Tetor 04, 2023 21:00 Europe/Tirane
  • Turqia: Të gjitha objektet e përdorura nga PKK-ja në Siri dhe Irak janë tani objektivi ynë

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, komentoi aktivitetet e fundit të forcave turke të sigurisë ndërsa tha se do të vazhdojë lufta kundër lëvizjes PKK.

Në një intervistë për mediat, ai iu referua aksionit “Heronjtë” që u krye nga forcat turke të sigurisë gjatë dy ditëve të kaluara. “U bë e qartë se dy sulmuesit erdhën nga Siria dhe se ata ishin trajnuar këtu. Të gjitha detajet që dimë për sulmuesit janë rezultat i punës së forcave tona të sigurisë”, tha kryediplomati turk. Pas kësaj, shefi i diplomacisë turke tha se Turqia do të vazhdojë operacionin kundër PKK-së. “Tani e tutje, të gjitha objektet infrastrukturore dhe energjetike që i përkasin PKK-së ose YPG-së në Irak dhe Siri janë një objektiv legjitim i forcave tona të sigurisë”, tha shefi i politikës së jashtme turke. Ai kishte një mesazh edhe për zyrtarët e vendeve të tjera dhe theksoi: “Unë rekomandoj që palët e treta të qëndrojnë larg objekteve dhe individëve që janë të lidhur me PKK ose YPG”. Partia e Punëtorëve të Kurdistanit ose PKK është një organizatë politike militante kurde dhe lëvizje e armatosur, e cila konsiderohet terroriste nga Turqia, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe disa vende të tjera.

 

Tags