Rëndësia e Bab Al-Mandab dhe vështrimi i fuqive ndaj saj
Ngushtica Bab Al-Mandab së bashku me Ngushticën Malaga dhe Ngushticën Hormuz janë tre prej ngushticave më të rëndësishme të botës.
Emri "Bab al-Mandab" në gjuhën arabe do të thotë "porta e lotëve" ose "porta e pikëllimit", e cila rrjedh nga fjala "bab" me kuptimin "portë" dhe "mandab" që do të thotë lot. Emri i kësaj ngushtice duket se i referohet rreziqeve të lundrimit në rrugën e ngushtë ujore, e cila është plot me rryma të kryqëzuara të detit, erëra të paparashikueshme dhe shkëmbinj. Për mijëra vjet, Bab al-Mandab njihej si një kalim i rrezikshëm detar në drejtim të Detit Mesdhe. Shumë anije u fundosën në Bab al-Mandab në shekujt dhe mijëvjeçarët e kaluar, ndërsa edhe anijet moderne përballen gjithashtu me rreziqet e minave detare nga konfliktet e kaluara.
Tre vendet, Jemeni, Xhibuti dhe Eritrea ndodhen në fqinjësi të ngushticës strategjike Bab al-Mandab. Kjo ngushticë ndodhet midis Detit të Kuq dhe Oqeanit Indian. Gjerësia e kësaj ngushtice është 30 km dhe ndahet në dy kanale me anë të ishullit Perim. Kanali perëndimor është 26 kilometra i gjerë dhe 30 metra i thellë, dhe kanali lindor është tre kilometra i gjerë dhe 310 metra i thellë. Hapja e Kanalit të Suezit në Egjipt, që lidh Gjirin e Suezit në veriperëndim të Detit të Kuq me Detin Mesdhe, ka rritur rëndësinë e ngushticës Bab al-Mandab. Ky kanal çoi në një rritje të konsiderueshme të transportit në Detin e Kuq përmes ngushticës Bab al-Mandeb dhe u bë rruga e preferuar e transportit detar midis Evropës dhe Azisë. Kanali i Suezit ndodhet në pjesën veriore të Detit të Kuq dhe ngushtica e ngushtë e Bab al-Mandab ndodhet në jug të Detit të Kuq dhe të çon në Gjirin e Adenit. Kjo është një zonë shumë strategjike ku kalojnë shumë anije për të transportuar mallra midis Azisë dhe Evropës. Në këtë zonë thuhet se çdo vit kalojnë rreth 17 mijë anije tregtare. Anijet që vijnë nga Oqeani Indian mund të vazhdojnë rrugën e tyre përmes Kanalit të Suezit për në Mesdhe pasi të kalojnë nëpër ngushticën Bab al-Mandab dhe të kalojnë gjatësinë e Detit të Kuq.
Vendndodhja e ngushticës Bab al-Mandab në një nga rrugët më të rëndësishme të anijeve në botë e ka bërë atë një pikë referimi globale. Kjo zonë është çelësi për të kontrolluar pothuajse të gjithë transportin midis Oqeanit Indian dhe Detit Mesdhe përmes Kanalit të Suezit. Ngushtica Bab al-Mandab, Deti i Kuq dhe Kanali i Suezit janë të gjitha lidhje jetike përgjatë rrugës kryesore të transportit në botë midis Azisë dhe Evropës. Për sa i përket komunikimit, kjo ngushticë ka bërë të mundur komunikimin e shpejtë dhe me kosto të ulët midis kontinentit të Azisë dhe Evropës dhe nga Evropa në Amerikë, në atë mënyrë që Oqeani Indian të kalojë përmes Detit Arabik deri në ngushticën e Bab al-Mandab. dhe më pas në Detin e Kuq dhe nga Kanali i Suezit në Mesdhe dhe nga Deti Mesdhe arrin në Oqeanin Paqësor dhe lehtëson komunikimin ndërkombëtar dhe detar.
Në fushën ekonomike, kjo rrugë ujore konsiderohet damari kryesor tregtar midis Detit Mesdhe dhe Oqeanit Indian. Organizata Ndërkombëtare Detare vlerëson se më shumë se një e katërta e transportit botëror kalon përmes ngushticës Bab al-Mandab, e cila është e barabartë me disa miliardë tonë ngarkesë në vit. Nuk ka asnjë statistikë të vetme për sasinë e naftës së eksportuar nëpërmjet kësaj ngushtice. Ndërkohë që disa burime raportojnë eksportin ditor prej 4 milionë e 400 mijë fuçi nafte nga kjo rrugë, kompania e analizës së naftës "Vortexa" njoftoi rreth 7 milionë e 80 mijë fuçi në ditë dërgesa naftë bruto dhe karburant në muajin 11 të vitit 2023 janë transportuar nëpërmjet kësaj ngushtice. Në vitin 2023, kompania "Vertexa" gjurmoi mesatarisht 27 cisterna që transportonin naftë ose karburant në ditë, krahasuar me 20 cisterna që kishin lëvizur vitin e kaluar nëpër këtë ngushticë strategjike. Gjithashtu, sipas raportit të Drejtorisë së Informacionit të Energjisë, 12% e totalit të naftës së tregtuar në rrugë detare në gjysmën e parë të vitit 2023, si dhe 8% e tregtisë së LNG-së është kryer nëpërmjet ngushticës Bab al-Mandab, tubacionit SUMED dhe kanalit të Suezit.
Vështrimi i fuqive rajonale dhe ndërkombëtare ndaj Bab Al-Mandab
Sipas statistikave të përmendura për furnizimin me energji nëpërmjet ngushticës Bab al-Mandab, mund të thuhet se ngushtica Bab al-Mandab është vendkalimi më i rëndësishëm ujor në botë dhe ajo që e bën më të dalluar pozitën e saj në strategjinë e fuqive dhe faktorëve rajonalë dhe ndërkombëtarë, është faktori i konkurrencës gjeopolitike dhe gjeoekonomike midis shteteve që zotërojnë dhe dhe shteteve që konsumojnë burime energjetike të naftës dhe gazit për ta shtrirë dominimin e vet mbi kanalet tranzite të këtyre burimeve. Kryesisht për shkak të vendndodhjes specifike gjeografike dhe rëndësisë së veçantë të ngushticës Bab al-Mandab në ekuacionet gjeopolitike, Jemeni, Xhibuti dhe Eritrea kanë qenë gjithmonë objektiva të fuqive dhe faktorëve rajonalë dhe ndërkombëtarë.
Aktualisht, Amerika, Kina, Gjermania, Franca, Katari, EBA, Arabia Saudite, Japonia, Italia dhe Turqia kanë të gjithë një lloj pranie ushtarake pranë ngushticës Bab al-Mandab. Që nga viti 2010, Xhibuti ka pritur bazën e parë ushtarake të Japonisë jashtë kufijve të saj që nga humbja e këtij vendi në Luftën e Dytë Botërore (1939-1945). Turqia krijoi bazën e saj më të madhe ushtarake në botë në Somali dhe e hapi atë në vitin 2017. Franca gjithashtu ka një bazë ushtarake në Xhibuti. Emiratet e Bashkuara Arabe janë aktualisht një nga faktorët kryesorë në Detin e Kuq dhe ngushticën Bab al-Mandab, dhe përfaqësuesit e saj, duke përfshirë të ashtuquajturën Rezistencë Kombëtare, e udhëhequr nga Tarik Saleh, i cili përmendet si njeriu numër një i Emirateve të Bashkuara Arabe, janë të vendosur dhe të pranishëm në rripin bregdetar Al-Mukha pranë ngushticës Bab Al-Mandab. Izraeli, i cili e kuptoi rëndësinë e kontrollit të kësaj rruge ujore pas luftës së tetorit të vitit 1973, tashmë ka arritur të krijojë një bazë ushtarake në një numër ishujsh të Detit të Kuq.
Prania e Kinës në vitet e fundit ka qenë e dukshme në rajonin e ngushticës Bab al-Mandab përmes krijimit të bazës së parë detare të Kinës në Xhibuti. Ndërtesa e bazës së forcave detare të Kinës ndodhet vetëm disa kilometra larg bazës amerikane në Xhibuti. Kjo lëvizje është një largim domethënës nga politika e jashtme tradicionale e Kinës, e cila gjithmonë ka shmangur projeksionin e forcës ushtarake jashtë kufijve të saj dhe larg fokusit të saj tradicional në Azinë Lindore dhe rajonin e Oqeanit Paqësor. Vëzhguesit ia atribuojnë këtë ndryshim strategjik të Kinës interesave në rritje të Pekinit në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme. Ky zhvillim mund të shihet në kontekstin e projektit kinez, Iniciativa Brez dhe Rrugë (Një brez, një rrugë), e cila synon të krijojë rrugë tokësore dhe detare që lidhin rajonet e Azisë dhe Oqeanit Indian.
Fuqitë rajonale dhe ndërkombëtare kanë qëllime të hapura dhe të fshehura në ngushticën Bab al-Mandab dhe Detin e Kuq. Qëllimet e hapura dhe të deklaruara përfshijnë mbrojtjen e lirisë së lundrimit, shoqërimin e cisternave të naftës dhe anijeve tregtare, luftimin e terrorizmit dhe piraterisë, mbrojtjen e interesave të vendeve rivale dhe përdorimin e bazave ushtarake për të nisur operacionet dhe misionet ushtarake. Qëllimet e fshehura përfshijnë marrjen nën kontroll të burimeve të pasurisë dhe krijimin e kapaciteteve të ndryshme, kontrollin e rajonit dhe tregjeve strategjike, ndërhyrjen në punët e brendshme të vendeve të rajonit, imponimin e hegjemonisë ushtarake dhe të sigurisë, ushtrimin e presionit ndaj palëve të tjera në rajon ose monitorimin e lëvizjeve të tyre dhe kufizimin e ndikimit të tyre. Këto veprime kanë shkaktuar më së shumti militarizimin e këtij rajoni, pra Bab al-Mandab dhe vendeve fqinje.
Pasiguria në Bab Al-Mandab dhe zgjatja e rrugës së anijeve transportuese
Jemeni është një nga vendet që për shkak të vendndodhjes së tij të veçantë gjeografike, ka qenë në fokus të vendeve të fuqishme dhe koloniale gjatë historisë. Ky avantazh gjeografik i Jemenit është bërë shkak që Amerika të forcojë praninë e saj ushtarake dhe politike në Jemen dhe të ndjekë interesat e saj ekonomike dhe politike përmes pranisë së saj në këtë vend gjatë dekadave të fundit. Në përgjithësi, karakteristikat e mira dhe shumë të preferuara të Jemenit, duke përfshirë shtrirjen e kufijve të tij ujorë dhe aksesin në ujërat e hapura, zotërimin dhe kontrollin mbi ngushticën Bab al-Mandab dhe mbi rrugën ujore të Detit të Kuq, si një rrugë me qarkullim të lartë për transportin ujor, ndikimin mbi sigurinë e energjisë së vendeve të ndryshme shkëmbimet energjetike të të cilave kalojnë përmes ngushticës Baba l-Mandab, fqinjësia dhe potenciali kontrollues mbi vendet e Bririt të Afrikës dhe kontrolli i zhvillimeve të këtij rajoni, kanë shtuar edhe më shumë rëndësinë e pozitës së veçantë gjeografike të këtij vendi. Në fakt, rëndësia e pozitës së dalluar gjeopolitike dhe ndërhyrja e fuqive rajonale dhe jashtëraonale, konsiderohen ndër shkaktarët kryesorë të krizave në Jemen, si dhe të luftës së Arabisë Saudite kundër Jemenit.
Me vazhdimin e luftës gjithëpërfshirëse të regjimit sionist kundër Rripit të Gazës dhe me kryerjen e gjenocidit kundër popullit palestinez në këtë rajon, ushtria jemenase, me synimin për t'i dhënë fund sulmeve të regjimit sionist kundër Rripit të Gazës, konfiskon anijet që kalojnë Detin e Kuq dhe shkojnë drejt territoreve të pushtuara të Palestinës ose i shënjestron ato me raketa. Duke cituar të dhëna nga një kompani gjurmuese e anijeve, faqja informative "Bloomberg" raportoi në mes të dhjetorit se 46 anije në vend që të përdornin Detin e Kuq për të arritur destinacionin e tyre, kanë kaluar nëpër Kepin e Shpresës së Mirë në Afrikën jugore për të arritur në destinacionin e tyre. Ndërkohë, Osame Rabi, kreu i Autoritetit Administrativ të Kanalit të Suezit, bëri të ditur në një deklaratë se që nga 19 nëntori, 55 anije kanë ndryshuar rrugën e tyre duke shkuar drejt Kepit të Shpresës së Mirë.
Kjo nuk është hera e parë që kërcënohet kalimi i anijeve nëpër Bab al-Mandab. Gjatë luftës së vitit 1967, e cila u nis nga forcat izraelite kundër arabëve, regjimi sionist i kërkoi aleatit të tij, Britanisë, të mbante forcat e saj ushtarake në ishullin strategjik Perim në mënyrë që të ruante kontrollin mbi ngushticën Bab al-Mandab. Në luftën e tetorit të vitit 1973, pas koordinimit të Jemenit dhe Egjiptit, kjo ngushticë u mbyll për anijet izraelite. Kjo mbyllje e privoi regjimin sionist nga një burim i rëndësishëm strategjik, pra nafta e transportuar nga Irani në atë kohë dhe që shkonte drejt në portin Eilat. Ky veprim gjithashtu e privoi regjimin pushtues sionist nga komunikimi me Afrikën Lindore dhe Jugore dhe Azinë Juglindore dhe pësoi shumë dëme ekonomike. Edhe tani, veprimet e jemenasve kanë shkaktuar shumë pasoja ekonomike për sionistët dhe do të vazhdojnë. Duke qenë se tregtia detare e regjimit sionist është shumë e varur nga Deti i Kuq, sionistët janë shumë të shqetësuar për pasojat ekonomike të bllokadës detare që Jemeni ka vendosur kundër këtij regjimi.
Sipas Gideon Gulbar, drejtori ekzekutiv i portit Eilat, pas kërcënimeve të jemenasve dhe parandalimit të kalimit të anijeve të destinuara për në Izrael (Palestinën e pushtuar), porti i Eilat është paralizuar në nivelin tregtar dhe anijet nuk hyjnë më në këtë port. Në fakt, veprimi i jemenasve bëri që anijet të zgjidhnin një rrugë alternative për të mbërritur në tokat e pushtuara, gjë që rrit kohën që u duhet anijeve për të arritur në tokat e pushtuara nga 17 deri në 22 ditë. Rritja e distancës rrit kostot e transportit dhe karburantit dhe gjithashtu prish furnizimin.
Noam Raydan, një eksperte e lartë në Institutin e Uashingtonit në fushën e politikës së Lindjes së Afërt, një lidhje me ndikimin e sulmeve jemenase mbi lëvizjen e anijeve të territoreve të pushtuara, ka thënë: "Duket se disa anije të lidhura me Izraelin duhet të udhëtojnë një rrugë më të gjatë për të arritur në destinacionin e tyre duke marrë parasysh kushtet ekzistuese, janë të detyruara të zgjasin udhëtimin e tyre dhe në vend që të udhëtojnë 19 ditë, duhet të udhëtojnë 31 ditë".
Edhe David Osler, drejtor i kompanisë së sigurimeve "Lloyd's", lidhur me këtë, ka thënë: “Kostoja e sigurimit për anijet që kalojnë Detin e Kuq është dyfishuar. Kjo ka bërë që kostoja e udhëtimit të këtyre anijeve të rritet me qindra mijëra dollarë". Sipas tij, kjo kosto për pronarët e anijeve izraelite madje është rritur me 250%, dhe disa kompani sigurimesh nuk i mbulojnë fare anijet izraelite.
Formimi i koalicionit ndërkombëtar detar në Detin e Kuq nga ana e Amerikës
Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas dëmeve të shkaktuara ndaj regjimin sionist për shkak të sulmeve të Jemenit ndaj anijeve, njoftuan formimin e një koalicioni ndërkombëtar detar në Detin e Kuq. Pavarësisht nëse formimi i këtij koalicioni detar do të jetë i suksesshëm apo jo, duhet theksuar se kjo nuk është hera e parë që forcat detare ndërkombëtare përdoren në Detin e Kuq. Komuniteti Ndërkombëtar ka një histori të përdorimit të forcave detare për të mbrojtur anijet kundër piraterisë në Bririn e Afrikës, veçanërisht pasi pirateria somaleze u rrit në periudhën 2005-2011. Në dhjetor të vitit 2008, Bashkimi Evropian nisi "Operacionin Atalanta" për t'u përballur me sulmet e piratëve somalezë mbi anijet e mallrave. Operacioni i NATO-s "Ocean Shield", si dhe një forcë detare shumëkombëshe e njohur si "Task Force 151", janë përfshirë gjithashtu në mbrojtjen e anijeve përball sulmeve të piratëve. Në prill të vitit 2022, Marina e SHBA njoftoi formimin e "Task Forcës 153" për të patrulluar në Detin e Kuq dhe për të luftuar ato sulme që pretendonte se ishin "veprimtari terroriste dhe kontrabandë".
Si përfundim
Në fund, duhet thënë; në periudhën aktuale, ashtu si në shekujt e kaluar, ngushticat dhe rrugët ujore ndërkombëtare kanë një rëndësi të madhe, dhe ngushtica Bab al-Mandab është një prej tyre. Përdorimi ushtarak dhe politik i kësaj ngushtice nuk kufizohet vetëm në aksionin e fundit të jemenasve, por një incident i tillë ka ndodhur shumë herë në të kaluarën, por aksioni i jemenasve, i cili u krye në mbështetje të popullit të shtypur palestinezë të Rripit të Gazës, ka shkaktuar zemërimin e sionistëve dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.