May 09, 2023 08:44 Europe/Tirane
  • Të shtënat vdekjeprurëse në Serbi nxorën me dhjetëra mijëra qytetarë në rrugë

Në më pak se 48 orë në Serbi u vranë 17 persona. Si pasojë dhjetëra mijëra qytetarë të këtij vendi dolën në rrugë dhe kërkuan dorëheqjen e autoriteteve.

Dhjetëra mijëra serbë pas dy të shtënave vdekjeprurëse në vendin e tyre demonstruan dhe kërkuan përmirësimin e situatës së sigurisë dhe dorëheqjen e një numri të ministrave të kabinetit. Sipas Reuters, demonstrata u zhvillua të hënën në Beograd. Kishte vite që kryeqyteti i Serbisë nuk kishte parë një turmë kaq të madhe protestuesish në rrugë.   Qytetet e tjera në Serbi gjithashtu ishin dëshmitarë të demonstratave ku protestuesit mbanin  pankarta me shkrimet “Serbia kundër dhunës". Protestuesit dhe mbështetësit e opozitës në protestat e tyre kërkuan mbylljen e kanaleve televizive dhe publikimeve që promovojnë dhunë dhe përmbajtje të neveritshme. Partitë opozitare dhe disa grupe të të drejtave të njeriut akuzojnë presidentin Aleksandër Vuçiç dhe Partinë Progresive të Serbisë në pushtet për autokraci, shtypje të lirisë së medias, dhunë ndaj kundërshtarëve politikë, korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Pas përfundimit zyrtar të demonstratës, disa protestues kanë brohoritur parulla kundër presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duke kërkuar dorëheqjen e tij.   Vuçiç dhe aleatët e tij i mohojnë akuzat. Në demonstratat e tyre, protestuesit gjithashtu kërkuan dorëheqjen e Bratislav Gasic, ministrit të Brendshëm, dhe Aleksandar Velin, drejtorit të Agjencisë së Sigurimit Shtetëror dhe shpërbërjen e Komitetit Legjislativ të Mediave Elektronike. Ndërkohë, ministri serb i arsimit Branko Ruziç të dielën dha dorëheqjen në reagim ndaj të shtënave vdekjeprurëse të javës së kaluar në një shkollë. Protestuesit kërkuan thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të parlamentit dhe diskutimin e situatës së sigurisë në vend. Të enjten në mbrëmje, një sulmues i armatosur vrau të paktën 8 persona dhe plagosi 13 të tjerë në një qytet afër Beogradit, kryeqytetit të Serbisë. Një ditë më parë, një nxënës 14-vjeçar qëlloi dhe vrau 8 nxënës dhe një roje në një shkollë në qendër të Beogradit. Sipas Guardian, Partia Progresive Serbe, e udhëhequr nga Aleksandër Vuçiç, dënoi protestën dhe i quajti grupet opozitare pjesëmarrëse në demonstratë si "djaj të pa fytyrë që guxojnë të përdorin një tragjedi kombëtare për interesat e tyre".   Pas të shtënave, Vuçiç u zotua të "çarmatoste" Serbinë me një plan ambicioz për të goditur armët e zjarrit të ligjshme dhe të paligjshme. Sipas grupit kërkimor Small Arms Survey, Serbia ka nivelin më të lartë të posedimit të armëve në Evropë, me rreth 39% të njerëzve që posedojnë armë zjarri.

Tags