Dhjetor 14, 2023 20:04 Europe/Tirane
  • UNRWA: Të paktën 288 njerëz u vranë në sulmet izraelite në strehimoret në Gaza

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) tha se të paktën 288 persona të zhvendosur në strehimoret e saj në Gaza janë vrarë gjatë luftës izraelite në rripin e rrethuar të Gazës.

UNRWA në një postim në platformën X vlerësoi se në total të paktën 288 persona shumica gra dhe fëmijë të strehuar në instalimet e UNRWA në Gaza janë vrarë dhe të paktën 998 të tjerë janë plagosur që nga 7 tetori.

Për më tepër, 271 palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite, duke përfshirë 69 fëmijë, në Bregun Perëndimor të pushtuar, thuhet në raport, duke e shënuar vitin 2023 si "vitin më vdekjeprurës për palestinezët në Bregun Perëndimor që kur OKB filloi regjistrimin e viktimave". Të mërkurën, Komisioneri i Përgjithshëm i UNRWA, Philippe Lazzarini, tha në Forumin Global të Refugjatëve se popullit të Gazës "po i mbaron koha dhe opsionet", pasi ata përballen me bombardimet, privimet nga mjetet më elementare dhe sëmundjet në një hapësirë gjithnjë e në tkurrje.

Lazzarini, i cili e ka përshkruar situatën në Gaza si "ferr në tokë", paralajmëroi se njerëzit në territorin palestinez "po përballen me kapitullin më të errët të historisë së tyre që nga viti 1948 dhe kjo ka qenë një histori e dhimbshme".

 

Tags