Mars 18, 2024 19:55 Europe/Tirane
  • Borrell: Izraeli provokon urinë duke bllokuar ndihmën për Gaza

Mijëra njerëz në Rripin e Gazës janë të kërcënuar nga një gjendje urie pasi Izraeli po përdor urinë si armë lufte duke bllokuar qëllimisht ndihmën humanitare në territorin e rrethuar palestinez, tha shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.

Duke folur në hapjen e një konference mbi ndihmën humanitare për Gazën në Bruksel, Josep Borrell tha se Gaza "nuk është më në prag të urisë, por në Gaza ne jemi në një gjendje urie që prek mijëra njerëz".

“Kjo është e papranueshme. Uria përdoret si një armë lufte. Izraeli po provokon zi buke”, tha shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.

Borrell tha se më shumë se pesë muaj pas luftës së përgjakshme të Izraelit në Gaza, ky territor tani është kthyer në "varrezat më të mëdha në botë".

“Gaza para luftës ishte burgu më i madh në qiell të hapur. Sot është  një varrezë për dhjetëra mijëra njerëz dhe gjithashtu një varrezë për shumë nga parimet më të rëndësishme të së drejtës humanitare”, shtoi ai.

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres tha të hënën se raporti i IPC për pasigurinë ushqimore në Gaza është një padi e tmerrshme mbi kushtet në terren për civilët.

Ai u tha gazetarëve në selinë e OKB-së, se “palestinezët në Gaza po durojnë nivele të tmerrshme urie dhe vuajtjesh”.

"Kjo është një fatkeqësi krejtësisht e krijuar nga njeriu dhe raporti e bën të qartë se ajo mund të ndalet", shtoi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së.

Guterres tha se ky është “numri më i lartë i njerëzve që përballen me urinë katastrofike i regjistruar ndonjëherë nga sistemi i integruar i klasifikimit të sigurisë ushqimore – kudo dhe në çdo kohë”.

Shefi i OKB-së i bëri thirrje regjimit izraelit "të sigurojë akses të plotë dhe të papenguar për mallrat humanitare në të gjithë Gazën".

 

Tags