Akuza ndaj Trump, javën e ardhshme pritet dorëzimi i tij para autoriteteve
(last modified Fri, 31 Mar 2023 18:43:28 GMT )
Mars 31, 2023 20:43 Europe/Tirane
  • Akuza ndaj Trump, javën e ardhshme pritet dorëzimi i tij para autoriteteve

Një juri e madhe e Nju Jorkut votoi të enjten pro ngritjes së një padie penale ndaj ish-Presidentit Donald Trump.

Akuzat nuk janë bërë publike, por hetimet janë përqendruar në pagesat e bëra gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016, për të blerë heshtjen e ish-aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, për një marrëdhënie seksuale që ajo pretendon se ka patur me Trump. Kjo shënon herën e parë në historinë e vendit që një ish-president akuzohet për kryerjen e një vepre penale. Ish-Presidenti Trump e cilësoi vendimin "një gjueti shtrigash, dhe persekutim politik". Padia penale ndaj ish-presidentit u ngrit nga Prokurori i Qarkut të Manhatanit Alvin Bragg dhe u mbështet nga juria e madhe. Por akuzat do të bëhen publike vetëm kur  Trump të paraqitet para një gjykatësi. Ekspertët besojnë se Trump mund të akuzohet për falsifikimin e të dhënave të biznesit. Ish-prokurori federal Neamah Rahmani e sheh aktpadinë si një zhvillim historik. Ish presidenti është duke u hetuar edhe për raste të tjera. “Kjo është hera e parë që një ish-president akuzohet për një krim. Është e pashembullt. A do të ndjekin edhe prokurorët e tjerë, si prokurori i posaçëm Jack Smith, apo prokurorja e Qarkut të Atlantës Fani Willis, të njëjtin shembull dhe ta akuzojnë Donald Trump-in për krime më të rënda”, thotë ish-prokurori federal Neamah Rahmani. Prokurorët kanë thënë se po punojnë për të koordinuar dorëzimin e zotit Trump, gjë që mund të ndodhë në fillim të javës së ardhshme. Ekspertët thonë se pritet të zhvillohet një seancë e shkurtër, ku ai do të njihet me akuzat, do t’i merren shenjat e gishtërinjve, do të fotografohet dhe më pas të lirohet.

 

Tags