Mars 07, 2024 10:09 Europe/Tirane
  • Evropa shpreh shpresën për hapjen e një korridori humanitar detar nga Qiproja për në Gaza

Pas përshkallëzimit të krizës humanitare në Gaza, Komisioni Evropian ka shprehur shpresën se së shpejti do të hapet korridori humanitar detar përmes Qipros për të ofruar ndihmë për banorët e Gazës.

Në një situatë ku Bashkimi Evropian po përpiqet të krijojë një korridor humanitar detar nga Qiproja për të mbështetur popullin e Gazës, zëdhënësi i Komisionit Evropian njoftoi të mërkurën se kryetarja e këtij komisioni Ursula von der Leyen do të udhëtojë këtë javë për në Qipro në lidhje me këtë çështje.

Sipas raportit të rrjetit Al-Jazeera, ky zëdhënës deklaroi: “Ne i kemi fokusuar përpjekjet tona për të dhënë siguri se ne mund të ofrojmë ndihmë për palestinezët. Shpresojmë që hapja (e këtij korridori) të bëhet së shpejti”.

Një nga zëdhënësit e qeverisë së Nikozias (kryeqyteti i Qipros) tha: “Të premten (më 8 mars), ajo (Von der Leyen) do të vizitojë së bashku me Presidentin e Qipros infrastrukturat që lidhen me fazat e këtij plani.”

Qiproja ndodhet 370 kilometra në veriperëndim të Gazës dhe është shteti më i afërt anëtar i BE-së me rajonin, dhe prej muajsh po punon për të krijuar një rrugë detare të qëndrueshme dhe njëkahëshe për të dërguar në mënyrë direkte ndihma në Gaza.

 

Tags