Qershor 06, 2023 17:10 Europe/Tirane
  • Zhvillimi i aleancave politike midis Riadit dhe Karakasit

Presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro, i cili ka udhëtuar për një vizitë zyrtare në Arabinë Saudite, u takua dhe ka biseduar me princin e kurorës së këtij vendi, Muhamed bin Salman, në pallatin Al Salam në Xheda.

Arabia Saudite dhe Venezuela kanë marrëdhënie të forta politike dhe ekonomike, sepse janë anëtare të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), dhe në këtë drejtim kanë bërë shumë marrëveshje politike dhe ekonomike dhe kanë zhvilluar vizita të ndërsjella të nivelit të lartë.

Agjencia zyrtare e lajmeve të Arabisë Saudite (WAS) njoftoi se në këtë takim të dy palët shkëmbyen mendime për marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin e përbashkët në fusha të ndryshme, si dhe për forcimin e këtyre bashkëpunimeve. Në këtë takim ishin të pranishëm ministri saudit i energjisë Selman bin Abdulaziz dhe ministri i jashtëm saudit Fajsal bin Farhan dhe disa zyrtarë të tjerë sauditë.

Nga ana tjetër, ishin të pranishëm edhe një delegacion i ministrave të Venezuelës, duke përfshirë ministrin e jashtëm dhe atë të naftës së këtij vendi. Presidenti i Venezuelës mbërriti në qytetin saudit Xheda të hënën në kuadër të një vizite të paparalajmëruar që synon forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe zhvillimin e aleancave politike midis Riadit dhe Karakasit.

Vizita e presidentit të vendit të pasur me naftë të Venezuelës në Arabinë Saudite u bë një ditë pas takimit të OPEC+ dhe vendimit të Arabisë Saudite dhe anëtarëve të tjerë të kësaj organizate të naftës për të ulur prodhimin e naftës në vitin 2024.

Agjencia saudite e lajmeve (WAS) nuk zbuloi më shumë detaje rreth vizitës së Maduros në Arabinë Saudite, por Maduro shkroi në një postim në llogarinë e tij duke thënë: "Ne jemi në Arabinë Saudite për të mbështetur planin ndërkombëtar të veprimit që është i frytshëm për ne dhe që bën përparim në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe vëllazërore dhe shton respektin mes Venezuelës dhe botës. Le të vazhdojmë!".

 

Tags