Nëntor 24, 2018 22:29 CET
  • Në shkollën e Ruhullahut:

Në këtë edicion do të analizojmë dhe zbërthejmë parimet e drejtësisë dhe sigurinë gjyqësore në pikëpamjen e Imam Khomejnit (ra).

Drejtësia dhe siguria gjyqësore

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar. Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit “Në shkollën e Ruhullahut”. Në edicionin e kaluar kemi folur rreth gjykimit dhe sistemit gjyqësor në pikëpamjen e Imam Khomejnit (ra) dhe thamë se ai i ka dhënë një rëndësi shumë të madhe sistemit gjyqësor dhe beson se gjykimi është një prej kritereve të autoritetit fetar që plotëson kushtet e duhura në kohën e mungesës së Imamit dhe në shtetin islam, përkrah pozitës së autoritetit fetar dhe Vilajetit, gjykimi ka një pozitë të lartë. Gjithashtu thamë se për shkak të kësaj  që domethënia e formimit të shtetit islam është vendosja dhe zbatimi i drejtësisë, pozita e gjykatësve dhe funksioni i sistemit gjyqësor ka ndikim shumë të madh në fatin e Republikës Islamike, prandaj për këtë arsye Imam Khomejni ka theksuar pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe përkushtimin e gjykatësve për respektimin e dispozitave të Sheriatit Islam dhe kornizat përkatëse. Gjithashtu shpjeguam se barazia përpara ligjit është një prej parimeve të rëndësishme në mendimin e Imam Khomejnit në lidhje me çështjen e gjykimit dhe sistemit gjyqësor. Tani në këtë edicion do të flasim për pozitën e drejtësisë dhe sigurisë gjyqësore në pikëpamjen e Imam Khomejnit.

Drejtësia gjyqësore do të thotë kur në shoqëri gjendja të jetë në atë mënyrë që personat të cilët i referohen aparatit gjyqësor për të marrë të drejtat e tyre, të fitojnë atë çfarë është e drejtë e tyre. Me fjalë të tjera, gjendja e aparatit gjyqësor nuk duhet të jetë në atë mënyrë që individët për shkak se dyshojnë që nëpërmjet aparatit gjyqësor nuk mund të realizojnë të drejtat e tyre, të mos paraqesin fare çështje në gjykatë dhe të mos kërkojnë hetime gjyqësore për problemet e tyre. Kur një person paraqitet në aparatin gjyqësor për të marrë të drejtën e vet, strukturat dhe gjykatat e drejtësisë dhe të gjithë forcat njerëzore administrative të këtij aparati duhet të krijojnë këtë mundësi që personi në fjalë të marrë të drejtën e tij. Imam Khomejni (ra) duke theksuar respektimin e çështjeve të Sheriatit në gjykata, gjithnjë ka theksuar edhe për respektimin e kornizave përkatëse me drejtësinë gjyqësore, për zhdukjen e diskriminimit dhe çfarëdo kaosi të mundshëm. Për shembull, ai në reagim ndaj veprimit të disa individëve përkatëse me aparatin gjyqësore të cilët shumë lehtë akuzonin të tjerët për degjenerim ose prostitucion, me një qëndrim kritik thotë: "Mos i trajtoni çështjet në këtë mënyrë gjithëpërfshirëse. Duhet të veproni sipas kritereve të Sheriatit dhe nuk duhet të veproni në këtë mënyrë që tani pasi është bërë revolucion, ne duhet ta dënojmë çdo person që dëshirojmë! Për arsye se në pyetje është nderi i myslimanëve i cili duhet ruajtur dhe respektuar".

Një prej aspekteve të drejtësisë gjyqësore në mendimin e Imam Khomejnit është respektimi i të drejtave të njerëzve, qytetarëve, por edhe të të akuzuarve dhe kriminelëve duke shmangur në çdo aspekt ekstremizmin dhe shkeljen e të drejtave të të tjerëve. Për shembull në vitet e para të fitores së Revolucionit Islamik që ashtu sikur në të gjithë revolucionet e botës, përndjekja dhe dënimi i personave dhe elementëve të regjimit të kaluar, ishte bërë prioritet i strukturave revolucionare dhe si rezultat ishin krijuar rrethanat edhe për veprime ekstremiste apo radikale dhe për shkeljen e të drejtave të qytetarëve sidomos të atyre të cilët kanë bashkëpunuar me regjimin e kaluar. Disa gjykatës të cilët ishin emëruar nga Imam Khomejni si gjykatës të Sheriatit Islam dhe kishin marrë për sipër kryerjen e hetimeve rreth elementëve të regjimit të kaluar dhe shqyrtimin e pasurive dhe kapitaleve të tyre, kishin lëshuar verdikte për ekzekutim me vrasje ose për dënime të rënda dhe konfiskimin e një pjese të madhe të pasurisë së atyre elementëve. Si pasojë ishin kryer disa veprime shumë të ashpra dhe radikale ndaj njerëzve të afërt me regjimin e kaluar. Mirëpo lideri i ndjerë i Revolucionit Islamik me maturi reagoi në mënyrë të duhur ndaj veprimeve të tilla dhe nuk lejoi të marrë formë dhe të vazhdojë një proces dhe një metodë që ishte në kundërshtim me kriteret dhe standardet e drejtësisë islame. Ai në lidhje me këtë situatë, deklaroi: "Gjykatat me plotë kuptimin e fjalës, duhet të jenë islame dhe duhet patur kujdes dhe vëmendje që të mos dënohet një person i pafajshëm... Në lidhje me çështjen e konfiskimit të pasurisë së të akuzuarve, gjithashtu duhet  hetuar me saktësi dhe nuk duhet dënuar personin vetëm pse ka qenë funksionar i regjimit të kaluar".

Një tjetër aspekt i drejtësisë dhe sigurisë gjyqësore nga pikëpamja e Imam Khomejnit, është respektimi i privatësisë së individëve. Në mendimin e Imam Khomejnit, as autoriteti më i lartë fetar "Veli Fakih" nuk ka të drejtë të ndërhyjë në privatësinë e individëve dhe në rast se një veprim të tillë e bënë vetëm për shkak të interesit të tij, ai e humb autoritetin fetar që ka. Edhe pse mund të ndodhë që e drejta e privatësisë të ndërhyjë me një çështje më të rëndësishme siç është siguria publike dhe të drejtat publike kanë prioritet, por parimi është i bazuar në mosndërhyrjen e shtetit në privatësinë e individëve. Për shembull, Imam Khomejni në një rast pasi u informua që disa individë dhe institucione në bazë të emocioneve dhe euforisë së tyre revolucionare, kanë kryer veprime të cilat kanë shkelur të drejtat e qytetarëve,  ka reaguar në mënyrë të prerë për t'i dhënë fund interpretimeve të veçanta në lidhje me limitet dhe kriteret islame në lidhje me zbatimin e dispozitave të fesë Islame dhe lëshoi dekretin tetë pikës në nëntor të vitit 1982, ku bazë dhe prioritet i këtij dekreti ishte respektimi i të drejtave qytetare të individëve, edhe ky term nuk është përdorur në atë dekret. Në bazë të këtij dekreti, Imam Khomejni në mënyrë të theksuar urdhëroi të gjitha forcat dhe strukturat revolucionare dhe thënë se marrja nën hetime dhe arrestimi i personave nuk lejohet pa vendimin e gjykatës, konfiskimi i pasurive të tundshme dhe të patundshme dhe hyrja në shtëpinë, dyqanin ose në vendin e punës së individëve për të zbuluar krimin, nuk lejohet pa vendimin e gjykatës. Gjithashtu nuk lejohet përgjimi i telefonave. Nuk lejohet përgjimi dhe spiunazhi ndaj personave, përveç në raste kur është në pyetje zbulimi i ndonjë komploti kundër shtetit. Këto ishin disa prej çështjeve të theksuara në dekretin tetë pikësh të Imam Khomejnit me qëllim që në valën dhe kulmin e revolucionit të mos neglizhohet drejtësia dhe siguria gjyqësore dhe të mos shkelen të drejtat e qytetarëve. Për zbatimin e këtij dekreti të rëndësishëm, u krijua një shtab i veçantë në Iran me qëllim që të krijojë rrethanat për realizimin e këtyre qëllimeve dhe për të parandaluar kundërvajtjen në këtë drejtim.

Gjithashtu një muaj më pas, do të thotë në dhjetor të vitit 1982, në një dekret të ri, Imam Khomejni dha urdhër për shpërbërjen e organeve që bëjnë përzgjedhjen e individëve për detyra të ndryshme, për arsye se ai ishte informuar se institucionet në fjalë kishin hartuar libra dhe dorëshkrime me të cilat cenonin privatësinë e individëve të shoqërisë dhe rrezikonin sigurinë e qytetarëve. Imam Khomejni gjatë jetës tërë jetës së tij vazhdimisht ka ndjekur përmasat dhe mënyrën e zbatimit të këtyre dekreteve dhe në raste të nevojshme, ka dhënë vërejtjet përkatëse për autoritetet shtetërore. Imam Khomejni u ka dhënë urdhëresa të qarta dhe të prera aparatit gjyqësor dhe organeve të tjera ekzekutive për islamizimin e ligjeve dhe veprimeve të tjera ku në shumë prej këtyre urdhëresave është theksuar nevoja për mosndërhyrjen në sferën e privatësisë dhe për mbrojtjen e sigurisë së qytetarëve dhe lirive individuale, sidomos është theksuar mbrojtja e sigurisë dhe drejtësisë gjyqësore. Në një prej këtyre letrave dhe dekreteve të Imam Khomejnit drejtuar organeve dhe institucioneve shtetërore, ai urdhëron që siguria e privatësisë së individëve duhet të respektohet në çdo aspekt për shkak të nevojës për islamizimin e të gjitha institucioneve shtetërore dhe sidomos aparatit gjyqësor duke vendosur dispozitat hyjnore në sistemin shtetëror të Republikës Islamike në vend të regjimit despotik.

Një tjetër aspekt i drejtësisë  gjyqësore që tërheq vëmendjen e Imam Khomejnit është respektimi i të drejtave të të burgosurve dhe trajtimi i përshtatshëm i të burgosurve nga ana e autoriteteve gjyqësore. Ai në këtë fushë ka theksuar për të gjitha autoritetet përkatëse me çështjet e burgjeve duke kërkuar nga ata të respektojnë të drejtat e të burgosurve, të kenë sjellje njerëzore ndaj të burgosurve, të respektojnë mirëqenien e të burgosurve dhe duke shmangur çfarëdo lloj dhune dhe torturimi, t'i shndërrojnë burgjet në një qendër për edukimin islamik të njerëzve. Imam Khomejni kishte këtë bindje që burgjet duhet të shndërrohen në një shkollë për arsimim dhe edukim moral të të burgosurve në mënyrë që edhe kriminelët dhe fajtorët ta shijojnë drejtësinë islame dhe të anojnë më tepër drejt Islamit.

Një tjetër shembull i drejtësisë gjyqësore në mendimin e Imam Khomejnit (ra), është pranimi i mundësisë për apel dhe rishikim në vendimin e gjykatësit. Ky rishikim ka ndikim të madh në zbatimin e drejtësisë gjyqësore dhe në parandalimin e shkeljes së të drejtave të personave. Kjo çështje gjen rëndësi të madhe sidomos në kohën kur një palë e çështjes së paraqitur në gjykatë të jetë qeveria ose institucionet të cilat kanë pushtet dhe forcë shumë më të madhe se sa qytetarët e thjeshtë dhe më lehtë mund të çojnë përpara qëllimet e tyre. Imam Khomejni në fillim kishte këtë qëndrim që rishikimi në vendimin e gjykatësit të Sheriatit nuk lejohet, mirëpo pasi kaluan rreth tre viteve nga fitorja e Revolucionit, ai arriti në këtë përfundim se duke marrë parasysh çështjet shumë të ndërlikuar me të cilat përballet sistemi gjyqësor, të qenit i prerë vendimi i gjykatësit nuk është në interes të shtetit, prandaj duke për përjashtim nga rregulli, e shpalli të lejuar rishikimin në vendimin e gjykatësve. Kjo çështje është paraparë edhe në ligjin dhe rregulloren e prokurorisë dhe gjykatave penale. Në këtë mënyrë u bë e mundshme çështja e rishikimit dhe protestës ndaj vendimit të gjykatësit të Sheriatit Islam. Gjithashtu në bazë të mendimit të  Imam Khomejnit në lidhje me nevojën e mbrojtjes së të drejtave të njerëzve dhe të qytetarëve të thjeshtë përball shkeljeve të mundshme të qeverisë dhe institucioneve ekzekutive, u krijuar edhe gjykata e drejtësisë administrative. Gjykata e drejtësisë administrative konsiderohet një prej rezultateve të pashembullt të Revolucionit Islamik ku në bazë të saj qytetarët e thjeshtë kanë këtë mundësi që të paraqesin ankesë dhe padi kundër qeverisë dhe ligjvënies apo zbatimit të ligjeve dhe rregulloreve në raste kur ato në mënyrë të ligjshme janë në dëm të një qytetari ose të një grupi qytetarësh. Kjo gjykatë mbështet të drejtat e qytetarëve përball qeverisë dhe jep urdhra për anulimin dhe shfuqizimin e vendimeve të tilla të qeverisë.