Në shkollën e Ruhullahut: "Komponentët e drejtësisë dhe sigurisë gjyqësore"
Në këtë edicion do të analizojmë dhe zbërthejmë komponentët e drejtësisë dhe sigurisë gjyqësore në pikëpamjen e Imam Khomejnit (ra) të pasqyruara në Kushtetutën e Republikës Islamike të Iranit.
Komponentët e drejtësisë dhe sigurisë gjyqësore
Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar. Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit “Në shkollën e Ruhullahut”. Në dy edicionet e kaluara kemi folur në lidhje me pozitën e gjykimit dhe sistemit gjyqësor në mendimin e Imam Khomejnit dhe thamë se vendosja e drejtësisë dhe sigurisë gjyqësore në bazë të standardeve islame, është parimi më i rëndësishëm dhe më kryesor në pikëpamjet e tij në lidhje me gjykimin dhe sistemin gjyqësor. Gjithashtu kemi shpjeguar këtë çështje se në mendimin e Imam Khomejnit në lidhje me gjyqësorin ekzistojnë parime si barazia para ligjit, nevoja për respektimin e të drejtave të të gjithë qytetarë edhe të të akuzuarve dhe kriminelëve, nevoja për shmangien e ekstremizmit të padrejtë dhe shkeljen e të drejtave të të tjerëve, nevoja për respektimin e privatësisë së qytetarëve, nevojave për respektimin e të drejtave të të burgosurve dhe trajtimin e përshtatshëm ndaj të të burgosurve nga të gjitha autoritetet përkatëse duke përfshijë funksionarët e burgjeve dhe deri te funksionarët e sistemit gjyqësor, si dhe në fund mundësia për rishikimin e vendimit të gjykatësit të Sheriatit; si boshtet më të rëndësishme të pikëpamjeve të Imam Khomejnit në çështjen e drejtësisë dhe sigurisë gjyqësore. Në këtë edicion kemi për qëllim të zbërthejmë se cilat ishin brengat kryesore të themeluesit të Revolucionit Islamik në fushën e drejtësisë dhe sigurisë gjyqësore dhe deri në çfarë mase i është kushtuar vëmendje këtyre brengave në sistemin shtetëror të Republikës Islamike të Iranit dhe në mënyrë të veçantë të analizojmë se këto parime çfarë pozite kanë në Kushtetutën e Republikës Islamike të Iranit.
Drejtësia gjyqësore do të thotë krijimi i rrethanave që të gjithë individët të kenë qasje në të drejtat e tyre dhe të mund të paraqesin ankesat ose paditë ndaj personave ose organeve që shkelin të drejtat e tyre. Kjo ishte një prej qëllimeve dhe motove të njerëzve në Revolucionin Islamik dhe në periudha të ndryshme është theksuar në qëndrimet e Imam Khomejnit (ra). Në bazë të kësaj, në Kushtetutën e Republikës Islamike të Iranit një kapitull i veçantë i është kushtuar sistemit gjyqësor ndërsa në nene të ndryshme të përfshira në këtë kapitull, në mënyrë të qartë janë shpjeguar kornizat dhe mekanizmat për zbatimin e drejtësisë gjyqësore. Përveç kësaj, edhe në një kapitull tjetër të Kushtetutës janë përcaktuar të drejtat e popullit dhe është paraparë një kornizë të cilën janë obliguar ta respektojnë të gjitha shtyllat e shtetit, sidomos aparati gjyqësor. Këto nene dhe parime përkrah njëri-tjetrit kanë krijuar një kartë juridike e cila duke u bazuar në sistemin gjyqësor, siguron dhe garanton drejtësinë dhe sigurinë gjyqësore për të gjithë qytetarët. Kushtetuta e Republikës Islamike të Iranit, bazën dhe themelin e sistemit gjyqësor të Republikës Islamike të Iranit e cilëson realizimin e drejtësisë islame dhe në nenin e tretë në mënyrë të qartë është theksuar se një prej detyrave të sistemit shtetëror të Republikës Islamike të Iranit është garantimi dhe realizimi i drejtësisë gjyqësore. Gjithashtu, sipas Kushtetutës, drejtësia është një prej themeleve kryesore të sistemit shtetëror dhe të gjithë ligjvënësit e zakonshëm në proceset e ligjvënies së tyre, duhet ta respektojnë këtë parim.
Në Kushtetutën e Republikës Islamike të Iranit përgjegjësia kryesore për garantimin e drejtësisë dhe sigurisë gjyqësore, është mbi supe të sistemit gjyqësor. Në përputhje me nenin 156, aparati gjyqësor është një organ i pavarur i cili mbështet të drejtat individuale dhe shoqërore të qytetarëve dhe për realizimin e këtij qëllimi, ai ka për detyrë të shqyrtojë të gjitha ankesat për padrejtësi dhe shkelje të drejtash dhe të merr masa përkatëse për zgjidhjen e konflikteve, mënjanimin e armiqësive dhe marrjen e vendimeve të duhura në këtë drejtim. Një prej brengave të Imam Khomejnit për realizimin e drejtësisë gjyqësore në shoqëri, është zgjedhja e personave të merituar dhe njohës të Islamit për shqyrtimin e çështjeve gjyqësore. Ai në raste të ndryshme duke përfshijë edhe testamentin, këtë çështje e ka cilësuar si një çështje të rëndësishme në realizimin e drejtësisë gjyqësore në sistemin shtetëror të Republikës Islamike të Iranit, ku thotë: "Prej çështjeve më të rëndësishme përkatëse me gjyqësorin është kjo që ky organ ka të bëjë me jetën, pasurin dhe nderin e qytetarëve. Porosia ime për liderin ose për këshillin e lidershipit është kjo që në emërimin e funksionarëve më të lartë të sistemit gjyqësor, të bëjnë të gjitha përpjekjet që të zgjedhin njerëzit e zotuar, me të kaluar të mirë dhe ekspert në çështje të Sheriatit dhe të fesë Islame". Në bazë të kësaj, në nenin 57 të Kushtetutës së Republikës Islamike është theksuar se lidershipi në postin e kryetarit të sistemit gjyqësor duhet ta emërojë një person që është muxhtehid, i drejtë, me njohuri të gjëra në çështjet gjyqësore, drejtues dhe i matur. Gjithashtu për shkak të nevojës për gjykatës të merituar dhe të zotuar për realizimin e drejtësisë gjyqësore, në nenin 158 të Kushtetutës është caktuar se një prej detyrave të kryetarit të sistemit gjyqësor, është zgjedhja e gjykatësve të merituar dhe të drejtë për të çuar përpara çështjet gjyqësore të vendit.
Filozofët e shkencave juridike, krijimin e sigurisë gjyqësore për çdo individ të shoqërisë në atë mënyrë që asnjë anëtarë i shoqërisë duke u mbështetur në racë, gjini, fe etj., të mos mund të sillet me forcë ndaj të tjerëve, e kanë cilësuar si filozofi dhe domethënie të ligjvënies. Kjo çështje gjithashtu ka qenë në qendër të vëmendjes së Imam Khomejnit dhe për këtë arsye në Kushtetutën e Republikës Islamike të Iranit, siguria gjyqësore e qytetarëve është një prej prioriteteve të ligjvënësve dhe realizimi i saj është caktuar përgjegjësi e sistemit gjyqësor. Me fjalë të tjera, siguria gjyqësore e qytetarëve është një prej të drejtave të qytetarëve dhe qeveria duhet të zotohet për respektimin e kësaj të drejte dhe duhet të obligohet për zbatimin e kësaj të drejte. Pikërisht për këtë arsye në Kushtetutën e Republikës Islamike të Iranit një kapitull i pavarur i është kushtuar të drejtave të qytetarëve në mënyrë që të gjitha institucionet shtetërore të respektojnë këto të drejta dhe sistemi gjyqësor të mbikëqyrë realizimin dhe respektimin e kësaj të drejte nga institucionet shtetërore. Në kapitullin e ndarë për të drejtat e qytetarëve, në mënyrë të qartë është theksuar se qytetarët e Iranit nga çfarëdo grupi etnik dhe fetar që të jenë përbërë, gëzojnë të drejta të barabarta dhe ngjyra, raca, gjuha dhe faktorë të tillë nuk bëhen shkak për privilegje të veçanta. Në nenin tjetër menjëherë është theksuar se të gjithë individët e shoqërisë, mashkull e femër, në mënyrë të barabartë mbrohen nga ligji. Gjithashtu në nenin e 23-të është theksuar se nderi, pasuria, jeta, të drejtat, shtëpitë dhe puna e individëve gëzojnë imunitet dhe mbrojtje me ligj, me përjashtim të rasteve ku ligji përcakton ndryshe.
Një prej çështjeve e cila ka lidhje të drejtpërdrejtë dhe të besueshme me të drejtat dhe sigurinë gjyqësore të qytetarëve dhe që njohja zyrtare e saj gjithnjë është ndjekur si prioritet i të gjithë njerëzve liridashës të botës, është parimi për mos hetimin e bindjeve të njerëzve. Për fat të keq historia e njerëzimit është e mbushur me raste të cilat tregojnë se përkundër parimeve parësore njerëzore dhe duke shkelur të gjitha standardet dhe kriteret morale dhe njerëzore, shumë njerëz të pafajshëm vetëm për shkak të bindjeve dhe besimit janë marrë nën pyetje dhe janë torturuar dhe ndaj tyre janë lëshuar dhe zbatuar vendime më të padrejta dhe më të ashpra nga autoritetet gjyqësore. Kushtetuta e Republikës Islamike të Iranit në nenin 23-të në mënyrë të qartë ka ndaluar hetimin e bindjeve dhe ka theksuar se askush nuk mund të arrestohet dhe të dënohet vetëm për shkak të bindjeve të ndryshme. Gjithashtu parimi i pafajësisë është një tjetër parim të cilit i është kushtuar vëmendje e veçantë në Kushtetutën e Republikës Islamike të Iranit. Në nenin 37 të Kushtetutës së Iranit thuhet: “Parimi duhet të jetë i bazuar mbi pafajësi dhe secili person nga aspekti i ligjit nuk është fajtor, përveç nëse faji tij të jetë vërtetuar në gjykatën e drejtë. Paralelë me këto parime, paligjshmëria e torturës për marrjen e pohimeve dhe gjithashtu nevoja për mbrojtjen e dinjitetit dhe nderit të personave të akuzuar ose të dënuar, janë prej çështjeve të cilës i është kushtuar vëmendje dhe rëndësi e madhe për realizimin e drejtësisë dhe gjyqësore të qytetarëve që janë theksuar edhe në Kushtetutën e Iranit. Në nenin 38 të Kushtetutës së Iranit është theksuar se çfarëdo lloj torture për të marrë pohim ose për të marrë informacione nga të akuzuarit, është i ndaluar dhe nuk lejohet që të detyrohet personi të japë dëshmi, të japë pohime ose betime për një çështje dhe një pohim, dëshmi ose betim i tillë nuk ka vlerë dhe kredibilitet. Gjithashtu në nenin 39, përdhunimi i nderit dhe dinjitetit të një personi i cili me urdhrin e ligjit është arrestuar, burgosur ose internuar, është i ndaluar në çfarëdo forme që të jetë dhe pason ndëshkime.
Në nenet e tjera të Kushtetutës së Iranit gjithashtu ekzistojnë raste të shumta të cilat mbikëqyrin mbrojtjen e të drejtave qytetare dhe realizimin e drejtësisë dhe sigurisë gjyqësore. Për shembull, në nenin 32 thuhet se askush nuk mund të arrestohet, përveç me urdhër gjyqësor dhe në formën që është caktuar me ligj. Ose në një nen tjetër është theksuar se në rast të arrestimit të një qytetari, menjëherë atij duhet t’i shqiptohet akuza duke përmendur argumentet dhe më së shumti brenda 24 orëve, dosja e tij duhet të dërgohet në gjykatë. Gjithashtu në nenin 35 të Kushtetutës së Iranit marrja e avokatit mbrojtës është konsideruar e drejtë e të akuzuarit dhe është theksuar se në të gjitha gjykatat palët e përfshira në një çështje, kanë të drejtë të zgjedhin avokat për vete dhe nëse nuk kanë mundësi të marrin avokat, atyre duhet t’u krijohen mundësitë për sigurimin e avokatit falas. Përveç kësaj, për të parandaluar kaosin dhe shkeljen e të drejtave të qytetarëve, lëshimi i verdiktit gjyqësor dhe zbatimi i tij i është caktuar në mënyrë të veçantë vetëm e drejtë e gjykatës zyrtare. Gjithashtu prokura dhe referimi në gjykatë është konsideruar e drejtë e të gjithë qytetarëve dhe në nenin 34 të Kushtetutës së Iranit është theksuar se askush nuk mund të ndalohet nga paraqitje e prokurës në gjykatë në përputhje me ligjin. Kushtetuta e Republikës Islamike të Iranit për realizimin e drejtësisë dhe sigurisë gjyqësore e ka njohur zyrtarisht parimin për dënime të ligjshme të krimeve.
E gjithë ajo që u tha më sipër tregon se brengat dhe shqetësimet përkatëse me drejtësinë dhe sigurinë gjyqësore që kanë tërhequr vëmendjen e Imam Khomejnit (ra), janë pasqyruar në shumë nene të Kushtetutës së Republikës Islamike të Iranit. Natyrisht përkrah parimeve të lartpërmendura, ekzistojnë edhe shumë nene dhe parime të tjera që mbrojnë të drejtat e qytetarëve, por që për shkak të kohës së kufizuar nuk mund t’i përmendim të gjitha ato në këtë program. Në përgjithësi duhet thënë se Kushtetuta e Republikës Islamike të Iranit është një kartë e të drejtave qytetare dhe aparati gjyqësor është përgjegjës për sigurimin dhe mbrojtjen e këtyre të drejtave dhe përgjegjës për realizimin e drejtësisë dhe sigurisë gjyqësore.