Kryengritja e Ashurasë, përpjekja e Imam Husejnit (a.s.) për ta çliruar arsyen dhe fenë nga devijimi emevit
(last modified Wed, 10 Jul 2024 16:44:26 GMT )
Korrik 10, 2024 18:44 Europe/Tirane
  • Kryengritja e Ashurasë, përpjekja e Imam Husejnit (a.s.) për ta çliruar arsyen dhe fenë nga devijimi emevit
    Kryengritja e Ashurasë, përpjekja e Imam Husejnit (a.s.) për ta çliruar arsyen dhe fenë nga devijimi emevit

Sipas Ajetullah Xhavadi Amoli, Imam Husejni (a.s.) u ka bërë thirrje njerëzve që ta adhurojnë Zotin në mënyrë të vetëdijshme që në ta gjitha çështjet e jetës së tyre, të ndjekin mësimet e shëndosha të cilat çojnë drejt zhvillimit.

Që nga koha e kryengritjes së Imam Husejnit (a.s.), nipit dhe anëtarit të Ehli Bejtit të Profetit të nderuar të Islamit dhe imamit të tretë të myslimanëve shiitë, janë shtruar gjithnjë pyetje të ndryshme në mesin e elitave intelektuale dhe mendimtarëve, madje edhe në mesin e njerëzve të thjeshtë. Një prej këtyre pyetjeve është kjo se cili ishte motivi kryesor i Imam Husejnit (a.s.) me iniciativën që mori për një veprim të tillë? Pars Today me rastin e ditëve të zisë për Imam Husejnin (a.s.) në këtë artikull ka bërë një rilexim të mendimeve dhe ligjërimeve të Ajetullah Abdullah Xhavadi Amoli, jurist, filozof, gnostik, komentues i Kur'anit të shenjtë dhe autoritet fetar i myslimanëve shiitë, në lidhje me filozofinë dhe domethënien e kryengritjes së Ashurasë.

Veprimet themelore të Imam Husejnit (a.s.)

Ajetullah Xhavadi Amoli në lidhje me këtë thotë:

Imam Husejni (a.s.) ka bërë përpjekje për ta çliruar fenë hyjnore nga robëria dhe devijimi emevit në mënyrë që të zgjerojë njohuritë e njerëzve në fushën e fesë dhe të vërtetave të saj, prandaj, ai ka vepruar në fushën e zgjerimit të njohurive rreth besimit në një Zot dhe u ka bërë thirrje njerëzve që ta adhurojnë Zotin e madhëruar në mënyrë të vetëdijshme.

Imam Husejnit (a.s.) ka përkufizuar qëllimin e krijimit të njeriut në këtë mënyrë:  

إِنَّ اللَّهَ جَلَّ ذِکْرُهُ مَا خَلَقَ الْعِبَادَ إِلَّا لِیَعْرِفُوهُ فَإِذَا عَرَفُوهُ عَبَدُوهُ فَإِذَا عَبَدُوهُ اسْتَغْنَوْا بعِبادتِهِ عَن عِبادِهِ ما سِواه

"Zoti i madhëruar i ka krijuar njerëzit për ta njohur veten. Njeriu i cili ka njohur Zotin, e adhuron Atë dhe njeriu i cili e adhuron Zotin, nuk ka nevojë që të adhurojë diçka tjetër, përveç Zotit".

Domethënia e kësaj thënie të Imam Husejnit (a.s.) nuk është kjo që njeriu ta njohë Zotin, të kryejë namazin, të agjërojë dhe pastaj asgjë! Këto janë vetëm një qoshe e domethënies së adhurimit të vërtetë të Zotit. Adhurimi i Zotit të madhëruar është i rrjedhshëm dhe prezent në thellësinë e njohurive racionale, bindjeve fetare, virtyteve morale e deri te të gjitha çështjet e tjera të zakonshme normale dhe spiritualë të jetës së njeriut.

Imam Husejni (a.s.) me këto fjalë, u ka bërë thirrje njerëzve që ta adhurojnë Zotin e madhëruar në mënyrë të vetëdijshme që në të gjitha çështjet e jetës së tyre të ndjekin fenë, gjë që sjell lumturinë e kësaj bote dhe botës tjetër (pas vdekjes) për njeriun.

Ardhja e kohës së kryengritjes

Pas vdekjes së Muavije bin Sufjan, khalifit të parë emevit, djali i tij Jezidi u ulë në fronin mbretëror. Ai ishte një i ri i korruptuar dhe kriminel. Paturpësia e tij në shkeljen e dispozitave të fesë Islame dhe kryerjen e korrupsionit dhe degjenerimit në mënyrë të hapur, bëri që njerëzit të informohen dhe të vetëdijesohen për hipokrizinë dhe mosrespektimin e fesë nga ana e familjes emevite, prandaj në këtë mënyrë erdhi koha më e mirë për fillimin e kryengritjes fetare. Imam Husejni (a.s.) pavarësisht të gjitha kundërshtimeve që iu bënë atij në lidhje me vendimin që kishte marrë për të kundërshtuar dhe luftuar me Jezidin, theksoi në mënyrë të prerë në qëndresën dhe rezistencën kundër Jezidit. Në bazë të kësaj, kur një person e informoi Imam Husejnin (a.s.) në lidhje me kushtet dhe rrethanat e papërshtatshme dhe kritike, Imam Husejni (a.s.) iu përgjigj:

«والله لَو لَم یکُن لِی مَلْجَأَ وَ لا مَأوی لَما بایعْتُ یزیدُبنُ مُعاویه

"Betohem në Zotin, se edhe nëse në lindje e perëndim të botës nuk do të ketë vend të sigurt për mua, kurrë nuk do të bëjë kompromis me Jezid bin Muavije".

Imam Husejni (a.s.) gjithashtu në reagim ndaj propozimit të Velid-it për të bërë bej'at me Jezid-in, tha: "Jezidi është një njeri i korruptuar e i degjeneruar, gjithmonë i dehur me verë dhe vrasës, i cili në mënyrë të hapur kryen veprat e ndaluara. Prandaj, një person si ne kurrë nuk do të bëjë bej'at me një person të tillë".

Qëllimi themelor i Imam Husejnit (a.s.) me këto fjalë, nuk është vetë Jezidi, por një lloj i të menduarit të tillë nuk mund të jetë në harmoni me të menduarin e shkollës së Imam Husejnit (a.s.). Njeriu besimtar te Zoti i cili ka sakrifikuar jetën dhe gjithë çka ka në rrugën e Zotit, nuk mund të bëjë pazarllëqe e kompromise me armikun e Zotit.

Zotëria i dëshmorëve (Imam Husejni (a.s.)) edhe në përgjigje ndaj propozimit të Mervan bin Hakem, ka thënë:

"Kur njerëzit përballen dhe e pranojnë një udhëheqës siç është Jezidi, atëherë duhet t'i jepet lamtumira e fundit fesë Islame". Kjo do të thotë se çdo kush që ndjek të menduarin shkencor dhe motivin e veprimit të Imama Husejnit (a.s.), nuk mund ta pranojë pushtetin hegjemonistë dhe tiranik siç ishte ai i Jezid-it.

Imam Husejni (a.s.) trashëgimtar i profetëve

Imam Husejni (a.s.) është trashëgimtar i profetëve të Zotit dhe kryengritja e tij është vazhdimësi dhe në harmoni me lëvizjen e profetëve të Zotit. Ashtu sikur që profetët e Zotit janë dërguar për t'i dhënë lulëzim arsyes dhe mendjes njerëzore, edhe Imam Husejni (a.s.) ka bërë kryengritje pikërisht për këtë qëllim, prandaj, kryengritja e tij ka shënuar rezultate të ndryshme që në vijim po i përmendim katër prej atyre rezultateve:  

  1. Kryengritje dhe martirizim për të shpjeguar dashurinë e Zotit dhe të vërtetën e jetës

Imam Husejni (a.s.) ka bërë përpjekje që të tregojë dashurinë hyjnore dhe t'i bëjë njerëzit ta kuptojnë se Zoti i madhëruar në bazë të dashurisë, ka krijuar robërit e vet dhe synon vetëm rritjen dhe zhvillimin ekzistencial të tyre. Ai synon ta shpëtojë arsyen e njerëzve.

  1. Kryengritje dhe martirizim për të kujtuar dinjitetin dhe fisnikërinë e njeriut dhe të shoqërisë

Në kohën e Imam Husejnit (a.s.) virtytet morale ishin mbyllur në pranga të robërisë së familjes mbretërore emevite. Imam Husejni (a.s.) me kryengritjen e vet, kas thyer këto pranga të vendosur mbi parimet e fesë islame dhe ka hapur një kapitull të ri të njohurive dhe virtyteve morale hyjnore para shoqërisë njerëzore duke i kujtuar asaj dinjitetin dhe fisnikërinë e njeriut.

  1. Kryengritje dhe martirizim për të kujtuar sunetët e Profetit Muhamed s.a.v.s.

Imam Husejni (a.s.) në një letër drejtuar popullit të Kufes, ka shkruar: "Suneti i të Dërguarit të Zotit ka vdekur dhe është shkatërruar kurse janë ringjallur risit negative dhe bidatet".

Imam Husejni (a.s.) me kryengritjen e tij të përgjakshme, ka kujtuar dispozitat e fesë Islame dhe parimet hyjnore dhe rrugën e Profetit Muahmed s.a.v.s. në luftën kundër injorancës, padrejtësisë, dhunës dhe korrupsionit, ndërkohë që ka ripërtërirë këto parime për gjeneratat e ardhshme.

  1. Kryengritje dhe martirizim për ripërtëritjen e rrugës së profetëve dhe zhvillimin e arsyes

Profetët e Zotit duke marrë parasysh se janë dërguar në mesin e njerëzve për t'i dhënë lulëzim arsyes njerëzore dhe gjatë gjithë historisë kanë ekzistuar pushtete të tilla si ai emevit të cilët kanë penguar zhvillimin e arsyes së njerëzve, ata janë dërguar njëri pas tjetrit për t'i mënjanuar këto pengesa. Imam Husejni (a.s.) me kryengritjen e tij u ka tërhequr vëmendjen njerëzve se pushteti emevit nuk po e zbaton të drejtën dhe të vërtetën dhe ai i cili nuk vepron sipas të drejtës dhe të vërtetës, nuk mund të arrijë në përkryerje të arsyes.

Në këtë mënyrë, edhe shoqëritë të cilat nuk veprojnë sipas të drejtës dhe të vërtetës, nuk mund të arrijnë në përkryerje të arsyes dhe si rezultat zhytën në robërinë e sfidave të kësaj bote. Kjo është për arsye se përkryerja e arsyes realizohet nën dritën e ndjekjes së të vërtetës dhe një veprim i tillë nuk mund të bëhet në rrethana të tilla siç ishin ato kur sundonte një pushtet i dhunshëm dhe tiran si ai emevit.

Fjalët kyçe: kryengritja e Ashurasë, kush është Imam Husejni (a.s.)? Ngjarja e Qerbelasë, khalifati emevit, virtytet morale, namazi, lufta kundër padrejtësisë.

 

Tags