Sudan: I dërguari i OKB-së shpallet persona non grata
(last modified Fri, 09 Jun 2023 17:19:25 GMT )
Qershor 09, 2023 19:19 Europe/Tirane
  • Sudan: I dërguari i OKB-së shpallet persona non grata

Qeveria sudaneze e ka shpallur të dërguarin e OKB-së Volker Perthes "persona non grata" dy javë pasi shefi i ushtrisë e akuzoi atë për nxitjen e konflikteve të brendshme dhe bëri thirrje për shkarkimin e tij.

"Qeveria e Republikës së Sudanit ka njoftuar Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara se që nga sot e ka shpallur z. Volker Perthes  persona non grata," tha Ministria e Jashtme sudaneze në një deklaratë. Volker Perthes ishte në Addis Ababa, Etiopi, të enjten për një seri bisedimesh diplomatike, njoftoi më herët OKB. Që nga fundi i vitit të kaluar, Perthes dhe misioni i OKB-së që ai drejton në Sudan kanë qenë objekt i protestave të ushtarakëve që denoncojnë ndërhyrjen e huaj. Në një letër drejtuar Kombeve të Bashkuara muajin e kaluar, udhëheqësi de fakto i Sudanit, gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, akuzoi të dërguarin për nxitjen e konfliktit midis ushtrisë së tij dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), të udhëhequr nga komandanti Mohamed Hamdan Dagalo. Në një letër drejtuar OKB-së, gjenerali Burhan akuzoi veçanërisht Volker Perthes se në raportet e tij kishte "fshehur" situatën shpërthyese në Khartum përpara shpërthimit të luftimeve. Pa këto “gënjeshtra”, gjenerali Dagalo nuk do të kishte nisur operacionet e tij ushtarake”, argumentoi ai.

 

Tags