Zelensky paralajmëron Kremlinin, Moska reagon
(last modified Mon, 31 Jul 2023 17:12:43 GMT )
Korrik 31, 2023 19:12 Europe/Tirane
  • Zelensky paralajmëron Kremlinin, Moska reagon

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se është “e pashmangshme” se “lufta” në Rusi do të ndodhë, pasi autoritetet ruse u detyruan ta mbyllin përkohësisht një aeroport shumë të frekuentuar në Moskë, si pasojë e sulmeve me dronë në kryeqytetin rus.

“Dalëngadalë, lufta po rikthehet në territorin e Rusisë, në qendrat e saj simbolike dhe në bazat ushtarake. Dhe kjo është e pashmangshme, e natyrshme, dhe plotësisht e drejtë”, tha Zelensky. “Ukraina po forcohet”, tha ai. “Por ne duhet të jemi të vetëdijshëm se, tamam sikur vitin e kaluar, terroristët rusë mund ta sulmojnë sektorin tonë të energjisë dhe objektet e rëndësishme këtë dimër”. Zyrtarët rusë njoftuan se tre dronë ukrainas e sulmuan Moskën mëngjesin e 30 korrikut, duke plagosur një roje sigurie. Aeroporti Vanukovo, njëri prej katër aeroporteve të mëdha në Moskë, u mbyll përkohësisht pas sulmeve. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë e quajti atë “tentim sulm terrorist” dhe pretendoi se një dron u rrëzua dhe dy të tjerët u bllokuan. Moska është rreth 500 kilometra larg nga kufiri me Ukrainën dhe është shënjestruar disa herë. Një sulm me dron në Kremlin në maj u përshkrua si një përpjekje për të vrarë presidentin Vladimir Putin. Kievi mohoi kryerjen e sulmit me dron në Kremlin. Zyrtarët rusë kanë kritikuar vazhdimisht sulmet me dronë të Ukrainës në Moskë, të cilat kryesisht janë zmbrapsur. Ministria e Jashtme e Rusisë ka fajësuar SHBA-në dhe aleatët e saj në NATO për sigurimin e armëve të Kievit për sulme të tilla. Në lidhje me këtë, nënkryetari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Dmitry Medvedev, foli të dielën për mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore nga Rusia dhe njoftoi: "Nëse forcat ukrainase me mbështetjen e NATO-s marrin kontrollin e një pjese të territorit rus, ne do të detyrohemi të përdorim armë bërthamore. Në një skenar të tillë, Rusia do të detyrohet të tërhiqet nga doktrina e saj bërthamore". Medvedev në mesazhin e tij shtoi: "Imagjinoni nëse një sulm i mbështetur nga NATO është i suksesshëm dhe synon një pjesë të territorit rus. Ne do të detyrohemi të zbatojmë rregullat presidenciale ruse për të përdorur armë bërthamore". Rusia vazhdimisht ka paralajmëruar Perëndimin kundër armatosjes së regjimit “nazist” të Kievit, duke thënë se kjo vetëm do të shtonte humbjet dhe do të zgjaste konfliktin. Ndërkohë, Rusia ka granatuar qytetin jugor të Hersonit për të dytën herë brenda 24 orëve. Të paktën nëntë civilë ukrainas, përfshirë një fëmijë, janë vrarë nga granatimet dhe sulmet ajrore ruse, thanë zyrtarët ukrainas.

 

 

Tags