Ftesë për muajin Ramazan (Reflektimi në Kur’an)
Ndodhemi në ditët më të mira të muajit të Zotit, një rast shumë i çmuar që me leximin e Kur’anit të shenjtë dhe duke reflektuar në detin e thellë të njohurive, mund ta pastrojmë shpirtin dhe zemrën tonë në burimin e pastër të Kur’anit të shenjtë.
Njëkohësisht me ardhjen e muajit të bekuar të Ramazanit, miq të nderuar jemi pranë jush me programin “Ftesë për muajin Ramazan”. Ndodhemi në ditët më të mira të muajit të Zotit, një rast shumë i çmuar që me leximin e Kur’anit të shenjtë dhe duke reflektuar në detin e thellë të njohurive, mund ta pastrojmë shpirtin dhe zemrën tonë në burimin e pastër të Kur’anit të shenjtë. Është një gjë shumë e bukur nëse leximin e këtij Libri Hyjnor do ta shoqërojmë me reflektim dhe mendim në domethënien e tij. Kur’ani i shenjtë është një libër i cili sa më shumë të lexohet dhe të diskutohet rreth tij, aq më tepër zbulohen sekretet e tij dhe fitohen të vërteta të reja nga ai.
Profeti i nderuar i Islamit s.a.v.s. ka thënë: “Kur’ani është një udhëzues drejt rrugës më të mirë. Ai është një libër në të cilin ndodhen udhëzime të shpjeguara në detaje dhe tregohet rruga për të arritur të vërtetën. Ky libër ka një kuptim sipërfaqësor dhe një kuptim të brendshëm. Kuptimi sipërfaqësor përbënë urdhëresat dhe dispozitat ndërsa kuptimi i brendshëm është dituri. Pamja e jashtme është e bukur ndërsa brendësia është e thellë... Kur’ani tregon të vërteta të thella hyjnore. Mrekullitë e tij janë të pambaruar dhe të vërtetat e tij janë gjithmonë të reja. Ajetet e tij janë dritë e udhëzimit dhe burim i urtësisë”.

Padyshim se një libër i tillë nuk është zbritur vetëm për ta lexuar. Kur’ani i shenjtë përmban njohurit më të larta hyjnore në fushën e njohjes së Zotit të madhëruar, përmban emrat dhe atributet e Zotit, përmban sekretet e Teohidit, përmban karakteristikat e profetëve të Zotit, përmban fshehtësitë e botës metafizike, përmban ligjet që sundojnë mbi shoqëritë njerëzore. Përmban njohjen e njeriut dhe përfundimin e fatit të tij. Përmban lajme dhe informacione të panjohura në lidhje me popujt e kaluar. Kur’ani i shenjtë gjithashtu përmban sisteme shoqërore, juridike, ekonomike dhe politike për të cilat njerëzimi ka nevojë për të arritur në lumturinë e përjetshme.
Ndjekja e Kur’anit të shenjtë e shpëton njeriun nga zgjedha e robërisë së tiranëve dhe e çliron atë nga robërimi në pranga të injorancës, besëtytnive dhe dëshirave djallëzore duke e udhëzuar atë në rrugën e shëndetit të zemrës, pastërtisë së jashtme dhe të brendshme dhe drejt progresit dhe zhvillimit të kërkuar njerëzor. Kur’ani i shenjtë është i mbushur me kritere për njohjen dhe përcaktimin e të vërtetës nga e pavërteta. Me njohjen e këtyre karakteristikave, bëhet e qartë madhëria e Kur’anit të shenjtë dhe superioriteti i tij në krahasim me dritat e tjera hyjnore.
E keni vërejtur se nëse një person vendoset në errësirën absolute, çdo gjë është e njëjtë për atë sepse në errësirë është e pamundur të bëhet dallimi i gjërave dhe zgjedhja e rrugës së drejtë. Por nëse një dritë e vogël do t’i shkojë në ndihmë njeriut, atëherë bëhen të qarta dallimet dhe rruga e drejtë dallohet nga rruga e humbur. Kur’ani i shenjtë e quan vetën dritë. Dritë udhëzuese dhe ndriçuese. Në ajetin 174 të sures Nisa’e thuhet:
یا أَیُّهَا النّاسُ قَدْ جاءَکُمْ بُرْهانٌ مِنْ رَبِّکُمْ وَ أَنْزَلْنا إِلَیْکُمْ نُوراً مُبیناً
“O njerëz! Për ju është ardhur një argument i qartë nga ana e Zotit. Dhe është zbritur një dritë e qartë për ju”.
Në vizionin e Kur’anit të shenjtë, çdo gjë e cila e udhëzon njeriun drejtë rrugës së zhvillimit dhe ngritjes shpirtërore, quhet dritë. Për shembull, arsyeja është forca më e rëndësishme udhëzuese e njeriut dhe Kur’ani i shenjtë gjithnjë ka theksuar në forcën e arsyes së njeriut dhe ka vlerësuar dhe lavdëruar të mençurit dhe ata që ndjekin e arsyen. Për t’u vendosur në fushën magnetike të dritës së Kur’anit të shenjtë, ky libër qiellor të gjithë njerëzit i ka ftuar për të reflektuar dhe për të menduar thellë në domethënien e ajeteve të Kur’anit. Përdorimi i fjalëve mendim, reflektim, urtësi dhe dituri, në realitet tregojnë këtë të vërtetë se duke menduar dhe reflektuar në ajetet e Kur’anit të shenjtë dhe duke u larguar nga vështrimi sipërfaqësor, njeriu mund të arrijë t’i kuptojë të vërtetat e thella dhe njohuritë hyjnore të këtij libri. Sot shkencëtarët kanë arritur në këtë të vërtetë se në disa vende të këtij Libri Qiellor, janë fshehur shumë sekrete të cilat mund të kuptohen vetëm duke menduar dhe reflektuar përkrah pastërtisë së brendshme. Zoti i madhëruar në ajetin 29 të sures Sad thotë:
کِتَابٌ اَنزَلْنَاهُ اِلَیْکَ مُبَارَکٌ لِیَدَّبَّرُوا آیَاتِهِ وَلِیَتَذَکَّرَ اُوْلُوا الاْلْبَابِ»
“Ky është një libër me plotë begati të cilin e kemi zbritur për ty që të mendosh dhe reflektosh në domethënien e ajeteve të tij dhe të kujtohen të zotët e mendjes”.
Zoti i madhëruar në këtë ajet kur’anor ka shpjeguar qëllimin e reflektimit në ajetet kur’anore në mënyrë që njerëzit të mos mjaftohen vetëm me leximin e ajeteve si një varg i fjalëve dhe të mos harrojnë kurrë qëllimin final. Reflektimi do të thotë të përqendrohet vëmendja në pasojat dhe rezultatet e çështjeve dhe të mendohet më thellë rreth fenomeneve të ndryshme. Prandaj, reflektimi në ajetet hyjnore, do të thotë që njeriu të mendojë dhe të marrë këshilla nga Kur’ani i shenjtë dhe kjo do të rezultojë me njohjen e të vërtetave. Reflektimi në fjalën e Zotit të madhëruar dhe përpjekja për të zbuluar të vërtetat e bukura të Kur’anit të shenjtë, është mënyra më e rëndësishme që krijon rrethanat për të përfituar sa më shumë nga begatitë hyjnore. Kur’ani i shenjtë përveçse qorton njerëzit të cilët pa mendim dhe pa reflektim në ajetet hyjnore, presin që zemrat e tyre të gjallërohen, thekson duke i ftuar ata që të mendojnë dhe reflektojnë në ajetet kur’anore. Imam Aliu (a.s.) në lidhje me këtë ka thënë: “Mendoni thellë dhe reflektoni në ajetet e Kur’anit të shenjtë, sepse reflektimi në Kur’an është pranvera e zemrave”.
Me padyshim se faza më e rëndësishme dhe më e lartë e mishërimit me Kur’anin e shenjtë, është zbatimi i mësimeve të tij në jetën e përditshme. Ky libër qiellor përmban mësime dhe udhëzime shumë të çmuara për udhëzimin e individit dhe shoqërisë. Në rast se këto udhëzime do të njihen dhe zbatohen në mënyrë të drejtë, atëherë bota do të marrë një ngjyrë tjetër dhe do të lirohet nga prangat e së keqes. Ajetullah Khamenei, lideri suprem i Revolucionit Islamik të Iranit, i fton të gjithë që të zbatojnë mësimet dhe udhëzimet e Kur’anit të shenjtë. Ai thekson: “Nëse besojmë se zbatimi i mësimeve dhe udhëzimeve të Kur’anit të shenjtë, është themel dhe bosht kryesor për Kur’anin dhe detyra jonë nuk përfundon vetëm me leximin e tij, atëherë shoqërinë tonë duhet ta bëjmë kur’anore, veprat tona duhet t’i bëjmë kur’anore. Duhet ta besojmë Kur’anin dhe premtimet e Kur’anit duhet t’i pranojmë me vërtetësi dhe sinqeritet”.
Reflektimi në Kur’anin e shenjtë ka disa faza. Njohja e pozitës dhe rolit të Kur’anit të shenjtë është një prej fazave të mendimit dhe reflektimit në Kur’anin e shenjtë. Kur’ani nuk është një fjalë e thjeshtë. Kur’ani është fjalë e Zotit e cila i është zbritur Profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s. me një gjuhë të qartë dhe pa asnjë devijim që të jetë lajmërues dhe paralajmërues për të gjithë njerëzit e botës. Kur’ani i shenjtë është e vërteta dhe me të vërtetë është i shpallur dhe ai që e ka shpallur Kur’anin e shenjtë është Zoti i madhëruar dhe bartësi i tij ka qenë Xhibrili besnikë dhe vendi në të cilin ka zbritur, është zemra e Hazretit Muhamed, profetit të nderuar të Islamit s.a.v.s.. Të dy këto çështje kanë pozitë të lartë dhe perceptimi i këtyre çështjeve dhe pranimi i tyre me zemër, bëhet shkak që ai të ketë një rëndësi më të madhe dhe njerëzit të mendojnë më thellë në fjalën e Zotit. Nga ana tjetër, posedimi i mendjes dhe arsyes dhe shfrytëzimi i saj në rrugën e udhëzimit, është prej kushteve të reflektimit në Kur’anin e shenjtë. Zoti i madhëruar thotë: “(Ky është) një libër i shenjtë të cilin e kemi zbritur për ty në mënyrë që (njerëzit) të mendojnë rreth ajeteve të tij dhe të zotët e mendjes të marrin mësim”.
Gjithashtu, mënjanimi i ndryshkut të zemrave për të reflektuar në mënyrë të drejtë dhe për të zbatuar Kur’anin e shenjtë, është prej kushteve të reflektimit në Kur’an. Në një vend në Kur’an thuhet: “Ai është i cili ka dërguar këtë Libër për ty. Një pjesë e tij janë ajete të qarta dhe të kuptueshme. Ato përbëjnë bazën e Librit, ndërsa një pjesë e tyre janë ajete që pranojnë të interpretohen. Mirëpo ata që në zemrat e tyre ekziston devijim, për të për të bërë intriga, kërkojnë interpretimin (sipas dëshirës së tyre) dhe ndjekin këto ajete, ndërkohë që interpretimin e tyre nuk e di askush përveç Zotit dhe ata që posedojnë diturinë. (Ata të cilët) Thonë ne kemi besuar, të gjitha ajetet e qarta dhe ata që pranojnë interpretim janë zbritur nga ana e Zotit tonë. Dhe përveç të zotëve të mendjes, askush nuk merr mësim” Në këtë mënyrë, njeriu duke reflektuar në Kur’an dhe duke e zbatuar atë, mund të arrijë në lumturinë e vërtetë. Ashtu sikur që Zoti i madhëruar në ajetin 29 të sures Fatir thotë: “Në të vërtetë, ata të cilët lexojnë librin e Zotit dhe falin namazin dhe nga ajo që u kemi furnizuar ne, japin lëmoshë në mënyrë të hapur dhe fshehurazi, shpresën e vet e kanë lidhur të një tregti që kurrë nuk humbet dhe nuk shkatërrohet”.
Filozofi iranian Mola Sadra në parathënien e komentimit të sures Vakia thotë: “Kam lexuar shumë libra të filozofisë e urtësisë derisa mendoja se isha bërë dikush, mirëpo pasi më është hapur horizonti i shikimit, e kuptova sa jam i zbrazur nga shkencat e vërteta. Në fund të jetës mendova që të mendojë dhe të reflektojë më shumë në ajetet e Kur’anit të shenjtë dhe në hadithet e Hazretit Muhamed s.a.v.s.. Atëherë u binda se deri më tani kamë bërë një punë të kotë, sepse përgjatë gjitha jetës në vend të dritës, isha ndalur nën hije. Nga pikëllimi, mu dogj zemra e shpirti deri më erdhi mëshira hyjnore dhe mua më njohur me sekretet dhe fshehtësirat e Kur’anit dhe atëherë fillova të reflektojë dhe komentojë Kur’anin e shenjtë. Trokita në derën e shtëpisë së shpalljes, u hapen dyert dhe u larguan perdet dhe e pash që engjëjt po më thonë mua: paqja qoftë mbi ju! E gëzofshi parajsën, hyjni në atë”.
E lusim Zotin e madhëruar që në këto ditë të pashembullta që ndodhemi në gostinë hyjnore, të na mundësojë neve që duke menduar dhe reflektuar në ajetet hyjnore, të bëjmë sa më shumë hapa drejt përkryerjes dhe parajsës së amshueshme!