Rënia e Amerikës dhe dimensionet e ndryshme të saj (2)
(last modified Sat, 14 Dec 2019 16:09:30 GMT )
Dhjetor 14, 2019 17:09 Europe/Tirane
  • Rënia e Amerikës dhe dimensionet e ndryshme të saj (2)

Një nga parametrat e rënies së Amerikës është masa e madhe e rënies së shoqërisë dhe shtimi i disnivelit social në këtë vend.

Aktualisht shoqëria amerikane përballet me probleme dhe sfida të ndryshme si shtimi i diskriminimit, shtimi i presioneve ndaj zezakëve, kriza e emigracionit, shtimi i dhunës ndaj amerikano-latinëve, problemi i lirisë së armëmbajtjes, shtimi i përditshëm i dhunës me armë, shtimi i konflikteve sociale, shtimi i disnivelit social ku shembull i qartë ishte nisja e lëvizjes Pushtoni Wall Streetin, kriza e burgjeve, kriza e numrit më të madh të të burgosurve në botë, etj. Vitet e fundit me qartësimin e problemeve shoqërore, është ulur dukshëm niveli i besimit të popullit tek fuqia e qeverisë për administrimin dhe uljen e këtyre problemeve. Sot Amerika nuk njihet më si një vend i lirisë, mirëqenies, zhvillimit ekonomik, dinjitetit njerëzor dhe i respektimit të të drejtave të njeriut. Ajo më shumë po njihet si një vend i varfërisë, pabarazisë, diskriminimit, shtypjes, vend i krimit dhe dhunës.

Aktualisht Amerika vuan nga një disnivel i madh social i shoqëruar me problematika si pasuria, raca dhe gjinia. Ky disnivel shoqëror është shtuar edhe më shumë me ardhjen në pushtet të Donald Trump. Zhvillimet e kohëve të fundit dëshmojnë se shoqëria amerikane vazhdon të vuajë nga niveli i madhi racizmit dhe rritja e rrjedhave raciste në vend. Përveç kësaj ajo përballet me probleme si sistemi i emigracionit, programi kurativ dhe mjekësor dhe planifikimet e taksave që secila prej tyre ka krijuar polemika të gjera brenda vendit. Me ardhjen në pushtet të Donald Trump ka nisur një valë e re e racizmit. Trump si në kohën e fushatës elektorale ashtu edhe gjatë presidencës së tij ka bërë deklarata të shumta raciste, që ka ngjallur irritimin e shoqërisë amerikane sidomos ata me ngjyrë. Shumica e popullit amerikan beson se Trump inkurajon racizmin. Wilmer Leon, ekspert i çështjeve politike në Uashington thotë: Me zgjedhjen e Trump si president, është ngritur edhe një herë çështja e supremacisë së të bardhëve në këtë Amerikë. Trump për shkak të veprimeve të tij, akuzohet se inkurajon dhe nxit grupet ekstremiste të djathta dhe raciste, pasi ai eviton dhe u shmanget deklaratave ku kritikohen ashpër dhe qartë veprimet raciste dhe ksenofobe në Amerikë. Në vitin 2017 Trump nuk është shprehur hapur kundër dhe nuk ka dënuar veprimin racist të të bardhëve në qytetin Charlesville të shtetit Virxhinia dhe ai nuk ka dënuar vrasjen e një femre e cila ishte kundër racizmit. Pikërisht kjo ngjalli kritika të shumta kundër presidentit amerikan. Raste si kjo dhe shumë raste të tjera të dhunës kundër pakicave fetare dhe etnike në Amerikë, janë bërë shkak që të jepen paralajmërime mbi rrezikun e veprimeve raciste në shoqërinë amerikane. Kevin Mc Aleena përgjegjës i departamentit për sigurinë e brendshme në Amerikë thotë se pikëpamja e supremacisë së të bardhëve në vend është një faktor i rëndësishëm që nxit terrorizmin e brendshëm në Amerikë.

Edhe pse kanë kaluar pothuajse 3 shekuj nga krijimi i Amerikës, në këtë vend akoma vihen re shenja të racizmit dhe përballjes së dhunshme ndaj zezakëve që në shoqërinë amerikane vazhdon të përmendet si një prej çështjeve shumë të rëndësishme. Edhe pse me ardhjen në pushtet të një presidenti me ngjyrë d.m.th. të Barack Obamës, pritej përmirësimi i kësaj gjendjeje, mirëpo faktet tregojnë se gjendja e racizmit dhe e dhunës ndaj zezakëve për nga aspekti social dhe ekonomike përkeqësohet nga dita në ditë. Një nga çështjet më të debatuara kohët ef undit në Amerikë është duna që policia amerikane ushtron ndaj zezakëve. 70% e zezakëve në Amerikë janë të mendimit se ligji ndaj policëve që shkelin ligjin dhe kryejnë kundërvajtje, zbatohet shumë dobët. Në Amerikë, viktimat kryesore të dhunës policore janë zezakët dhe hispanikët dhe pikërisht kjo ka çuar në organizimin e protestave masive që në disa raste kanë rezultuar edhe me kryengritje. Edhe pse 12% e shoqërisë amerikane përbëhet nga zezakët, ata nuk përfitojnë siç duhet nga mundësi të tilla si pasuria, arsimi dhe mirëqenia në shoqërinë amerikane dhe për këtë arsye problemet më të mëdha në Amerikë, hasen tek zezakët. Një pjesë e madhe e të burgosurve në Amerikë përbëhet nga zezakët. Në fakt racizmi, arsimi, punësimi, shërbimet sociale, dhuna që ushtrohet ndaj zezakëve, në një vend që pretendon për mbrojtjen e demokracisë dhe të drejtat e njeriut në botë, janë kthyer në diçka normale. Me ardhjen në pushtet të Donald Trump, presionet ndaj zezakëve janë shtuar edhe më shumë. Kritikat e Trump, janë të mendimit se ai është një faktor i rëndësishëm që inkurajon divergjencat racore dhe etnike në Amerikë dhe inkurajon racizmin e të bardhëve dhe veprimet e tyre të dhunshme kundër pakicave etnike dhe fetare. Trump shumë herë është shprehur me deklaratat e tij kundër njerëzve me ngjyrë dhe emigrantëve dhe ai ka shkuar edhe më tej duke sulmuar kongresmenët me ngjyrë apo amerikano-latinë duke u kërkuar atyre të kthehen në vendet nga ku kanë ardhur. Sheila Jackson kongresmene demokrate e Teksasist dhe anëtare e komitetit të sigurisë së brendshme në Dhomën e Përfaqësuesve në Amerikë thotë; Racizmi është kërcënim serioz për sigurinë kombëtare të Amerikës.

Shumica e votuesve zezakë dhe hispanikë në Amerikë janë të mendimit se presidenca e Donald Trump e ka vështirësuar edhe më shumë gjendjen e tyre. Në një sondazh të tetorit 2019, votuesit janë shprehur se veprimtaria e Trump për zgjidhjen e çështjes së racizmit nuk është aspak e pranueshme. 81% e zezakëve shprehen se veprimet e Trump i kanë vështirësuar dhe rënduar edhe më shumë kushtet e tyre të jetesës. Ndërkohë edhe hispanikët që janë objektiv i politikave çnjerëzore anti-emigracion të Donald Trump, shprehen për kushtet e rënda të jetesës së tyre në Amerikë. Policia Federale e Amerikës (FBI) në raportin e nëntorit 2019 ka shprehur shqetësime mbi rritjen e krimit racist kundër hispanikëve në Amerikë. Raporti i FBI-së thotë se numri i sulmeve dhe i vrasjes së hispanikëve në krahasim me vitin 2018 është shtuar me 21%. Organizata mbrojtëse e të drejtave civile të amerikano-latinëve në Amerikë, bën përgjegjës presidentin Trump për shtimin e krimeve dhe dhunës ndaj hispanikëve. Janet Murguia kryetare e UnidosUS, organizatë për mbrojtjen e të drejtave civile të amerikano-latinëve në Amerikë, thotë se përgjegjës për shtimin e numrit të amerikano-latinëve të vrarë në vend është Donald Trump dhe shton: Ai vazhdimisht i përmend me një urrejtje të madhe amerikano-latinët dhe të tilla deklarata kanë ndikim. Aktualisht në Amerikë është shtuar shqetësimi për rritjen e sulmeve ndaj amerikano-latinëve me nisjen e fushatës elektorale të Donald Trump për zgjedhjet e vitit 2020, fushatë që është e mbushur me propagandë kundër amerikano-latinëve dhe emigrantëve.

Një tjetër problematikë kritike në shoqërinë amerikane, e cila thellohet nga viti në vit dhe është kthyer në një krizë serioze sociale, është armëmbajtja e lirë në Amerikë. Sipas statistikave rreth 43% e amerikanëve në shtëpinë e tyre kanë të paktën 1 armë. Rreth 300 milion armë si pistoleta, automatikë dhe pushkë mbahen në shtëpitë e amerikanëve. Në vit rreth 30 mijë shtetas amerikanë, vriten për shkak të përdorimit të armëve të zjarrit. Sipas një artikulli të agjencisë Deutsche Welle, numri i viktimave që humbin jetën për shkak të përdorimit të armëve të zjarrit në Amerikë, çdo dy vjet është i barabartë me numrin e ushtarëve amerikanë që kanë humbur jetën në luftën në Vietnam. Pikërisht këto statistika kanë ngjallur shqetësimin e  politikanëve demokratë ndërkohë që republikanët shprehen kundër kufizimit të ligjit për armëmbajtjen e lirë në Amerikë, për shkak se kanë afrimitet me kompanitë e prodhimit të armëve. Nancy Pelosi, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve në fillim të muajit nëntor 2019, i ka kërkuar senator Mitch Mc Kannel, kreu i republikanëve në Senat, që të miratojë menjëherë planin për kufizimin e ligjit të armëmbajtjes së lirë në Amerikë. Pelosi ka thënë: 90% e popullit amerikan mbështet planin për rishikimin e ligjit të armëmbajtjes ( për blerjen, transportin dhe mbajtjen e armëve) në vend. Pelosi dhe demokratët e tjerë në Kongres kërkojnë që senati të miratojë planin për rishikimin e ligjit të armëmbajtjes në Amerikë. Amerika vitet e fundit është kthyer në një arenë të dhunës me armë sidomos pas sulmeve nëpër shkolla dhe ambiente publike, që kanë çuar në shtimin e numrit të viktimave të vrarë me armë zjarri.

Një tjetër parametër i rënies sociale në Amerikë, është shtimi i disnivelit mes të pasurve dhe të varfëve, apo thënë ndryshe e disnivelit social. Numri i personave që kanë pasuri 1 miliard dollarë e sipër në Amerikë nga 267 që ishte në vitin 2008 ka shkuar në 607 në vitin 2018. Eksperti ekonomik John Methwe, thotë: Të pasurit janë bërë edhe më të pasur dhe janë pasuruar shumë shpejt. Kjo çështje është bërë shkak për dëshira për konsum tek shoqëria e të pasurve të shtohet edhe më shumë. 88% e pasurisë së shoqërisë amerikane shkojnë për disa dhjetëra persona ndërkohë që 39 milion shtetas amerikane kanë nevojë të theksuar për ndihma ushqimore nga qeveria. Dekadën e fundit është shtuar shumë frika e falimentimit tek populli amerikan dhe tregu i strehimit ka filluar përsëri të bie. Sipas institutit “ Aleanca për të pastrehët” numri i personave të pastrehë në Amerikë në 10 vitet e fundit është shtuar me 70%. Disniveli social në Amerikë është një temë që ka detyruar politikanët të reagojnë dhe demokratët kanë kërkuar shtimin e paketave mbështetëse të qeverisë për shtresat e dobëta të shoqërisë dhe shtimin e taksave për të pasurit. Mirëpo nga ana tjetër republikanët ndjekin politikën e uljes së taksave dhe të mbështetjes qeveritare për shtresën në nevojë. Në shtator të vitit 2011 në Amerikë u formua lëvizja Pushtoni Wall Streetin, që ishte një lëvizje në formë proteste kundër pabarazisë sociale dhe ekonomike dhe një lëvizje kundër kompanive, institucioneve financiare dhe bankare në Amerikë. Kjo lëvizje nisi me sloganin “ Ne jemi 99% e shoqërisë” dhe kishte për qëllim vendosjen e drejtësisë sociale dhe eliminimin e fuqisë së 1 përqindëshit në shoqërinë amerikane. Pjesëmarrësit në këtë lëvizje janë të mendimit se politikat monetare të qeverisë në përgjithësi janë në interes të kompanive, bankave dhe të pasurve dhe kjo është shkaku kryesor i krizës ekonomike që duhet përballuar nga populli.

Me gjithë premtimet e qeverisë amerikane për respektimin e të drejtave të njeriut, mbrojtjen e tyre, për mbrojtjen e lirisë personale, sociale dhe të drejtat qytetare, mënyra e sjelljes me të burgosurit në Amerikë, është shenjë e moszbatimit të këtyre premtimeve. Gjendja e rënduar dhe e papërshtatshme e të burgosurve në Amerikë dhe numri i madh i tyre, është tregues i moszbatimit të parimeve të të drejtave të njeriut në Amerikë. Pikërisht kjo gjendje i ka detyruar organizatat mbrojtëse të drejtave të njeriut që të inspektojnë situatën në burgjet amerikane, ku kanë raportuar mbi sjelljet çnjerëzore dhe gjendjen e papranueshme të të burgosurve. Një prej organizatave mbrojtëse të të drejtave të njeriut në Amerikë e quajtur “ Shoqëria mbështetëse e lirisë civile”, thotë se të drejtat e të burgosurve në shumicën e burgjeve amerikane, shkelen dhe në shumicën e këtyre burgjeve të burgosurit pa asnjë shkak futen në qelitë izoluese. Në disa raste të burgosurit janë mbajtur nëpër qelitë e izolimit për vite me radhë. Futja në qelitë e izolimit duhet të bëhet për shkak të sjelljes së dhunshme të të burgosurit mirëpo në 90% të rasteve të ndëshkimit me qeli izolimi, sjellja e të burgosurve nuk ishte aspak arsye për futjen e tyre në këtë qeli. Përveç kësaj një tjetër faktor shqetësues në burgjet amerikane është gjendja e tyre higjienike dhe rastet në rritje të përdhunimeve dhe abuzimeve seksuale. Një tjetër çështje shqetësuese është numri i lartë i të burgosurve në Amerikë që në përputhje me popullsinë, Amerika ka numrin më të madh të të burgosurve në botë. Sipas një raporti të qendrës hulumtuese Piu, ¼ e të gjithë të të burgosurve në botë ndodhet në Amerikë dhe në këtë vend për çdo 100 mijë njerëz ekzistojnë 754 burgje. Aktualisht numri i madh i të burgosurve në Amerikë, jo vetëm që është kthyer në një problem për ligjvënësit amerikanë, por është edhe një problem serioz për shoqërinë gjë e cila ka shkaktuar diskriminim në këtë vend.

 

Tags