May 04, 2024 20:50 Europe/Tirane
  • Turqia pezullon marrëdhëniet tregtare me Izraelin

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka folur pas vendimit të Turqisë për të pezulluar të gjitha marrëdhëniet tregtare me Izraelin dhe treguar se pse e mori këtë vendim Ankaraja.

Në një adresim përmes platformës X, presidenti turk tha se të gjitha pasojat e këtij vendimi do të koordinohen me sektorin e biznesit të Turqisë.

“Me qëllim që të detyrojmë Izraelin të pushojë zjarrin dhe të rrisë sasinë e ndihmave humanitare që lejon, fillimisht vendosëm kufizime të eksportit për 54 grupe produktesh. Që nga dje, ne kemi pezulluar transaksionet e eksport-importit me Izraelin, duke mbuluar të gjitha produktet. Ne do bashkërendojmë pasojat e këtij veprimi së bashku me botën tonë të biznesit”, tha Erdogan.

Ai theksoi se Turqia nuk dëshiron armiqësi me asnjë vend dhe shtoi: “Ne nuk kemi armiqësi apo konflikt me asnjë vend në rajonin tonë. Siç e kam thënë në çdo rast, ne nuk duam të shohim konflikte, gjak dhe lot në rajonin tonë. Si të gjitha fetë, ne duam të jetojmë së bashku në paqe, prosperitet dhe stabilitet”.

“Ne kemi një qëllim këtu dhe ai është të detyrojmë qeverinë Netanyahu, e cila ka dalë jashtë kontrollit me mbështetjen e pakushtëzuar ushtarake dhe diplomatike të Perëndimit, në një armëpushim. Qëllimi do të arrihet nëse shpallet një armëpushim dhe nëse lejohen ndihma humanitare të mjaftueshme në Gaza. Kjo lëvizje e Turqisë do të jetë shembull për vendet e tjera që janë të shqetësuara nga situata aktuale”, përfundoi ai.

 

Tags