Pasqyra e dashurisë, paqes dhe miqësisë
Data 1 Ordibehesht e kalendarit iranian është dita e përkujtimit të Sa’adi Shirazi, poetit të madh iranian. Me këtë rast kemi përgatitur një program special të cilën po e prezantojmë për ju.
Me rastin e Ditës së Sa’adi Shirazi
Si është e mundur që në disa rreshta të vegjël dhe në një kohë të shkurt, të flitet për një person i cili e ka bërë një botë të tërë mysafirë të ideve të tij të çmuara dhe fjalët e të cilit kanë pushtuar të gjithë botën anë e mbanë, edhe atë jo në epokën bashkëkohore e cila është epokë e mediave, por disa shekuj më parë, në një kohë kur lidhjet mes popujve dhe udhëtimi ka qenë shumë i vështirë dhe veprat e autorëve mund të publikoheshin vetëm me disa ekzemplarë.
Shejkh Muslihudin Sa’adi Shirazi është një prej mendimtarëve dhe oratorëve të njohur iranianë i cili në kohën e jetës së tij, ka qenë shumë i njohur dhe i famshëm dhe mendimet e thëniet e tij kanë gëzuar një pozitë të veçantë në mesin e njerëzve të shtresave të ndryshme, mbretërve të kohës, mendimtarëve dhe qarqeve shkencore dhe letrare. Veprat e tij endeshin nga një dorë në tjetrën dhe vepra e tij “Golestan” ka qenë libër mësimi për mbretërit e Indisë e të perandorisë Osmane.
Që nga koha kur Ibn Batuta, udhëpërshkruesi i njohur marokean, ka kujtuar drejtuesit e varkave të cilët edhe në rajonin më perëndimor të Kinës në qytetin Gingse, gjatë lundrimit këndonin poezitë e Sa’adiut në gjuhën persiane e deri më tani, kanë kaluar shumë shekuj, mirëpo akoma fama e këtij mendimtari iranian pushtojnë edhe vendet më të largëta të botës dhe mendimet e tij si një letër floriri bredhin nga një dorë në tjetrën dhe shkruhen mbi muret e selisë së OKB në mënyrë që të kujtojnë qëllimet themelore të kësaj organizate.
Bijtë e Ademit janë pjesë të një trupi
Të cilët në krijim janë prej një substance.
Kur koha shkakton dhimbje për një pjesë
Pjesët e tjera nuk kanë qetësi.
Ti që nuk ke pikëllim për vuajtjen e të tjerëve
Ti nuk e meriton që të quhesh njeri.
Kjo poezi e Sa’adiut është shkruar e punuar me flori origjinal në mes të një tapeti shumë të çmuar iranian, vepër e mjeshtrit Muhamed Sirfian, artistit të njohur esfahanas dhe mjeshtër i njohur i punimit të tapetit iranian. Ky tapet është punuar në dimensionet 5 me 5 metër dhe është vendosur në një prej salloneve të selisë së OKB në të cilin të gjithë diplomatët zhvillojnë takimet dhe bisedimet e tyre në atë sallon. Skaj këtij tapeti është vendosur përkthimi i kësaj poezie në gjuhën angleze nga ana e përfaqësisë së Republikës Islamike të Iranit në mënyrë që çdo njeri që e shikon dhe e lexon atë, të mahnitët nga madhëria e kulturës dhe civilizimit të Iranit dhe nga urtësia dhe racionalizmi i iranianëve.

Poezia e Sa’adi Shirazi mbi tapetin shumë të çmuar iranian në selinë e OKB
Të gjitha veprat e mbetura nga Sa’adi Shirazi janë mirëpritur në nivel shumë të gjerë në të gjithë botën dhe shqyrtimi i shkaqeve dhe faktorëve të këtij reputacioni të veprave të Sa’adi Shirazi, ka qenë dhe është temë studimi e shumë studiuesve dhe hulumtuesve. Çfarë mund të jetë shkaku i këtij reputacioni dhe mirëpritje universale, përveçse perceptimit të thellë që kishte ky mendimtar i mençur për njeriun dhe virtytet e larta njerëzore. Ai është një mendimtar me eksperiencë të madhe në këtë botë dhe ka udhëtuar gati nga perëndimi e deri në lindje të botës islame dhe është takuar dhe është njohur me njerëz dhe kultura të ndryshme. Sa’adi Shirazi është mësues i urtësisë, i një urtësie e cila është themeluar mbi bazën e dashurisë ndaj njeriut. Në realitet ajo që më së shumti ka pushtuar zemrat e njerëzve dhe ka magjepsur të gjithë botën, janë mësimet etike të Sa’adi Shirazi të cilat nuk kanë motiv tjetër përveçse dashurisë ndaj njeriut dhe respektimit të virtyteve të larta njerëzore. Njeriu është boshti kryesor i mendimeve universale të Sa’adi Shirazi. Golestani dhe Bustani por edhe Divani i poezive të tij i cili përfshinë lirikat, odat dhe ligjëratat, të gjitha janë në lidhje me njeriun. Pikërisht për këtë arsye fjala e Sa’adi Shirazi janë në harmoni me natyrën e njeriut të çdo epoke dhe të çdo vendi e kulture. Këto mendime mund të nxirren nga të gjitha veprat e Sa’adi Shirazi.
Sa’adi Shirazi duhet kërkuar nga mesi i çdo flete të veprave të tij në mënyrë njeriu të futet në botën e tij, të shikojë baticat dhe zbaticat e jetës dhe ta bëjë prioritet dashurinë, sinqeritetin, mbështetjen te Zoti dhe kënaqësinë. Ai në lirikat e tij është mësues i dashurisë, i dashurisë burimore me një gjuhë të thjeshtë e të pazbukuruar, aq të thjeshtë sa që nganjëherë ajo gjuhë i ngjanë prozës dhe njëkohësisht është e bukur dhe magjepse. Lirikat e Sa’adiut janë lirika të dashurisë me përmbajtje dhe natyrë të gnosticizmit duke i respektuar parimet etike. Çfarëdo që largon njeriun nga virtytet njerëzore dhe e afron atë më afër virtyteve të këqija dhe të ulëta, ngjallë urrejtjen dhe distancimin e Sa’adi Shirazi. Lirika e Sa’adiut do të thotë dashuri. Dashuri me të gjitha baticat dhe zbaticat. Kjo dashuri është e mbushur me dhimbje, nevojë, dorëzim dhe tolerancë. Nuk është epsh, por është kënaqësi dhe gjallëri. Është një nevojë shpirtërore e cila gjithmonë e bënë të gatshme zemrën dhe shpirtin e poetit për t’u dorëzuar dhe flijim.
Të gjithë jetën nuk heqim kokën nga kjo ëndje e dehjes
Që kur akoma nuk ekzistoja, ti u vendose në zemrën time
Ti nuk je sikur një diell i cili është i pranishëm dhe zhduket
Të tjerët vijnë dhe shkojnë kurse ti vazhdon të ekziston
Është zemra jonë me dhimbje e cila është bërë rob e jote o i dashur!
Na jep kurimin me bashkimin, pasi që jemi lodhur e sëmur nga pritja
Sa’adi Shirazi ishte një burrë që kishte parë botën. Ai pas shumë viteve që ka shëtitur shumë vende në rajone të ndryshme të botës dhe shumë takimeve dhe bisedimeve me personalitete të ndryshme dhe me njerëz të thjeshtë që i përkisnin feve dhe kulturave të ndryshme dhe pas mbledhjes së shumë eksperiencave, në moshë të moshuar u kthye në vendlindjen e tij në Shiraz. Pranvera e Shirazit dhe aroma e luleve dhe e kopshteve e kishin dehur aq shumë Sa’adiun sa që vendosi që të krijojë një kopsht (veprën Bustan) me plotë lule dhe një lulishte (veprën Golestan) i cili do të ketë një bukuri të përhershme. Një “Kopsht” dhe një “Lulishte” që deri më sot nuk ka dëmtuar as era e vjeshtës lulet dhe gjethet e freskëta dhe me plotë gjallëri të tij dhe as kalimi i kohës nuk ka hedhur pluhur mbi fjalët e qarta dhe kuptimet e bukura. Sa’adi nga vështrimi i të gjithë kritikëve, është një reformatorë shoqëror. Ai është një reformator i vetëdijshëm dhe progresist i cili gjithnjë është i shqetësuar për zgjerimin e veprimeve të pamoralshme dhe padrejtësisë në shoqëri. Veprat Bustan dhe Golestan të Sa’adiut mund të konsiderohen një cikël i plotë për mësimin e urtësisë pragmatike dhe teorike. Sa’adi Shirazi në Golestan flet në lidhje me njeriun ashtu siç është ai ndërsa në veprën Bustan ai flet për njeriun dhe shoqërinë ashtu siç duhet të jetë. Sa’adi beson se njeriu nëse nuk e njeh vetën ashtu siç është, nuk mund të ketë sukses në atë se si duhet të jetë.
Vepra Golestan e tij është me plotë tregime të ndryshme në lidhje me njerëzit e asaj kohe dhe me udhëtimet e tij. “Golestan” është një vepër që sipas mendimit të tij, era e vjeshtës nuk do t’i dëmtojë gjethet e tij dhe kalimi i kohës nuk do ta shndërrojë bukurinë e tij të pranverës në vrazhdësi të vjeshtës. Golestani i Sa’adi Shirazi është një pasqyrim i gjallë i botës në çdo epokë. Për arsye se ai në këtë vepër e ka përshkruar njeriun dhe botën e tij me të gjitha të metat e të mirat dhe me të gjitha kontradiktat dhe kundërthëniet të cilat ekzistojnë në qenien e tij. Sa’adi ka pasqyruar njeriun dhe botën e tij ashtu siç është.

Sa’adi Shirazi nuk është mjaftuar vetëm me pasqyrimin e kohës dhe paraqitjes së të metave dhe dobësive, por ai si një reformator shoqëror dhe një filozof me eksperiencë të madhe të botës, përkrah shprehjes së dhimbjeve dhe pasqyrimit të të këqijave, është munduar edhe të ofrojë kurimin e dhimbjeve dhe u ka mësuar njerëzve metodën e jetës së drejtë. Gjithashtu vepra Golestan edhe sot pasqyron gjendjen e njeriut dhe paraqet imazhin e jetës zhvillimore të tij. Vepra Bustan e tëra është një qytet ideal dhe etikë. Një etikë që Sa’adiu i çon rrënjët e saj deri në dashuri. Në Bostan, bota është pasqyruar ashtu siç duhet të jetë dhe njeriu është pasqyruar ashtu siç duhet të jetojë. Bustani është bota e vërtetë e Sa’adiut dhe aty nuk ka asgjë tjetër përveç të vërtetës.
Bustani i Sa’adiut është bota ideale e tij, një botë e mbushur me mirësi, pastërti, drejtësi dhe virtyte njerëzore. Sa’adi në Bustan ka kujtuar pozitën e lartë të njeriut dhe mëson modestinë, kënaqësinë, mjaftueshmërinë, bamirësinë dhe edukimin, ndërsa ka sugjeruar zbatimin e drejtësisë dhe përhapjen e drejtësisë. Bota ideale e Sa’adi është një mësues i besimit në Zotin dhe i bamirësisë dhe lumturisë. Kjo botë për njeriun e sotshëm e krijon një dëshirë dhe një imazh të një bote e cila duhet të ekzistojë dhe në zemrat e njerëzve ngjallë një pasion me të cilin ata duhet të bëjnë përpjekje për të ndërtuar një botë më të mirë dhe më njerëzore.
Ajo çfarë e ka bërë fjalën e Sa’adiut universale, janë detajet dhe sekretet e jetës individuale dhe shoqërore që mund të kërkohet në çdo faqe të veprave. Çdo fjalë e Sa’diut është një urdhëresë morale dhe shoqërore e cila kurrë nuk vjetrohet dhe gjithnjë e meriton të ndiqet. Sipas Edvin Arnold (1832-1904), poet anglez, Sa’di Shirazi i përket botës së vjetër dhe të re. Ai në parathënien përkthimit të përzgjedhur të Golestanit, e ka vlerësuar Sa’adiun mik dhe këshilltar i të gjithëve në kohën tonë dhe ka deklaruar se askush në ndjekjen e Sa’adiut nuk do të turpërohet ose nuk do të frikësohet.
Ajo çfarë e ka bërë botën të mahnitet me Sa’adiun, është lirimi i të menduarit të Sa’diut nga prangat dhe kufizimet e vendit dhe të kohës. Një lloj i veçantë i të menduarit i cili shpreh idealin universal të tij, është solidariteti i njeriut në të gjithë njerëzimin dhe rrugën për të arritur në atë qëllim është reformimi individual. Pasqyrimi i ideve humaniste të Sa’adiut mund të vërehet në shumë vepra të autorëve të mëdhenj të botës. Rrënjët e disa prej tregimeve didaktike dhe filozofike si dhe mendimet e shkrimtarëve, poetëve dhe filozofëve evropianë, duhet kërkuar në veprat e Sa’adi Shirazi. Shumë prej mendimtarëve të botës kanë huazuar tematika nga mendimet e Sa’adiut dhe i kanë përhapur ato në letërsinë perëndimore. Le Fonten, Gote, Emerson, Viktor Hugo, Moris Baris, Andre Zhid, Fredrish Ruzan dhe shumë mendimtarë të tjerë evropianë kanë huazuar mendime të Sa’adi Shirazi.
Filozofët e shekullit 18 shumë prej mësimeve morale si mësimet përkatëse me vëllazërinë, humanizmin e vërtetë dhe shmangien e paragjykimeve për të fituar njohjen e vërtetë i kërkonin te Sa’adi Shirazi. Ata të cilët ngreheshin për të luftuar me hipokrizinë dhe paraqitjen fals të klerikëve të kohës, gjenin solidaritet të Sa’adiu i cili kritikonte gjithashtu ashpër hipokritët dhe mashtruesit e kohës së tij. Vezirin e mençur të cilin e ka përshkruar Sa’adiu në veprat e tij ka ngjashmëri shumë të madhe me këshilltarin dashamirës dhe të zgjuar të cilin Volteri e dëshironte të jetë i pranishëm në shërbim të mbretërve.

Forte i cili jetonte në shekullin 18, konsiderohet themeluesi i tregimeve filozofike, për arsye se deri para tij në Evropë asnjë letrar dhe filozof nuk ka shkruar tregime filozofike. Tregimet e Forte janë inspiruar nga tregimet e Sa’adi Shirazi. Në të vërtetë Sa’adi është i cili bëhet shkak që në Evropë të krijohet një zhanër tjetër i letërsisë. Ashtu sikur që nën ndikimin e Mevlanas krijoi zhanrin e lirikës në letërsinë e Evropës dhe të Gjermanisë. Gjithashtu dy poet dhe shkrimtar të mëdhenj të Evropës të cilët kanë themeluar zhanrin e romanit në vendet e tyre, do të thotë Viktor Hugo nga Franca dhe Gote nga Gjermania, që të dy janë inspiruar nga Sa’adi Shirazi.
Barbia De Menar thotë: “Shkaku i kredibilitetit të Sa’adi Shirazi në perëndim është ky që Sa’adi Golestan përmbledh të gjithë atributet dhe cilësitë e mirësisë të cilat i kërkon estetika moderne. Shija e shëndoshë dhe e patundur e tij, butësia dhe tërheqja i cila i jep shpirt dhe gjallëri tregimeve të Shejkh Sa’adi Shirazi, toni satirik dhe me plotë emocione me të cilin ai kritikon të metat dhe korrupsionin e shoqërisë njerëzore; të gjitha këto virtyte të cilat shumë rrallë vërehen në poetët dhe oratorët bashkëkohanik të tij, e bëjnë Sa’adi Shiraziun një personalitet me të gjithë përkryerjen dhe meritat e duhura për t’u admiruar”.
Sipas kalendarit iranian, sot është dita e parë e muajit ordibehesht e cila është emëruar me emrin e poetit dhe mendimtarit të madh e të njohur të shekullit 7 hixhri kameri (shek. 13) Shejkh Muslihudin Sa’adi Shirazi. Qoftë i përhershëm kujtimi për atë!