Ruhani: "Fotografitë përkujtimore janë hapi i fundit i një dialogu, jo i pari"
(last modified Thu, 26 Sep 2019 07:15:52 GMT )
Shtator 26, 2019 09:15 Europe/Tirane
  • Ruhani:

Në fjalën e tij, në seancën e 74-t të Asamblesë së Përgjithshme të OKB në New York Presidenti Hasan Ruhani denoncoi politikën e Administratës Trump dhe tërheqjen e saj të njëanshme nga marrëveshja bërthamore.

"Në lidhje me marrëveshjen bërthamore, qeveria amerikane jo vetëm që ka shkelur Rezolutën 2231 të Këshillit të Sigurimit të OKB, por gjithashtu ka shkelur të drejtën e shteteve sovrane për pavarësi politike dhe ekonomike", tha Presidenti iranian.  "Duke abuzuar me kontrollin e saj mbi sistemin bankar dhe financiar, qeveria amerikane po kryen një pirateri të vërtetë ndërkombëtare", deklaroi Presidenti iranian duke shtuar: "Unë vij nga një vend që ka duruar një terrorizëm të pamëshirshëm ekonomik për një vit e gjysmë, duke u përpjekur t'i rezistojë të gjitha presioneve për të mbrojtur të drejtën e tij legjitime për pavarësi, zhvillim shkencor dhe teknologjik". Ruhani theksoi: "Pushtetarët amerikanë janë të varur nga politika e sanksioneve kundër shteteve si Irani, Venezuela, Kuba, Kina apo Rusia. Populli iranian nuk do ta harrojë kurrë këtë krim dhe nuk do t'i falë kurrë autorët e tij. Nëse doni dialog nën sanksione, përgjigja jonë është 'jo' ". Ai kritikoi gjithashtu pozicionin e dobët të palës evropiane. Presidenti Ruhani denoncoi premtimet e rreme për dialog te palëve amerikane dhe evropiane, duke thënë: "Ata na thërrasin për dialog, por ata vetë largohen nga dialogu. Në fakt, ne u angazhuam me amerikanët në negociatat 5 + 1, por qeveria aktuale e SHBA e ka tradhtuar fjalën e dhënë nga paraardhësi i saj". Presidenti iranian kundërshtoi kategorikisht idenë e dialogut nën sanksione. "Populli dhe qeveria iraniane u kanë rezistuar sanksioneve më të këqija të SHBA për një vit e gjysmë. Ne kurrë nuk do të dialogojmë me një armik që përdor presion, sanksione dhe armën e mjerimit për të na detyruar të nënshtrohemi ndaj dëshirës së tij ", shtoi Presidenti Hasan Ruhani. Presidenti  iranian tha se  Teherani do të vepronte në përpjesëtim me masat e marra nga palët e tjera. "Unë po ju them qartë: nëse kënaqeni me minimumet, ne do të kënaqemi me minimumet nga ana jonë. Marrëveshja bërthamore ishte vetëm një marrëveshje minimale si për ju, dhe për ne. Nëse doni të keni një marrëveshje më të gjerë, duhet të ofroni më shumë. Në vend që të bëni gjeste false, kthehuni në realitetin e procesit të dialogut. Fotografitë përkujtimore janë hapi i fundit i një dialogu, jo i pari".

 

Tags