Shkurt 07, 2023 07:58 Europe/Tirane
  • Arabia Saudite dhe Republika Çeke mbyllën ambasadat e tyre në Afganistan

Mediat afgane raportuan se Arabia Saudite dhe Republika Çeke mbyllën ambasadat e tyre në Kabul dhe diplomatët nga Riadi u larguan nga ky vend.

Agjencia e lajmeve ItarTas, duke cituar "Tolua News", tha se ky vendim është marrë ndoshta për shkak të urdhrit të talebanëve për ndalimin e punësimit dhe arsimimit të grave dhe vajzave në Afganistan apo shqetësimeve të sigurisë në këtë vend. Zyrtarë të informuar kanë bërë të ditur se diplomatët e Arabisë Saudite tashmë janë larguar nga Afganistani. Sipas analistëve politikë, prania e ambasadave të huaja në Afganistan është e rëndësishme dhe autoritetet e përkohshme të talebanëve kanë nevojë për këto marrëdhënie për të fituar legjitimitet në bashkësinë ndërkombëtare. Republika Çeke gjithashtu ka njoftuar se ka mbyllur ambasadën e saj në Afganistan. Ndërkohë, autoritetet talebane kanë mohuar mbylljen e ambasadës saudite. Një zëdhënës i grupit taleban tha se diplomatët sauditë janë larguar nga Afganistani për arsyet e tyre dhe se së shpejti do të kthehen në këtë vend. Edhe pasi ka kaluar një vit nga ardhja në pushtet e talebanëve në Afganistan, asnjë vend nuk e ka njohur këtë qeveri. Por ambasadat e vendeve si Irani, Kina, Rusia, Turqia dhe Pakistani janë aktive në Kabul.

Tags