Janar 27, 2024 20:31 Europe/Tirane
  • Forcimi i së djathtës në Parlamentin Evropian mund të ndikojë në zgjerimin e BE-së

Sipas anketave të fundit në mesin e votuesve në vendet e BE-së, pritet që partitë e së djathtës ekstreme të shënojnë rritje të konsiderueshme të votave dhe si pasojë edhe të numrit të deputetëve në Parlamentin e ardhshëm Evropian pas zgjedhjeve të vitit 2024, në krahasim me numrin që aktualisht e kanë.

Nga ana tjetër, pritet që partitë e qendrës së majtë të kenë rënie dhe të humbasin vota.

Në Bruksel dhe në qendrat e vendeve anëtare nuk kanë dyshim se e djathta ekstreme do të jetë më e zëshme në Parlamentin Evropian, sepse ky trend po shihet edhe në vendet anëtare që ka shkaktuar shqetësim. Partia e Lirisë e udhëhequr nga Geert Wilders, parti radikale në Holandë, ka dalë fituese në zgjedhjet e fundit në këtë vend dhe, nëse ka sukses në negociata, mund edhe të formojë qeverinë.

Në Belgjikë në anketa udhëheq partia e Interesit Flaman, po ashtu parti kundër imigrantëve dhe radikale.

Në Gjermani rritja e mbështetjes për partinë Alternativa për Gjermaninë ka shkaktuar alarm dhe protesta në rrugë.

Në Francë mund të fitojë Lëvizja Nacionale e Marine Le Pen.

Edhe analiza e Këshillit Evropian për punë të jashtme parasheh se në nëntë vende anëtare partitë populiste të djathta do të dalin fituese.

Analistët e Këshillit Evropian për çështje të jashtme mendojnë se rritja e së djathtës ekstreme do të ketë ndikim edhe në politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian, ndërsa votat e tyre mund të kenë pasoja edhe për drejtimin gjeostrategjik të BE-së në të ardhmen.

“Parlamenti i ardhshëm Evropian mund të bllokojë legjislacionin e nevojshëm për zbatimin e disa politikave të BE-së nga ndryshimet klimatike deri te migracioni, zgjerimi dhe ndihma për Ukrainën”, thuhet në analizën e këtij grupi.

 

Tags