Erdogan akuzon admiralët për "grusht shteti politik"
(last modified Mon, 05 Apr 2021 18:53:43 GMT )
Prill 05, 2021 20:53 Europe/Tirane
  • Erdogan akuzon admiralët për

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka akuzuar një numër admiralësh në pension për përpjekjen për "grusht shteti politik" pasi ata dënuan projektin e propozuar prej tij, i njohur si Kanali i Stambollit, i cili është planifikuar të lidhë Detin e Zi me Mesdheun.

"Detyra e admiralëve në pension - 104 prej të cilëve janë bërë bashkë - nuk është të botojnë deklarata që lënë të kuptohet një grusht shteti politik," tha Erdogan të hënën. "Në një vend, e kaluara e të cilit është e mbushur me grushte shteti, një tjetër përpjekje nga një grup admiralësh në pension nuk mund të pranohet kurrë," shtoi ai. Deklaratat e Erdoganit erdhën pasi 104 admiralë në pension në një letër të publikuar të Shtunën shprehën shqetësime rreth ndërtimit të kanalit të ri, duke thënë se kjo do të bënte që Turqia të braktiste Konventën e Montreux më 1936 - një pakt që rregullon transportin përmes rrugëve kryesore detare të vendit. Erdogan tha se ishte "plotësisht e gabuar" të lidhësh kanalin e propozuar me traktatin, duke shtuar se rruga e re e anijeve "do të forcojë sovranitetin tonë". "Ne nuk kemi asnjë qëllim të tërhiqemi nga Montreux tani," tha Erdogan. "Por nëse shfaqet nevoja në të ardhmen, ne mund të rishikojmë çdo konventë për të ndihmuar vendin tonë të bëhet më mirë," shtoi ai. Mundësia e tërheqjes së Turqisë nga pakti që rregullon transportin përmes ngushticave të Bosforit dhe Dardaneleve që lidhin Detin Mesdhe me Detin e Zi u rrit pas miratimit muajin e kaluar të planeve për të zhvilluar një kanal të ri transporti 45 kilometrash (28 milje) në veri të Stambollit që do të anashkalonte Bosforin.

 

Tags