Koalicioni detar amerikan do të destabilizojë Gjirin Persik
(last modified Fri, 30 Aug 2019 18:21:20 GMT )
Gusht 30, 2019 20:21 Europe/Tirane
  • Koalicioni detar amerikan do të destabilizojë Gjirin Persik

Komandanti i përgjithshëm i Ushtrisë së Republikës Islamike të Iranit tha se koalicioni detar amerikan pa dyshim do të destabilizojë Gjirin Persik dhe do të dëmtojë interesat e vendeve të varura nga nafta që kalon në këtë rajon.

Gjeneral Major Abdolrahim Musavi të enjten foli për veprimet e fundit të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme, duke thënë se veprimet armiqësore të Uashingtonit, të inkurajuara nga lobi izraelit, kishin për qëllim mbjelljen e mosmarrëveshjeve dhe pasigurisë në rajon për të mbrojtur regjimin e Izraelit. "Disa vende të rajonit po kërkojnë mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara pa i kushtuar vëmendje qëllimeve të tyre djallëzore dhe faktit që ne nuk duhet t'u kërkojmë të huajve që të vendosin për sigurinë në rajonin tonë. Siguria e qëndrueshme mbështetet në bashkëpunimin e vendeve të rajonit. Kjo është mënyra se si rajoni bëhet i sigurt për vendet që respektojnë sigurinë e tij dhe bëhet i rrezikshëm për piratët dhe ata që rrezikojnë stabilitetin e rajonit", deklaroi Komandanti i përgjithshëm i Ushtrisë së Republikës Islamike të Iranit. Ai theksoi se forcat e armatosura iraniane janë duke monitoruar nga afër të gjitha veprimet e armikut dhe se nëse është e nevojshme ato do t'u japin agresorëve një përgjigje që do t'i bëjë ata të pendohen. Gjeneral Major Abdolrahim Musavi shtoi: "Forca tokësore e ushtrisë ka vendosur forcat e saj në kufijtë e Iranit, përfshirë ato në Perëndim dhe Lindje, për të mbrojtur kombin iranian. Nga ana tjetër, mbrojtja anti-ajrore dhe forcat ajrore të ushtrisë garantojnë sigurinë e qiellit të Iranit. Për më tepër, ushtria dhe Korpusi i Rojeve të Revolucionit Islamik aktualisht janë në koordinim të përsosur, veçanërisht në kuadrin e misioneve të bazë së mbrojtjes ajrore Khatam al-Anbija. Në mënyrë të ngjashme, forca detare strategjike e ushtrisë iraniane garanton sigurinë e ngushticës së Hormuzit, Detit të Omanit dhe Oqeanit Indian. " Lidhur me nismën amerikane për krijimin e një koalicioni detar në Gjirin Persik, gjeneral major Abdolrahim Musavi tha se ky ishte një plan i ri djallëzor që do të destabilizonte Gjirin Persik dhe do të dëmtonte interesat e vendeve të cilat varen nga nafta që kalon në këtë rajon.

 

Tags