Irani dënon sanksionet e reja të vendosura nga Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe
(last modified 2024-10-15T09:37:59+00:00 )
Tetor 15, 2024 11:37 Europe/Tirane
  • Irani dënon sanksionet e reja të vendosura nga Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit dënoi vendosjen e sanksioneve të reja nga Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe ndaj një numri subjektesh fizike dhe juridike iraniane me pretekste të rreme dhe të pabaza dhe e konsideroi atë si një veprim të pajustifikuar dhe në kundërshtim me standardet e së drejtës ndërkombëtare, veçanërisht të të drejtave të njeriut.

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, Ismail Baghaei, të hënën mbrëma, duke hedhur poshtë pretendimet në lidhje me shitjen e raketave balistike nga Irani drejt Rusisë, deklaroi: "Irani, që nga fillimi i konfliktit, duke kundërshtuar luftën dhe duke theksuar nevojën e respektimit nga ana e të gjitha vendeve të integritetit territorial dhe sovranitetit kombëtar të njëri-tjetrit, ka kërkuar zgjidhje diplomatike për zgjidhjen e konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës. Përkundër kësaj, për fat të keq, disa vende evropiane dhe Britania e Madhe kanë pretenduar ndërhyrjen ushtarake të Iranit në këtë konflikt pa ofruar dokumente, gjë që hidhet poshtë plotësisht."

Ai i përshkroi akuzat e Bashkimit Evropian dhe Britanisë së Madhe kundër Iranit si false dhe një përpjekje për të devijuar opinionin publik nga çështja më e rëndësishme e ditës, që është gjenocidi ndaj popullit palestinez dhe luftënxitja që po shkakton regjimi sionist në rajonin e Azisë Perëndimore.

Baghaei e cilësoi veprimin e Bashkimit Evropian si kontradiktor dhe të papajtueshëm me pretendimet e vendeve evropiane në lidhje me të drejtat e njeriut dhe bashkëpunimin dhe theksoi se vendosja e sanksioneve ndaj linjave ajrore të pasagjerëve është një shkelje e qartë e standardeve dhe e rregulloreve të së drejtës ndërkombëtare, veçanërisht të të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore të njerëzimit, dhe kësisoj është i dënuar.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, duke theksuar të drejtën e Iranit për të ndërmarrë masat dhe reagimet e duhura ndaj sanksioneve të paligjshme të Bashkimit Evropian, e këshilloi Bashkimin Evropian që, në zbatim të rregullave të së drejtës ndërkombëtare dhe normave humanitare, të detyrojë vendet anëtare që të ndalojnë shitjen e armëve ndaj regjimit agresor izraelit dhe, në këtë mënyrë, të parandalojë vazhdimin e gjenocidit në Gaza dhe në Liban, si dhe përhapjen e tensionit në rajonin e Azisë Perëndimore.

 

Tags