Korrik 02, 2024 08:04 Europe/Tirane
  • Gjykata e Lartë e SHBA-së i dha Trumpit imunitet të kufizuar presidencial

Gjykata e Lartë e SHBA-së i dha Trumpit imunitet të bazuar në kompetencat ligjore të presidentëve, por nuk i dha atij imunitet në lidhje me çështjet personale.

Sipas ISNA, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara vendosi të hënën më 1 korrik se Donald Trump nuk mund të ndiqet penalisht për veprimet që ka ndërmarrë në kuadër të kompetencave të tij kushtetuese si president. Në të njëjtën kohë, gjyqtarët kanë thënë se ky imunitet nuk vlen për veprat e tij private. Ky është një vendim historik i Gjykatës së Lartë të SHBA-së, e cila për herë të parë njeh çdo lloj imuniteti presidencial nga ndjekja ligjore. Ndërkohë, presidenti amerikan Joe Biden, duke reaguar ndaj këtij vendimi të Gjykatës së Lartë, e quajti atë një veprim të rrezikshëm që mund t’i kthejë presidentët në mbretër dhe kërkoi nga populli amerikan që në zgjedhjet e nëntorit të mos e votojnë Donald Trumpin. Biden më tej shtoi: Ky komb është themeluar mbi parimin se në Amerikë nuk ka mbretëri. Secili prej nesh është i barabartë para ligjit. Askush nuk është mbi ligjin, madje as Presidenti i Shteteve të Bashkuara. Ai tha se vendimi i Gjykatës së Lartë të SHBA-së do të thotë se tani praktikisht nuk ka kufi për atë që mund të bëjë një president. Donald Trump, 78 vjeç, është ish-presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara që ndiqet penalisht dhe ish-presidenti i parë që shpallet fajtor për një akuzë. Ai është kandidati republikan në zgjedhjet e nëntorit dhe do të konkurrojë me presidentin aktual të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Tags