjen islame njëkohësisht me mbrojtjen e të drejtave individuale të anëtarëve të familjes, ekzistojnë edhe ligje të gjera rreth lidhjes së fortë mes anëtarëve të saj. Këto ligje e kanë nxjerrë burrin dhe gruan nga gjendja e një individi të pavarur dhe të huaj ndaj interesave të të tjerëve dhe e kanë bërë atë përgjegjës ndaj interesave të anëtarëve të tjerë të familjes. 

Vështrimi ekstremist humanist është i refuzuar nga pikëpamja e Islamit dhe e mësimeve të shpalljes hyjnore. Kjo është për arsye se të menduarit humanist nuk ka synuar hartimin e një programi për të vlerësuar dhe ngritur pozitën e njeriut dhe për të përmirësuar idetë. Kjo është në kohën kur në vizionin e Islamit dhe të feve ibrahimiste, njeriu gëzon një pozitë të veçantë. Nga pikëpamja e Islamit, nga njëra anë e gjitha bota materiale plotësohet me njeriun dhe është krijuar për atë dhe e gjithë ekzistenca e njeriut varët nga Zoti dhe ka nevojë për Atë, ndërsa nga ana tjetër, pa ndihmën e Zotit, njeriu nuk mund të arrijë në lumturi. Sipas ajeteve kur’anore, njeriu si mashkulli dhe si femra, ka mundësi të arrijë në pozitat më të larta ose të bie në pozitat më të ulëta dhe e gjitha kjo varët nga veprimi i tij në jetë. Sipas ajeteve kur’anore, njerëzit kanë aspekte pozitive dhe negative. Ajetet e Kur’anit të shenjtë nga njëra anë njeriun e lidhin me veprime negative si padrejtësia, padituria, jofalënderimi, rebelimi, ngutësia dhe euforia, koprracia, lakmia dhe mosmarrëveshja, ndërsa nga ana tjetër, atë e lidhin me pozita të larta siç është zëvendësimi i Zotit, fisnikëria, dinjiteti, zotërimi i mirësive, nënshtrimi i engjëjve para tij etj.. Karakteristikë tjetër e idesë humaniste si një prej boshteve mendore të feminizmit, është besimi në lirinë pakushtëzuar të njeriut. Ndërkohë që nga pikëpamja e Islamit, nëse liria e njeriut nuk kontrollohet nën dritën fetare dhe në bazë të vlerave morale dhe juridike, atëherë mendja dhe arsyeja e tij është e dënuar të jetë nën kontrollin e dëshirave egoiste dhe të dëshirave të tjera shtazarake dhe mund të kryejë çdo lloj krimi. Liria e pakushtëzuar e humanizmit gjithashtu nuk lë kurrfarë vendi për detyrën, përgjegjësinë dhe respektimin e interesave publike. Nga pikëpamja e fesë, edhe pse individët kanë të drejta të caktuara, mirëpo caktimi i kufijve dhe i shembujve e rasteve të këtyre të drejtave, është bërë nga ana e Zotit dhe individët si një detyrë hyjnore, janë të obliguar t’i respektojnë ato. Individualizmi dhe origjina e kënaqësisë, janë baza të tjera mendore të feminizmit. Nëse në humanizëm, njeriu është bërë bosht, në individualizëm pretendohet se individi është standard me të gjitha karakteristikat individuale të tij. Jeta e individit i përket vet atij dhe jo çështjeve jashtë vetes së tij. Prandaj, ai është i lirë të zgjedhë dhe të veprojë sipas dëshirës së vet. Me këtë qasje, edhe feminizmi e vendos standard primar individin dhe dëshirat e tij në të gjitha aspektet politike, ekonomike, morale dhe juridike. Në të menduarin feminist, sidomos në feminizmin liberal, e vetmja vlerë e përgjithshme është liria e njeriut dhe vlera e saj është absolute dhe ka përparësi ndaj të gjitha vlerave të tjera. Rëndësia e individit në kuadër të humanizmit ka shkuar deri në atë masë saqë individi dhe dëshirat e tij janë bërë standard i normave morale. “E mira” është ajo që e dëshiron njeriu si një individ. “Dëshirat” janë realitete të pandryshueshme dhe të vendosura në natyrën e njeriut, prandaj morali duhet ta harmonizojë vetën me atë. Në bazë të kësaj, sistemet politike, juridike dhe morale duhet të harmonizohen dhe të koordinohen me njeriun dhe lirinë e tij dhe njeriu me ato. Charles Taylor, profesor i filozofisë dhe i shkencave politike në Universitetin Mc Gill, e konsideron individualizmin si një prej problemeve themelore të shoqërisë moderne perëndimore dhe thotë: “...njerëzit modernë kanë humbur vështrime shumë më të gjera, për arsye se ata janë përqendruar në jetën e tyre dhe asgjë tjetër. Me fjalë të tjera, imazhi i errët i individualizmit është një egoizëm i cili e varfëron kuptimin e jetës dhe i ndalon njerëzit që të përkushtohen edhe ndaj të tjerëve ose të shoqërisë”.

Besimi i feminizmit në individualizëm është bërë shkak që femrat në mënyrë të shfrenuar të shkojnë pas dëshirave të tyre. Në bazë të kësaj u përhapën motot e feminizmit si e drejta për zotërimin e trupit, abortimi dhe liria seksuale, si të drejta natyrore e femrave. Feministët individualistë besojnë se kur veprimi të arsyetohet në bazë të dëshirave dhe interesit personal, atëherë për çfarë arsye gruaja duhet të përballojë vështirësi dhe kufizime të caktuara në kuadër të rolit të nënës dhe besnikërisë ndaj burrit. Këto ide u bënë pikëfillim për dobësimin e themeleve të familjes. Me fillimin e lëvizjes feministe, ekstremistët e kësaj lëvizje kanë theksuar në rëndësinë e qasjes së gruas në pozitën e saj si një individ, pavarësisht marrëdhënieve familjare. Prandaj, vala e dytë e feminizmit në një masë më të madhe ka dënuar institucionin e familjes si një qendër për shtypjen e femrave. Në përgjithësi, këto zhvillime kanë bartur në masë të gjerë parimet dhe sjelljet individuale brenda familjes dhe si rezultat ideja për të drejtën personale, ka zhdukur familjen si një institucion i unifikuar dhe i përbërë nga disa anëtarë. Aktualisht në dokumentet ndërkombëtare të hartuara nën ndikimin e feminizmit theksohet në të drejtën e femrës në zgjedhjen e llojit të marrëdhënieve seksuale me gjininë e njëjtë ose të kundërt. Feministët besojnë se për të kompensuar të kaluarën dhe për të zhdukur moralin e dorëzimit dhe nënshtrimit të femrave, liritë individuale për femrat janë prioritet dhe kanë rëndësi më të madhe dhe duhet theksuar më shumë në lirit personale në mënyrë që të forcohet forca dhe guximi i zgjedhjes tek ato. Rezultat i bindjeve të feminizmit në individualizëm është sundimi i dëshirave egoiste të njeriut. Është e qartë se kjo nuk është në harmoni me të menduarin islam. Islami e ka lënë individin të lirë vetëm brenda limiteve të Sheriatit për të plotësuar dëshirat e tij, por kurrë nuk e lejon individin që të bëhet rob i dëshirave të egos së tij. Në të menduarin islam, Zoti është boshti i çdo gjëje, për arsye se ai është Krijues dhe Pronar dhe siguron lumturinë e individit në këtë botë dhe në botën tjetër, nëse ai vepron në kuadër të Sheriatit. Në Islam individualizmi ose kolektivizmi, gjithashtu paraqitet në një formë tjetër. Vështrimi i Islamit është një pikëpamje mes individualizmit dhe kolektivizmit dhe në këtë mes nuk mund t’i jepet përparësi individit ose kolektivit. Islami nga një aspekt ka pikëpamje individualiste, do të thotë kur është çështja e qëllimit final të krijimit të njeriut dhe e lumturisë ose e vuajtjes së tij të amshueshme, ndërsa në disa çështje të tjera ka pikëpamje kolektive dhe ndalon çfarëdo lloj lirie individuale e cila dëshiron të dëmtojë interesat e kolektivit dhe shoqërisë. Nga aspekti i Islami, individualizmi në familje nuk ka kuptim. Individualizmi është pjesë e bazave të familjes sekulariste. Në familjen sekulariste, gruaja dhe burri nuk janë përgjegjës për njëri-tjetrin dhe janë të liruan kjo përgjegjësi. Kjo është në kohën kur në familjen islame, progresi i secilit prej tyre, konsiderohet edhe progres i tjetrit dhe të drejtat dhe përgjegjësitë e të dyve janë paraparë përkrah njëra-tjetrit.

Tags