May 06, 2024 12:16 Europe/Tirane
  • Blinken drejtuar Netanyahut: Operacioni ushtarak në Rafah do të kundërshtohet nga Uashingtoni

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, i ka thënë kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, se një operacion i mundshëm ushtarak në Rafah, që ndodhet në jug të Gazës, do të kundërshtohet nga Uashingtoni dhe do të ketë një ndikim negativ në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit.

Faqja e internetit Axios ka njoftuar më herët, duke cituar dy zyrtarë të regjimit sionist, se administrata e presidentit të SHBA-së, Joe Biden, ka vonuar javën e kaluar dërgimin e një ngarkese me municione të prodhuara nga SHBA-ja për regjimin sionist.

Autoritetet e regjimit sionist janë shprehur për rrjetin Axios se kjo çështje ka shkaktuar shqetësime serioze në mesin e zyrtarëve izraelitë dhe i ka bërë ata të përpiqen të zbulojnë arsyen e pengimit të dërgesës.

Sipas këtij raporti, Shtëpia e Bardhë ka refuzuar të komentojë për këtë çështje dhe Departamenti Amerikan i Mbrojtjes (Pentagoni), Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Zyra e Kryeministrit izraelit nuk u janë përgjigjur pyetjeve në lidhje po me këtë çështje.

Raporti vë në dukje se Joe Biden po përballet me kritika të forta në mesin e amerikanëve që kundërshtojnë mbështetjen e tij për regjimin izraelit. Ndërkohë, administrata Biden i kërkoi Izraelit në shkurt që të garantonte se forcat e tij në Gaza do të përdorin armë të prodhuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, më shumë se 50 përfaqësues demokratë të Kongresit Amerikan kanë paralajmëruar së fundmi në një letër drejtuar presidentit të këtij vendi për vazhdimin e mbështetjes me armë nga ana e Uashingtonit për Tel Avivin në prag të operacionit ushtarak të regjimit pushtues në Rafah.

Duke iu referuar protestave të studentëve amerikanë kundër luftës në Gaza dhe ndihmës së re prej 26 miliardë dollarësh për regjimin izraelit, e cila u miratua nga Kongresi Amerikan, uebsajti “Hill” shkruante së fundmi: "Presidenti amerikan e nënshkroi këtë ligj mes përkeqësimit të krizës humanitare në Gaza dhe sulmit të pritshëm izraelit në qytetin Rafah, ku janë strehuar më shumë se një milion civilë palestinezë."

Javën e kaluar, Biden nënshkroi ligjin e ndihmës prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën, regjimin izraelit dhe Tajvanin dhe dërgimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake në Tel Aviv dhe Kiev, duke pretenduar se ky ligj do ta bënte botën më të sigurt.

Mbështetja për popullin e Gazës dhe protestat kundër politikave të qeverisë Biden, këtë herë kanë nisur nga grupe të ndryshme studentësh në universitetet amerikane.

Që nga fillimi i protestave kundër luftës së Izraelit në Gaza nën sloganin "Lëvizja e Solidaritetit me Gazën", protesta që nisën nga Universiteti Columbia në Nju Jork dhe u përhapën në universitetet e tjera amerikane, janë arrestuar më shumë se 1000 studentë.

 

Tags