Mars 13, 2024 10:35 Europe/Tirane
  • Borrell bën thirrje për përdorimin e një gjuhe më të ashpër kundër veprimeve të regjimit sionist në Gaza

Josep Borrell, zyrtari i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, vuri në dukje krizën humanitare në Gaza dhe kritikoi pengesat që regjimi sionist ka krijuar për transferimin e ndihmave humanitare në këtë rajon dhe bëri thirrje për përdorimin e një gjuhe më të ashpër kundër veprimeve të (regjimit të) Izraelit. 

Sipas raportimit të agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, Borrell, i cili udhëtoi për në Nju Jork, tha të martën në një fjalim në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së se lufta në Gaza është "vetëm një pjesë e një konflikti jashtëzakonisht serioz që po vazhdon midis izraelitëve dhe palestinezëve për pothuajse një shekull."

Duke përsëritur qëndrimin e Bashkimit Evropian në lidhje me të drejtën e pretenduar të regjimit sionist për të mbrojtur veten, ai shtoi: "Ne kemi deklaruar po aq fuqishëm dhe në mënyrë të përsëritur se veprimet (e Izraelit) duhet të jenë në respekt të plotë të së drejtës ndërkombëtare humanitare".

Duke iu referuar numrit të lartë të viktimave civile në Gaza, zyrtari i politikës së jashtme të BE-së tha: "Tani jemi përballë një popullsie që po lufton për mbijetesën e saj. Ndihmat humanitare duhet të hyjnë në Gaza dhe Bashkimi Evropian po përpiqet me aq sa ka mundësi për ta bërë të mundur këtë gjë. Por kjo është një krizë humanitare e shkaktuar nga njeriu, jo një fatkeqësi natyrore".

Borrell kritikoi më tej pengesat që ka krijuar regjimi sionist në rrugën e transferimit të ndihmave në Gaza duke shtuar: "Kur dënojmë shembullin e këtyre ngjarjeve që kanë ndodhur në Ukrainë, duhet të përdorim të njëjtat fjalë edhe për atë që po ndodh në Gaza".

Zyrtari i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian vuri në dukje, gjithashtu, rolin e agjencive të Organizatës së Kombeve të Bashkuara si mënyra e fundit për të shpëtuar popullin e Gazës dhe deklaroi se akuzat e regjimit sionist kundër Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) duhet të provohen.

Muajin e kaluar, regjimi sionist akuzoi një numër punonjësish të UNRWA-s për ndërhyrje në operacionin Stuhia Al-Aksa dhe për pasojë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një sërë vendesh evropiane pezulluan ndihmat e tyre për këtë organizatë ndërkombëtare.

Borrell tha: "UNRWA ekziston për shkak se ekzistojnë refugjatët palestinezë. Kjo nuk është një dhuratë për palestinezët, por një përgjigje për nevojat e tyre. Me zhdukjen e UNRWA-s, refugjatët palestinezë nuk do të zhduken".

Në fund, ai theksoi nevojën e zgjidhjes me dy shtete dhe kërkoi nxjerrjen e një rezolute nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së për të konfirmuar zbatimin e kësaj zgjidhjeje.

Regjimi sionist, krahas sulmeve të tij të pandërprera ndaj Gazës, e ka bërë situatën edhe më katastrofike duke rrethuar dhe penguar dërgimin e ndihmave humanitare dhe të ushqimeve.

Ky regjim ka mbyllur të gjitha pikat e kalimit në Rripin e Gazës dhe po e bombardon këtë zonë.

Sipas raportimeve, më shumë se 31,000 palestinezë janë martirizuar dhe 72,000 të tjerë janë plagosur.

 

Tags