Nëntor 24, 2018 22:59 CET
  • Në shkollën e Ruhullahut:

Në këtë edicion do të shpjegojmë pikëpamjet e Imam Khomejnit (ra) në lidhje me disa komponentë dhe shembuj të lirive politike dhe shoqërore si liria e femrave, liria e minoriteteve fetare dhe lirisë së shprehjes në universitete dhe organizatat studentore.

Liritë politike dhe shoqërore

Përshëndetje për ju dëgjues të nderuar. Jemi pranë jush me edicionin e radhës së programit “Në shkollën e Ruhullahut”. Në edicionin e kaluar kemi folur rreth bazave dhe komponentëve të lirisë nga pikëpamja e Imam Khomejnit si dhe kemi shpjeguar kufijtë dhe limitet e lirisë në pikëpamjet e tij dhe thamë se Imam Khomejni duke u mbështetur në bazat fetare, ka shpjeguar lirinë në shtetin islam ndërsa respektimin e dispozitave fetare dhe morale dhe normave ligjore, mosbërjen e korrupsionit, mosbërjes së komploteve kundër sistemit shtetëror dhe mosdëmtimin e interesave publike, i ka cilësuar si limite të lirisë. Në vazhdim të kësaj teme, në këtë edicion do të shqyrtojmë disa aspekte dhe shembuj të lirive politike dhe shoqërore nga pikëpamja e Imam Khomejnit (ra).

Një prej aspekteve të rëndësishme të lirive politike dhe shoqërore në mendimin e Imam Khomejnit, është liria në universitete dhe në aktivitetet studentore. Gjatë viteve para fitores së Revolucionit Islamik, qarqet universitare si një prej qendrave kryesore të protestave dhe luftës kundër regjimit mbretëror, administroheshin nën masat më të ashpra të sigurisë, prandaj studentët protestues ishin bërë objektiv e reagimeve më të ashpra dhe më të dhunshme të shtetit. Studentët që protestonin ndaj politikave të regjimit të mbretit, me pretekstin më të vogël, privoheshin nga arsimi universitare dhe burgoseshin dhe në burgjet e regjimit vendoseshin nën torturat më të ashpra. Atmosfera e universitetit ishte një atmosferë e frikës dhe tmerrit dhe gjatë kasave mësimore nëse bëhej edhe protesta më e vogël nga ana e profesorëve ndaj regjimit dhe politikave të mbretit, menjëherë ata vendoseshin nën përndjekje dhe hetime nga organet e regjimit. Imam Khomejni duke kritikuar këtë gjendje, besonte në lirinë në universitete në mënyrë që të garantohet dhe mbrohet liria dhe dinjiteti i profesorëve dhe studentëve dhe pavarësia e universiteteve. Ai duke përshkruar gjendjen e universiteteve në vitet para Revolucionit Islamik, ka thënë: “Nëse universitetet do të ishin universitete të drejta dhe të rregullta, atëherë këta të rinjtë tanë të cilët universitete dëshironin të flisnin të vërtetën, atëherë pse ata ngulfateshin?! Vajzat e djemtë i rrihnin dhe keqtrajtonin dhe i burgosnin... Universiteti në të cilin sundon një njeri i vetëm, ai nuk bëhet kurrë universitet. Ambienti i diturisë dhe shkencës duhet të jetë i lirë”.

Një prej karakteristikave të regjimeve demokratike është ekzistimi i lirisë për minoritetet fetare, etnike, gjuhësore dhe i gëzimi të drejtave qytetare nga ana e tyre. Gjatë zhvillimeve pas fitores së Revolucionit Islamik, një prej pyetjeve më të zakonshme që i bëhej në mënyrë të përsëritshme Imam Khomejnit, ishte gjendja e minoriteteve fetare në sistemin shtetëror të Republikës Islamike. Shkaku i ndjeshmërisë së kësaj çështje në sytë e analistëve politike dhe vëzhguesve ndërkombëtar, ishte natyra fetare e Revolucionit dhe udhëheqjes fetare të tij nga autoritetet shiite. Duke marrë parasysh faktin se klerikët dhe autoritetet fetare gjithnjë kishin ndikim të madh në shoqëri dhe në strukturat shtetërore në Iran, mirëpo me fitoren e Revolucionit Islamik klerikët fetarë për herë të parë në historinë bashkëkohore morën në dorë pushtetin politik. Pikërisht për këtë arsye dhe për arsye të natyrës ideologjike të këtij revolucioni dhe pranimit të fesë islame dhe medh’hebit shiit si kornizë ideologjike dhe politike në sistemin shtetëror të ri, ekzistonte ky shqetësim pranë shumë analistëve se me ardhjen në pushtet të klerikëve në Iran, do të kërcënohen të drejtat e minoriteteve të tjera fetare. Imam Khomejni në përgjigje ndaj kësaj pyetje se në sistemin shtetëror të Republikës Islamike a kanë vend minoritetet e tjera fetare apo jo, përgjigjet: “Regjimi despotik mbretëror nuk ka sjellje më të mira se myslimanët ndaj minoriteteve fetare. Ne me padyshim se kemi respektin më të madh të mundshëm ndaj bindjeve të minoriteteve fetare. Pas rrëzimit të diktaturës dhe vendosjes së një regjimi të lirë, kushtet e jetës për shumicën myslimane dhe për minoritetet fetare, do të jenë shumë më të mira”.

Imam Khomejni në përgjigje ndaj atyre që pyesnin në lidhje me nivelin e lirisë së minoriteteve fetare në kryerjen e obligimeve dhe ritualeve të tyre fetare në periudhën e sundimit të Republikës Islamike, në mënyrë të qartë ka deklaruar se minoritetet fetare në lidhje me këto çështje jo vetëm që kanë liri të mjaftueshme, por Republika Islamike e konsideron detyrë të saj që të mbrojë në mënyrë të plotë të drejtat e këtyre minoriteteve. Ai ka theksuar: “Të gjitha minoritetet fetare dhe ndjekësit e shkollave të tjera islame në sistemin e Republikës Islamike në mënyrë plotësisht të lirë mund të kryejnë të gjitha obligimet dhe ritualet e tyre fetare dhe shteti islamik ka për të detyrë të mbrojë të drejtat e tyre në mënyrë më të mirë”.

Ai duke bërë ndarjen mes ideologjisë sioniste nga feje hebreje, ka thënë se hebrenjtë e Iranit si bashkatdhetarë kanë të drejta të plota dhe në qeverisjen e shtetit islam gëzojnë qetësi të plotë, ndërsa thotë: “Hebrenjtë që jetojnë në Iran, askush nuk ka të drejtë të ushtrojë dhunë ndaj tyre dhe të shkelë të drejtat e tyre, sepse ata janë nën sigurinë e Islamit dhe të myslimanëve. Kur të themelohet një qeveri e drejtë, do t’i ftojmë të kthehen dhe të jetojnë në Iran të gjithë ata hebrenj të cilët kanë jetuar në Iran dhe shteti islamik do të tregojë sjellje plotësisht të mira dhe të drejta ndaj tyre”. Imam Khomejni ka ndarë tërësisht gjendjen dhe llogarinë e regjimit sionist dhe të sionistëve nga hebrenjtë i Iranit dhe ka thënë: “Çfarëdo marrëdhënie me Izraelin, do të ndërpritet, mirëpo hebrenjtë do të jenë të lirë që të jetojnë në Iran dhe të jetojnë në një ambient edhe më të lirë se sa që ishin nën sundimin e regjimit despotik të mbretit, për arsye se feja Islame respekton të gjitha fetë”.

Një tjetër aspekt i lirisë së minoriteteve të Iranit, janë të drejtat e minoritetit të myslimanëve sunitë. Duke marrë parasysh faktin se Revolucioni Islamik ishte i bazuar në ideologjinë shiite dhe në atë kohë në diskursin e disa klerikëve të myslimanëve sunitë myslimanët shiitë konsideroheshin si jomyslimanë dhe nga disa edhe si jobesimtarë, qëndrimi i Imam Khomejnit si një autoritet i madh shiit dhe si udhëheqësi më i lartë i sistemit të Republikës Islamike i cili bazat dhe komponentët politike i kishte marrë nga medhëhebi shiit, ishte shumë i rëndësishëm dhe përcaktues në këtë drejtim. Shumë personalitete fetare në atë kohë prisnin që tani kur pushteti ka rënë në duar të shiizmit dhe klerikëve shiitë, tani duhet shfrytëzuar ky rast dhe të luftohet kundër myslimanëve sunitë dhe të përhapet shiizmi, mirëpo Imam Khomejni me një maturi të veçantë, myslimanët shiitë dhe sunitë i quajti ata vëllezër fetarë dhe mosmarrëveshjet mes tyre janë rezultat i armiqësisë së armiqve të Islamit. Ai në lidhje me këtë ka thënë: “Ne deklarojmë vëllazërinë tonë për vëllezërit myslimanë sunitë. Armiqtë e Islamit janë ata të cilët dëshirojnë vetëm mosmarrëveshje mes neve dhe vëllezërve tanë fetarë”. Imam Khomejni unitetin e fjalës së myslimanëve e ka quajtur faktor të fuqishëm për neutralizimin e komplotit të armiqve ndërsa unitetin mes shiizmit dhe sunizmit e ka shpallur çështje obligative duke thënë: “Nëse myslimanët do të kenë një fjalë të unifikuar, të huajt kurrë nuk do të mund të sundonin mbi ne. Kjo përçarja e myslimanëve është diçka që është realizuar nga njerëz injorantë dhe ne aktualisht po përballemi me këtë problem. Prandaj është obligim për të gjithë myslimanët që të bashkohen”.

Liria për të zgjedhur dhe liria për t’u zgjedhur, gjithashtu është një prej aspekteve të rëndësishme të pjesëmarrjes politike dhe një prej kritereve themelore të sistemeve demokratike. Shumë mendimtarë perëndimorë e kanë konsideruar të rëndësishme çështjen e lirisë së zgjedhjeve deri në atë masë sa që fatin e demokracisë e kanë lidhur me këtë faktorë. Me fjalë të tjera, sipas mendimit të këtyre mendimtarëve, kriter dhe standard për të dalluar një sistem demokratik nga një sistem jodemokratik, është vetëm liria e zgjedhjes. Thuajse vetëm fakti se nëse në një shoqëri elita sunduese të jetë zgjedhur me anë të zgjedhjeve të lira dhe të drejta nga qytetarët, ai sistem posedon cilësinë e sistemit demokratik. Imam Khomejni duke qenë i vetëdijshëm për rëndësinë e lirisë së zgjedhjes së qytetarëve në një sistem demokratik, menjëherë pas fitores së Revolucionit Islamik, sistemin shtetëror që zëvendësoi regjimin e mëparshëm e hodhi të vlerësohet dhe përcaktohet me votën e popullit dhe gjatë një referendumi me 98% të votave të qytetarëve, u vendos sistemi i Republikës Islamike. Imam Khomejni i ka dhënë një rëndësi të madhe të drejtës së zgjedhjes së qytetarëve, prandaj edhe në kushtet më të vështira gjatë luftës imponuese të Irakut kundër Iranit kur disa qytete iraniane bombardoheshin me avionë luftarakë, nuk ka lejuar të anuloheshin zgjedhjet. Imam Khomejni gjatë zhvillimeve në prag të fitores së Revolucionit Islamik ka deklaruar se organizimi i zgjedhjeve të lira është detyra më e rëndësishme e qeverisë së ardhshme dhe ka shtuar: “Ne në kohën më të shpejtë të duhur do të deklarojmë programin tonë, mirëpo detyre më e rëndësishme e strukturave që do të marrin përgjegjësinë për administrimin e vendit pas rrëzimit të mbretit, është krijimi i kushteve dhe rrethanave për organizimin e zgjedhjeve të lira”.

Krijimi i kushteve për lirinë politike të femrave dhe garantimi i të drejtave qytetare dhe i pjesëmarrjes së tyre në proceset e vendimmarrjes, është një tjetër element i mendimit të Imam Khomejnit në lidhje me lirinë. Imam Khomejni duke vë në dukje padrejtësinë që i ishte bërë femrave në përgjithësi nën sundimin e Muhamed Reza Shah, si dhe duke u mbështetur në bazat e fesë islame si kornizë për ngritjen e pozitës së femrës në shoqëri dhe politikë, ka hedhur poshtë pretendimet e disa individëve se qeveria fetare shiite do të bëhet shkak për izolimin politik dhe shoqëror të grave, ndërsa ka theksuar: “Shiizmi jo vetëm që nuk i dëbon femrat nga jeta shoqërore dhe politike, por u jep atyre një pozitë të lartë njerëzore në shoqëri”.

Tags