Prill 29, 2024 11:19 Europe/Tirane
  • UNRWA: Të paktën 17,000 fëmijë kanë mbetur të pashoqëruar në Gaza në mes të luftës së Izraelit

Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) ka ngritur alarmin për përkeqësimin e situatës për fëmijët palestinezë në Rripin e Gazës, teksa Izraeli vazhdon luftën brutale kundër territorit të rrethuar.

Në një postim në platformën X të dielën, UNRWA tha se fëmijët përballen me jetë të shkatërruara në Gaza, duke shtuar se të paktën 17,000 fëmijë në territorin e bllokuar janë të pashoqëruar ose të ndarë nga familjet e tyre.

“Me [më shumë se] 70 për qind të shtëpive të dëmtuara ose të shkatërruara, shumica e [fëmijëve] kanë humbur gjithashtu shtëpitë e tyre. Shkollat janë bërë strehimore për mbijetesë, jo për edukim. E ardhmja e tyre ka nevojë për mbrojtje”, thuhet në deklaratë.

Më vete, Phillipe Lazzarini, Komisioneri i Përgjithshëm i UNRWA-s, tha se rritja e temperaturave në Gaza ka çuar në vdekjen e të paktën dy fëmijëve.

“Ne morëm raporte se të paktën dy fëmijë vdiqën për shkak të të nxehtit”, tha Lazzarini në një deklaratë.

"Çfarë ka më shumë për të duruar: vdekjen, urinë, sëmundjen, zhvendosjen dhe tani të jetuarit në struktura të ngjashme me serrat nën nxehtësinë përvëluese", shtoi ai.

Një valë e vazhdueshme e fortë e të nxehtit po prek më shumë se dy milionë njerëz që jetojnë në një situatë të rëndë në Rripin e Gazës dhe ka shkaktuar shumë vdekje, duke përfshirë fëmijë.

Disa raporte mediatike thonë se temperaturat kanë lëvizur rreth 30 gradë Celsius ditët e fundit, shumë mbi normalen për këtë periudhë të vitit.

UNRWA vuri në dukje më tej se kushtet e jetës në Gaza përkeqësohen me rritjen e temperaturës, duke theksuar se fëmijët po paguajnë faturën më të lartë, ndërsa përsëriti thirrjen e saj për një armëpushim të menjëhershëm.

Izraeli e zhvilloi luftën kundër Gazës më 7 tetor pasi Lëvizja e Rezistencës Palestineze Hamas kreu Operacionin "Stuhia Al-Aksa" kundër entitetit pushtues në shenjë hakmarrjeje për mizoritë e intensifikuara kundër popullit palestinez.

Që nga fillimi i agresionit, regjimi i Tel Avivit ka vrarë mbi 34,400 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë dhe ka lënë në gërmadha një pjesë të madhe të enklavës bregdetare.

Regjimi i Tel Avivit gjithashtu ka vendosur një rrethim të plotë në territor, duke ndërprerë karburantin, energjinë elektrike, ushqimin dhe ujin për më shumë se dy milionë palestinezët që jetojnë atje.

 

Tags